Anketa e të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës

ANKETA E TË ARDHURAVE DHE NIVELIT TË JETESËS (AANJ)

Anketa e të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës (AANJ) është një anketë që Instituti i Statistikave e zhvillon me baza vjetore prej vitit 2017 e në vazhdim. Qëllimi kryesor i anketës është të sigurojë informacion të detajuar mbi të ardhurat, nivelin e jetesës,  nivelin e varfërisë dhe përjashtimit social të familjeve shqipëtare. Metodologjia e kësaj ankete është bazuar në rregulloret dhe udhëzimet e EUROSTAT.

Rezultatet paraqesin statistika të krahasueshme me vendet e tjera, si dhe sigurojnë të dhëna të besueshme në fushën e varfërisë relative (i varfër në raport me të tjerët), përjashtimit social dhe të ardhurat familjare, duke ndihmuar në këtë mënyrë në hartimin e politikave anti-varfëri.

Personat që marrin pjesë në anketë  intervistohen për 4 vite rresht. Kjo statistikë synon të, studiojë dhe analizojë kushtet e jetesës së familjeve dhe anëtarëve të tyre në vitin aktual, si dhe në afatgjatë për një periudhë 4 vjeçare.

Treguesi i rrezikut për të qenë i varfër

Treguesi i rrezikut për të qenë i varfër në Shqipëri është një nga treguesit më kryesor që prodhohet nga kjo anketë dhe nënkupton treguesin e varfërise në terma relative, i varfër në raport me te tjerët.

Rezultatet e anketës shërbejnë si një bazë e rëndësishme në proceset vendimmarrëse, për të analizuar situatën socio-ekonomike në familje dhe miratimin e mëvonshëm të masave specifike që synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës së popullsisë në Shqipëri.

Në vitin 2022 ky tregues është 20,6 %, duke pësuar një rënie prej 1,4 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2021.

Kufiri i rrezikut për të qenë i varfër përfaqëson të ardhurat më të ulta vjetore të disponueshme që një person të mos konsiderohet i varfër. Ky kufi për një person në vitin 2022 është vlerësuar me 225.931 lekë.

 

Përfitimet sociale dhe Rreziku për të qenë i varfër

Në shumicën e vendeve një nga instrumentat më të rëndësishëme dhe efektiv në reduktimin e varfërisë janë përfitimet sociale, të cilat dhe në vendin tonë ndikojnë në uljen e rrezikut për të qenë i varfër.

Rreziku për të qenë i varfër para përfitimeve sociale  për vitin 2022 është vlerësuar 36,5 %, po i njëjti tregues vlerësohet 24,5 % pasi përfshihen vetëm një pjesë e përfitimeve sociale si pensionet e pleqërisë dhe ato familjare.

Rreziku për të qënë i varfër sipas grupmoshave

Në tre grupmoshat kryesore, 0-17 vjec, 18-64 vjec, 65+, vihet re trendi në zbritje për vitin 2022 për treguesin e rrezikut për të qenë i varfër.

Rreziku për të qënë i varfër ose përjashtimi social (AROPE)

Nga kjo anketë, prodhohet gjithashtu intensiteti në punësim i familjes, privimi material dhe social. Intensiteti në punësim i familjes i referohet numrit të muajve që të gjithë individët e familjes kanë punuar kundrejt numrit gjithsej të muajve që teorikisht duhet të punojnë gjatë vitit (12 muaj).

Privimi material dhe social i referohet treguesve që tregojnë kushtet materiale që ndikojnë në cilësinë e jetës së familjeve dhe individëve.

Personat thellësisht të privuar materialisht dhe nga ana sociale janë ata që nuk mund të përballojnë të paktën shtatë nga trembëdhjetë kategoritë e privimit (6 kategori që lidhen me privimin në nivel individi dhe 7 kategori që lidhen me privimin në nivel familje).

Rreziku për të qenë i varfër ose përjashtimi social (AROPE), i referohet individëve që janë në rrezik për të qenë të varfër, ose thellësisht të privuar nga ana materiale dhe sociale, ose që jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët në punësim. Është treguesi kryesor për monitorimin e varfërisë dhe përjashtimin social.

Të gjitha të dhënat e mbledhura nga kjo anketë janë konfidenciale dhe të mbrojtura sipas legjislacionit shqipëtar dhe përdoren për qëllime statistikore nga Instituti i Statistikave. Informacioni përfundimtar statistikor publikohet gjithmonë në formë të përmbledhur ku të dhënat për një familje specifike dhe për individë janë të paidentifikueshme prej tyre.

Përjashtohen nga anketa individët që jetojnë në banesa kolektive të të gjitha llojeve (konviktet, shtëpitë e të moshuarve, spitalet, burgjet, qendrat e rehabilitimit, kampet etj.).

Për më shumë informacion KLIKO në:

Njoftime për shtyp

/sq/temat/kushtet-sociale/anketa-e-t%C3%AB-ardhurave-dhe-nivelit-t%C3%AB-jetes%C3%ABs-aanj/

Tabela dhe grafikë

/sq/temat/kushtet-sociale/anketa-e-t%C3%AB-ardhurave-dhe-nivelit-t%C3%AB-jetes%C3%ABs-aanj/#tab2

Metodologjia

/sq/temat/kushtet-sociale/anketa-e-t%C3%AB-ardhurave-dhe-nivelit-t%C3%AB-jetes%C3%ABs-aanj/#tab4

Artikuj/Libra

/sq/publikime/librat/2023/shqip%C3%ABria-n%C3%AB-shifra-2022/

/sq/publikime/librat/2023/burra-dhe-gra-2023/

/sq/publikime/librat/2023/objektivat-e-zhvillimit-t%C3%AB-q%C3%ABndruesh%C3%ABm-shqip%C3%ABria-2022/

Fjalori terminologjik;

Për më shumë informacion klikoni KËTU