Për matjen e nivelit të treguesve të përdorimit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit INSTAT ka kryer në vitin 2026 vrojtimin mbi “Për përdorimin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit” pranë ndërmarrjeve ekonomike me 10 e më shumë të punësuar.
Qëllimi i vrojtimit ”Për Përdorimin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit” është të mbledhë dhe shpërndajë informacion të harmonizuar dhe të krahasueshëm për përdorimin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) në ndërmarrje.
*Për herë të parë, rezultatet e vrojtimit mbi “Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit (TIK)” pranë ndërmarrjeve ekonomike me 10 e më shumë të punësuar publikohen sipas Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike, NVE Rev. 2.1. Ky ndryshim në klasifikimin e veprimtarive ekonomike zbatohet për vitin referencë 2026, në përputhje me Rregulloren Zbatuese (BE) 2025/1322. Për të siguruar krahasueshmërinë e të dhënave me një vit më parë dhe analizën e saktë të ndryshimeve në kohë, edhe të dhënat për vitin 2025 janë riklasifikuar sipas NVE Rev. 2.1. Për rrjedhojë, të dyja seritë e të dhënave, për vitet 2025 dhe 2026, paraqiten sipas së njëjtës nomenklaturë.
Sipas madhësisë së ndërmarrjes, janë klasifikuar si më poshtë:
• 10–49 të punësuar
• 50–249 të punësuar
• 250 e më shumë të punësuar
Sipas aktivitetit ekonomik “Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike, NVE Rev. 2.1”:
Metoda e grumbullimit
Grumbullimi i të dhënave realizohet me metodën CAPI, nëpërmjet intervistës ballë për ballë me anketues me tabletë.
Periudha e referencës për variablat kryesore është koha e mbledhjes së të dhënave. Për pyetjet në lidhje me Specialistët e TIK, Shitje/Blerje on line periudha referuese është një vit më parë.
Përkufizime:
Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK) i referohet teknologjive që sigurojnë akses në informacione përmes telekomunikimit. Termi TIK është i ngjashëm me termin Teknologji Informacioni (TI), por fokusohet në teknologjitë e komunikimit që përfshijnë internetin, rrjetin, celularët dhe media të tjera komunikimi.
Akses në Internet: Termi “Akses në Internet” i referohet një lidhjeje të jashtme në Internet përmes një kompanie që operon si Ofrues i Shërbimit në Internet (Internet Service Provider – ISP).
Website: Faqja e internetit është një dokument me HyperText. Ekzistenca e një website i ofron ndërmarrjes potencial për një performancë më të mirë, mundësi të reja për prezantimin e ndërmarrjes, produkteve, mundësi për njohje më të madhe dhe në të njëjtën kohë aksesin në tregje të reja dhe për rrjedhojë të ardhura më të larta. Faqet e internetit mund të kenë tekst, lidhjet HyperText, imazhe, video dhe zëra.
Media Sociale: Përdorimi i Mediave Sociale si p.sh.: Facebook, Google+, Twitter, YouTube etj. i referohet përdorimit nga ndërmarrja të aplikacioneve që bazohen në teknologjinë e Internetit ose në platforma komunikimi për t’u lidhur, krijuar dhe shkëmbyer përmbajtje online, me klientë, furnizues, dhe partnerë, jashtë ose brenda ndërmarrjes.
Shitjet Online: Janë shitjet e bëra nëpërmjet një dyqani në internet (web shop), nëpërmjet formularëve në web në një faqe interneti ose ekstranet, ose aplikacione pavarësisht se si aksesohet në web (kompjuter, laptop, telefon celular etj.). Pagesa mund të bëhet online ose offline (paguaj në dorëzim të porosisë). Deri në vitin 2022 në këtë tregues janë përllogaritur shitjet ku pagesa është kryer vetëm online.
Specialistë TIK: Konsiderohen ata punonjës të cilët si detyrë kryesore kanë të zhvillojnë, operojnë apo të mirëmbajnë sisteme dhe aplikacione TIK, të tillë si: specialistë të bazës së të dhënave, specialistë të mbështetjes ndaj TIK-ut, etj. Specialistët TIK kanë aftësitë përkatëse për të specifikuar, projektuar, instaluar, mbështetur, menaxhuar, vlerësuar ose kryer aktivitete kërkimore.
Shërbimet cloud: I referohen shërbimeve të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, që përdoren në internet për të aksesuar programe kompjuterike, kapacitete ruajtëse, etj. Cloud Computing është një model për të mundësuar hyrje të kudo gjendur, të përshtatshme, në bazë të kërkesës, në një grup të përbashkët burimesh kompjuterike të konfigurueshme (p.sh. rrjetet, serverat, hapësira ruajtëse, aplikacionet dhe shërbimet) që mund të sigurohen me shpejtësi dhe të lirohen me përpjekje ose shërbim minimal të menaxhimit ose të ndërveprimit të ofruesit.
Planifikimi i Burimeve të Ndërmarrjes (Enterprise Resource Planning - ERP) përbëhet nga një ose një grup aplikacionesh softuerike që integrojnë informacionin dhe proceset në të gjithë funksionet e ndryshme të biznesit të ndërmarrjes. Zakonisht, një ERP integron planifikimin, prokurimin, shitjet, marketingun, menaxhimin e marrëdhënieve me klientët, financat dhe burimet njerëzore.
Inteligjenca artificiale u referohet sistemeve që përdorin teknologji të tilla si: text mining, vizioni kompjuterik, njohja e të folurit, gjenerimi i gjuhës natyrore, mësimi makineror (machine learning) dhe mësimi i thellë (deep learning) për të mbledhur, përdorur dhe/ose prodhuar të dhëna; për shembull, për të bërë parashikime, rekomandime ose vendime, me shkallë të ndryshme autonomie.
Menaxhimi i Marrëdhënieve me Klientët (Customer Relationship Management - CRM) është një metodologji menaxhimi që e vendos klientin në qendër të veprimtarisë së biznesit, bazuar në përdorimin intensiv të teknologjive të informacionit për të mbledhur, integruar, përpunuar dhe analizuar informacionin që lidhet me klientët.