Nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet INSTAT dhe Agjencisë Shtetërore për Mbështetjen dhe Zhvillimin e Startup-eve dhe Lehtësuesve (Startup Albania)

01 pri 2026

Ditën e sotme, datë 01 Prill 2026,  u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Institutit të Statistikave (INSTAT) dhe Startup Albania. Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT, znj. Lantona Sado dhe Drejtori i Përgjithshëm i Startup Albania, z. Arjan Ymeri.
Qëllimi i këtij Memorandumi është forcimi i bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, me synim krijimin e një baze të qëndrueshme për matjen, analizimin dhe vlerësimin e kontributit të startupe-ve në zhvillimin ekonomik të vendit.


Ky bashkëpunim synon gjithashtu rritjen e kapaciteteve analitike, mbështetjen e hartimit të politikave publike të bazuara në evidenca, si dhe përmirësimin e transparencës për aktorët e ekosistemit të inovacionit dhe sipërmarrjes. Duke respektuar kërkesat dhe standardet e legjislacionit për statistikat zyrtare, palët nënshkruese shprehën vullnetin për të bashkëpunuar drejt realizimit të studimeve të përbashkëta dhe kryerjes së aktiviteteve statistikore për të vlerësuar impaktin e politikave zhvillimore dhe për të harmonizuar proceset e raportimit me praktikat më të mira të institucioneve ndërkombëtare. Një fokus të veçantë do të zërë bashkëpunimi për shkëmbimin e eksperiencave teknike dhe pjesëmarrjes së përbashkët në aktivitete të cilat mundësojnë modernizimin e proceseve të prodhimit statistikor dhe pasurimit të të dhënave për qëllime statistikore.