Misioni “Peer Review” në Statistikat Zyrtare
Gjatë periudhës 23 – 27 mars 2026, Eurostat zhvilloi në Shqipëri misionin e radhës të “Peer Review”, me qëllim vlerësimin e funksionimit të Sistemit Kombëtar Statistikor dhe nivelit të zbatimit të parimeve të Kodi i Praktikës së Statistikave Evropiane, të përafruara me kuadrin ligjor kombëtar, konkretisht me Ligjin nr. 17/2018 “Për statistikat zyrtare”.
Ky është procesi i katërt i këtij lloji i zhvilluar në Shqipëri, pas atyre të realizuara në vitet 2013, 2015 dhe 2018, duke dëshmuar vazhdimësinë e përpjekjeve për përmirësimin e cilësisë dhe harmonizimin me standardet e Bashkimit Evropian.
Misioni “Peer Review” përbën një mekanizëm kyç për vlerësimin e përputhshmërisë së sistemit statistikor me standardet evropiane, duke synuar forcimin e:
- cilësisë së statistikave zyrtare,
- besueshmërisë dhe transparencës,
- pavarësisë profesionale të institucioneve statistikore.
Procesi u realizua nga një grup ekspertësh të pavarur ndërkombëtarë, në bashkëpunim me përfaqësues të Eurostat-it, të cilët zhvilluan me sukses një seri takimesh ne INSTAT dhe me përfaqesuesit e institucioneve kryesore të Sistemit Kombëtar Statistikor, përfshirë prodhuesit e statistikave zyrtare dhe përdoruesit kryesorë të tyre.
Gjate vizites se misionit u reflektua angazhimi institucional dhe u pasqyruan në mënyrë transparente veprimtaria e INSTAT dhe e aktorëve te tjerë të sistemit statistikor në drejtim të përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë dhe përputhshmërisë me standardet evropiane.
Përfundimi i këtij procesi do të shoqërohet me përgatitjen e një raporti të detajuar vlerësimi nga grupi i ekspertëve, i cili përfshin rekomandime konkrete për forcimin e mëtejshëm të sistemit statistikor në Shqipëri. Rekomandimet e raportit “Peer Review” do të përkthehen në masa dhe aktivitete përmirësuese, të cilat do të adresohen në mënyrë të strukturuar në planet operacionale të INSTAT për vitet në vijim, me fokus në:
- rritjen e cilësisë dhe aksesueshmërisë së statistikave,
- përmirësimin e komunikimit dhe shpërndarjes së të dhënave,
- forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional brenda sistemit statistikor.