Takimi vjetor për forcimin e statistikave sipas standardeve të Bashkimit Evropian
Instituti i Statistikave (INSTAT) organizoi më 26 maj 2026, takimin vjetor të projektit “Statistikat shqiptare në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe kërkesat e BE-së” (“Albanian Statistics Aligned with National Legislation and EU Requirements”), i cili zhvillohet në kuadër të forcimit të kapaciteteve statistikore dhe përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian.
Qëllimi i takimit ishte prezantimi dhe miratimi i Raportit Fillestar të Projektit (Inception Report), shqyrtimi i progresit të deritanishëm, diskutimi i aktiviteteve të planifikuara për periudhën e ardhshme të zbatimit, si dhe dakordësimi mbi hapat e mëtejshëm për vijimin efektiv të projektit.
Në takim morën pjesë përfaqësues nga Ambasada e Suedisë, Zyra Statistikore e Suedisë (SCB), Universiteti i Tiranës, si dhe përfaqësues të INSTAT.
Fjalën hapëse e mbajtën znj. Lantona Sado, Drejtore e Përgjithshme e INSTAT-it, z. Thomas Bjurenvall, Menaxher i Projektit nga Zyra Statistikore e Suedisë, dhe znj. Ermelinda Xhaja, Oficere Programi në Ambasadën e Suedisë në Shqipëri.
Gjatë takimit u diskutuan çështjet kryesore:
- Shqyrtimi i Raportit Fillestar, planeve dhe rezultateve të pritshme për vitin 2026
- Zbatimi i buxhetit dhe pasqyra financiare
- Prezantimi i matricës së përditësuar të riskut
- Miratimi i Raportit Fillestar të Projektit
Ky takim përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit institucional dhe mbështetjen e procesit të përafrimit të statistikave shqiptare me standardet e Bashkimit Evropian.