Prezantim mbi shpjegimet metodologjike dhe treguesit e derivuar nga Anketa e të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës (EU-SILC), si dhe burime të tjera plotësuese të treguesve socio-ekonomikë të popullsisë.
Matja e mirëqenies së familjeve në Shqipëri - Nga varfëria absolute te një lexim shumëdimensional
i mirëqenies
Anketa e të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës (AANJ) u realizua për herë të parë në vendin tonë në vitin 2017 ku referencë janë të ardhurat e vitit 2016. Publikimi i vitit 2025 ka referencë të ardhurat e vitit 2024. Rezultatet paraqesin statistika të krahasueshme me vendet e tjera, si dhe sigurojnë të dhëna të besueshme në fushën e varfërisë relative, përjashtimit social dhe të ardhurave familjare, duke ndihmuar në këtë mënyrë në hartimin e politikave anti-varfëri. Deri në vitin 2012, i vetmi burim i matjes së nivelit të jetesës, varfërisë absolute dhe mirëqënies së familjeve shqiptare ka qenë Anketa e Matjes së Nivelit të Jetesës e njohur si AMNJ. Kjo anketë ka mbledhur një sërë treguesish monetarë dhe jo monetarë, duke sjellë një larmi informacioni për përdorues të ndryshëm. Nëpërmjet AMNJ është synuar matja e varfërisë bazuar në shpenzimet e konsumit, duke përdorur kufirin absolut të varfërisë, ndërsa AANJ bazohet në të ardhurat e familjes, duke përdorur kufirin relativ të varfërisë.
Prej vitit 2024 dhe në vijim, korniza e kampionimit dhe kalibrimi i rezultateve të anketës do të bazohet në Censin e Popullsisë dhe Banesave 2023.
Nisur nga këto ndryshime metodologjike të përdorura në këto dy anketa, pritet që edhe informacioni i anketës së të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës (AANJ) të jetë i ndryshëm, krahasuar me të dhënat e ofruara nga anketa e Matjes së Nivelit të Jetesës (AMNJ).
Mbulimi: Anketa AANJ mbulon të gjitha Njësitë Ekonomike Familjare rezidente në territorin e Republikës së Shqipërisë pavarësisht nga madhësia e tyre ose karakteristikat socio-ekonomike.
Përjashtohen nga studimi: Individët që jetojnë në banesa kolektive të të gjitha llojeve (Konviktet, shtëpitë e të moshuarve, spitalet, burgjet, qendrat e rehabilitimit, kampet etj.).
Koncepti Njësisë Ekonomike Familjare (NjEF) i referohet një grupi personash ose një personi të vetëm, me ose pa lidhje gjaku të cilët jetojnë së bashku në një banesë dhe që ndajnë një ekonomi pjesërisht ose plotësisht të përbashkët.
Madhësia e kampionit të arritur: Në vitin 2025, anketa AANJ përfshin një kampion bruto prej 8.599 NjEF ku janë përgjigjur 7553 NjEF.
Periudha e referencës: Është e ndryshme në varësi të informacionit të mbledhur, për :
§ Të ardhurat : është viti i fundit kalendarik, (N-1), për anketën AANJ 2025 është viti 2024, ndërsa për AANJ 2024 është viti 2023;
§ Privimin material : është momenti kur realizohet intervista, viti 2025.
Sipas metodologjisë për matjen e varfërisë, kufiri i rrezikut për të qenë i varfër llogaritet në bazë të konceptit relativ (i varfër në raport me të tjerët) dhe përcaktohet në 60 % të medianës së të ardhurave familjare disponibël të ekuivalentuara, duke përdorur shkallën e ekuivalentuar të modifikuar të OECD. Të ardhurat gjithsej të disponueshme të familjes (NjEF) konsiderohen të ardhurat gjithsej neto (të ardhurat pas taksave dhe sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore) të marra nga të gjithë anëtarët e familjes (NjEF).
Të ardhurat e ekuivalentuara:
Të ardhurat disponibël të ekuivalentuara për individë janë konsideruar të ardhurat gjithsej disponibël të familjes pasi janë ndarë sipas shkallës së modifikuar të OECD. Në shpërndarjen për person secili anëtar i familjes (NjEF) zotëron të njëjtat të ardhura që korrespondojnë me të ardhurat ekuivalente të disponueshme të familjes (NjEF). Kjo do të thotë që secili anëtar i familjes gëzon të njëjtin nivel jetese. Rrjedhimisht, në shpërndarjen e të ardhurave për person, të ardhurat që i atribuohen çdo personi nuk përfaqësojnë pagën, por një tregues të nivelit të jetesës.
Shkalla e ekuivalentimit:
Madhësia ekuivalente i referohet shkallës së modifikuar të OECD-së e cila jep peshën 1,0 personit të parë të rritur të familjes (mbi 14 vjeç), 0,5 personave të tjerë të moshës 14 vjeç e lart që jetojnë në familje dhe 0,3 për secilin fëmijë nën moshën 14 vjeç. Shembull: Të ardhurat e familjes me dy të rritur dhe dy fëmijë nën 14 vjeç janë ndarë me një peshë prej 1 + 0,5 + (2*0,3) = 2,1, të ardhurat e familjes me 2 të rritur ndahen me peshë 1 + 0,5 = 1,5, etj.
Treguesit e varfërisë dhe përjashtimit social bazohen në konceptin e varfërisë relative, i cili merr në konsideratë të ardhurat e disponueshme të familjeve, numrin e anëtarëve të familjes dhe shpërndarjen e të ardhurave në popullatë.
Përkufizime:
Kufiri i rrezikut për të qenë i varfër përfaqëson të ardhurat më të ulta vjetore të disponueshme që një person të mos konsiderohet i varfër. Kufiri i rrezikut për të qenë i varfër është përcaktuar në 60 % të medianës së të ardhurave disponibël të ekuivalentuara për të gjitha familjet.
Niveli i Rrezikut për të qenë i varfër tregon përqindjen e personave që jetojnë në familje ku të ardhurat e disponueshme të ekuivalentuara janë nën kufirin e rrezikut për të qenë i varfër.
Shkalla e thelluar e privimit material dhe social (Evropa 2030) paraqet përqindjen e personave që jetojnë në familje që nuk mund të përballojnë të paktën shtatë nga trembëdhjetë kategoritë e privimit (6 kategori që lidhen me privimin në nivel individi dhe 7 kategori që lidhen me privimin në nivel familje).
Lista e kategorive në nivel NjEF:
1. Vonesat në pagesat e kredisë ose të qerasë për banesën kryesore, shpenzimet për shërbimet bazë, blerjet me këste ose pagesa të tjera të kredive të marra;
2. Pamundësia për të përballuar shpenzimet për pushimet vjetore një javë larg nga shtëpia;
3. Pamundësia për të përballuar një shpenzim të paparashikuar financiar me vlerën 30.000 lekë të reja;
4. Pamundësia për të përballuar një vakt me mish, pule, peshk (ose ekuivalentin për vegjetarianët) një herë në dy ditë;
5. Pamundësia financiare e familjes për mbajtjen e shtëpisë ngrohtë në mënyrë të përshtatshme;
6. Pamundësia financiare për të patur një makinë për përdorim personal;
7. Zëvendësimi i mobiljeve të vjetra me të reja.
Lista e kategorive në nivel individi:
1. Mundësia për të pasur lidhje interneti;
2. Zëvendësimi i rrobave të vjetra me disa rroba të reja;
3. Të kesh dy palë këpucë që përshtaten siç duhet (përfshirë një palë këpucë për të gjitha stinët);
4. Shpenzimi i një sasie të vogël parash çdo javë për veten e tij/saj;
5. Mundësia për të patur aktivitete të rregullta në kohën e lirë;
6. Takime me miqtë/familjen për një pije/ vakt të paktën një herë në muaj.
Intensiteti i punësimit në NjEF është raporti ndërmjet numrit gjithsej të muajve gjatë të cilëve anëtarët në moshë pune të NjEF-së kanë punuar në periudhën referuese të mbledhjes së të ardhurave dhe numrit gjithsej të muajve që këta anëtarë teorikisht mund të kishin punuar gjatë së njëjtës periudhë (12 muaj).
Një person në moshë pune konsiderohet personi i grupmoshës 18-64 vjeç, sipas objektivave të Evropës 2030, me përjashtim të personave të grupmoshës 18-24 vjeç që janë në varësi të NjEF-së dhe ekonomikisht joaktivë, si dhe të personave që përfitojnë pension familjar dhe personave joaktivë të moshës 60-64 vjeç që jetojnë në NjEF ku burimi kryesor i të ardhurave është pensioni.
Intensiteti në punësim është: shumë i ulët (0-20%), i ulët (20%-45%), mesatar (45%-55%), i lartë (55%-85%) dhe shumë i lartë (85%-100%). Intensiteti shumë i ulët në punësim i referohet situatës së personave në familje ku asnjë nuk punon, ose punon shumë pak, që do të thotë se anëtarët e familjes në moshë pune punojnë vëtëm 20 % apo më pak se numri gjithsej i muajve që ata mund të punonin gjatë periudhës së referencës.
Rreziku për të qënë i varfër ose përjashtimi social (AROPE 2030) është përqindja e individëve që janë në rrezik për të qenë të varfër ose thellësisht të privuar nga ana materiale dhe sociale ose me intensitet shumë të ulët në punësim.
Tabela e mëposhtme tregon ndryshimet midis rrezikut për të qenë i varfër ose përjashtimi social (AROPE) të përcaktuar për objektivat Evropa 2030:
|
Treguesi
|
Evropa 2030
|
|
Shkalla e thelluar e privimit material
|
Shkalla e thelluar e privimit material dhe social (SMSD): Përqindja e popullsisë që nuk përballojnë të paktën 7 deri në 13 kategori të privimit, (6 kategori lidhur me individin dhe 7 lidhur me NjEF).
|
|
Rreziku për qenë të varfër
|
Përqindja e personave në totalin e popullsisë që janë në rrezik për qenë të varfër.
|
|
Treguesi i intensitetit të ulët në punësim
|
Personat nga 0-64 vjeç që jetojnë në NjEF ku të rriturit (grupmosha 18-64, duke përjashtuar studentët e moshës 18-24 vjeç, personat ekonomikisht jo aktivë si dhe personat e grupmoshës 60-64 vjeç që janë joaktivë dhe që jetojnë në një NjEF ku të ardhurat kryesore janë pensionet), punojnë vëtëm 20 % apo më pak se numri gjithsej i muajve që ata mund të punonin gjatë periudhës së referencës.
|
Koeficenti Gini mat pabarazinë në shpërndarjen e të ardhurave, ku vlera 0 % shpreh barazinë e plotë dhe të gjithë individët kanë të ardhura të njëjta, ndërsa një koeficient Gini i barabartë me 100 % shpreh pabarazinë e plotë ku vetëm një person ka të gjitha të ardhurat.
Raporti kuintileve S80/S20, është një indikator i cili mat pabarazinë në të ardhura me anë të raportit të nivelit më të lartë të të ardhurave disponibël të ekuivalentuara (kuintili i fundit) me nivelin më të ulët të të ardhurave disponibël të ekuivalentuara (kuintili i parë).