Indeksi i Pabarazisë Gjinore

Çfarë është Indeksi i Pabarazisë Gjinore?

Indeksi i Pabarazisë Gjinore (IPGJ) është një tregues i përbërë, i cili tregon humbjen potenciale në zhvillimin njerëzor, si rezultat i pabarazive ndërmjet arritjeve të grave dhe burrave në tre dimensione – shëndetin riprodhues, fuqizimin dhe tregun e punës. Ky indeks jep një bazë empirike për analizat e politikave gjinore dhe për fushat se ku duhen të fokusohen përpjekjet për arritjen e barazisë gjinore.

Metodologjia

I.P.GJ paraqet disavantazhet gjinore në tre dimensione – shëndetin riprodhues, fuqizimin dhe tregun e punës. I.P.GJ mund të marrë vlera nga 0, ku arritjet e grave dhe burrave janë të barabarta, në 1, ku njëra nga gjinitë ka rezultatet më të këqija të mundshme në të gjitha dimensionet. [Human Development Report, Kombet e Bashkuara, 2015].

Më poshtë listohen të gjithë treguesit e nevojshëm për llogaritjen e Indeksit të Pabarazisë Gjinore sipas dimensionit të cilit i përkasin dhe burimin të të dhënave.

  1. Shëndeti riprodhues

·Vdekshmëria amtare

·Norma e lindshmërisë së adoleshenteve

Prioriteti që i jepet shëndetit të grave gjatë periudhës së shtatzanisë dhe lindjes është një shenjë e qartë e statusit të tyre në shoqëri. Rreziku i vdekjes së grave në lindje mund të reduktohet nëpërmjet edukimit të tyre dhe përmirësimit të kujdesit shëndetësor që u ofrohet. Gjithashtu, lindja në moshë të re përveç se paraqet një rrezik të lartë për shëndetin e nënës dhe të fëmijës, e bën më të vështirë për gratë që të arrijnë nivele më të larta arsimimi, të cilat janë të nevojshme për suksesin e tyre në tregun e punës.

  1. Fuqizimi

·Përqindja e vendeve në parlament sipas gjinisë

·Kryerja e arsimit të mesëm ose më të lartë, sipas gjinisë për moshat mbi 25 vjeç

Gratë kanë qenë tradicionalisht të disavantazhuara në fushën politike, në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe të përfaqësimit. Përqindja e grave në parlament është një vlerësim për shkallën në të cilën gratë mund të mbajnë poste të larta drejtuese në një shoqëri. Nga ana tjetër, gratë me nivele më të larta arsimimi kanë më shumë mundësi të jenë më të suksesshme në tregun e punës, janë më të afta të kujdesen për shëndetin e tyre dhe atë të familjes, si dhe e kanë më të lehtë të ndërmarrin iniciativa, përfshirë dhe ato politike.

  1. Tregu i punës

·Shkalla e pjesëmarrjes në tregun e punës

Shkalla e pjesëmarrjes në tregun e punës paraqet gatishmërinë e personave për të marrë pjesë në tregun e punës si dhe perceptimin që ata kanë rreth mundësive të punësimit. Një aspekt i rëndësishëm për gratë dhe pjesëmarrjen e tyre në tregun e punës është mundësia e kombinimit të punës produktive me jetën riprodhuese. Mungesa e kësaj mundësie mund të detyrojë një pjesë të mirë të grave të tërhiqen tërësisht nga forcat e punës.

Rezultati

Sipas llogaritjeve, për vitin 2025, Indeksi i Pabarazisë Gjinore është ulur në 0,089 nga 0,094 që shënonte një vit më parë. Kjo tregon një humbje në zhvillimin njerëzor si rezultat i pabarazisë gjinore prej 8,9 %.

Ndër vite, të gjithë treguesit e përdorur në llogaritjen e GII, kanë patur përmirësime të lehta, përveç vdekshmërisë amtare, e cila me luhatjet e saj gjatë viteve, ka luajtur edhe rolin kryesor në luhatjen e këtij treguesi.

Grafiku 1. Indeksi i Pabarazisë Gjinore, 2018-2025


Shënim metodologjik: Të dhënat për Indeksin e Pabarazisë Gjinore (GII) janë rishikuar dhe rillogaritur në përputhje me metodologjinë e përditësuar të UNDP-së. Për treguesin e vdekshmërisë amtare (MMR), në llogaritjen e GII-së përdoret një vlerë minimale prej 10 vdekjesh për 100 000 lindje të gjalla; vlerat e MMR-së nën këtë prag konsiderohen si 10 në llogaritjen e indeksit. Ky trajtim metodologjik zbatohet për të gjithë serinë kohore, për të siguruar konsistencë dhe krahasueshmëri të vlerave të indeksit ndër vite. Vlera e MMR-së e publikuar si tregues statistikor mbetet vlera faktike e regjistruar.Si rezultat i këtij rishikimi metodologjik, vlerat e GII-së për vitet e mëparshme janë rillogaritur dhe mund të ndryshojnë nga vlerat e publikuara më parë.

Për më shumë informacion KLIKO në:

https://www.instat.gov.al/al/temat/treguesit-demografik%C3%AB-dhe-social%C3%AB/barazia-gjinore/#tab2

https://www.instat.gov.al/al/temat/treguesit-demografik%C3%AB-dhe-social%C3%AB/barazia-gjinore/publikimet/2023/burra-dhe-gra-n%C3%AB-shqip%C3%ABri-2022/

https://databaza.instat.gov.al:8083/pxweb/sq/DST

Për më shumë informacion KLIKO në:

Barazia Gjinore

Indeksi sipas Treguesi dhe Viti. PxWeb

Fjalori terminologjik