Statistikat e Tregut të Punës

Statistikat e Tregut të Punës

Statistikat e tregut të punës japin informacion mbi shpërndarjen e fuqisë punëtore. Ato përshkruajnë situatën dhe dinamikën e punësimit dhe papunësisë, që së bashku përbëjnë forcën e punës që operon në një vend. Bazuar në informacionin e mbledhur nga Anketa e Forcave të Punës, popullsia 15 vjeç e lart klasifikohet në të punësuar, të papunë dhe ekonomikisht joaktive.

Forca e punës

Popullsia aktive përbëhet nga njerëz që janë në punë ose që kërkojnë punë në mënyrë aktive, që do të thotë se ata janë punonjës potencialë dhe përbëjnë forcën e punës së një vendi. Prandaj, forca e punës (ose popullsia aktive) përcaktohet nga shuma e njerëzve të punësuar dhe të papunë. Në vitin 2023, forca e punës në vend regjistron rreth 1.486 mijë persona.

Shkalla e aktivitetit apo e pjesëmarrjes në forcën e punës, llogaritet duke pjesëtuar popullsinë aktive me popullsinë e së njëjtës grupmoshë. Treguesi është një masë e përgjithshme e efikasitetit të ekonomisë në angazhimin e popullsisë në një formë të aktivitetit prodhues. Treguesi i përdorur për të matur shkallën e pjesëmarrjes në forcat e punës në Shqipëri arriti në 64,1 % gjatë vitit 2023 (70,3 % për burrat dhe 58,1 % për gratë).

Popullsia ekonomikisht joaktive

Popullsia joaktive në vitin 2023 është rreth 833 mijë, duke përfshirë të gjithë personat që nuk klasifikohen si të punësuar dhe as të papunë. Ata janë pjesa e mbetur e popullsisë në moshë pune, pasi të jetë zbritur forca e punës ose popullsia aktive nga popullsia 15 vjeç e lart.

Personat joaktivë, ose jashtë forcës së punës, janë persona që nuk punojnë, dhe as kërkojnë apo duan punë sepse janë duke vazhduar shkollën, janë në pension apo me aftësi të kufizuara, mund të jenë duke përmbushur detyrat shtëpiake, ose nuk kërkojnë punë sepse besojnë se nuk mund ta gjejnë atë (në terma të tjerë të dekurajuar). Shkalla e inaktivitetit jashtë forcave të punës llogaritet duke pjesëtuar popullsinë joaktive me popullsinë e së njëjtës grupmoshë. Ky tregues është 35,9 % në 2023 (29,7 % për burrat dhe 41,9 % për gratë).

Si popullata aktive ashtu edhe ajo joaktive (jashtë forcës së punës) janë pjesë e popullsisë në moshë pune. Anketa e forcës së punës vëzhgon popullsinë 15 vjeç e lart, e cila është mosha kur njerëzit mund të fillojnë të punojnë sipas ligjit. Në vitin 2023, popullsia 15 vjeç e lart është rreth 2.319 mijë, pra 83,9 % e popullsisë së përgjithshme.

Për të krijuar tregues të ndryshëm të tregut të punës merren parasysh grupe të mëdha të popullsisë, si: popullsia 15-74 vjeç për shkallën e papunësisë, 15-64 vjeç për shkallën e punësimit, 15-24 ose 15-29 vjeç për të rinjtë e kështu me radhë.

 

Për më shumë informacion KLIKO në:

https://www.instat.gov.al/media/13552/tregu-i-punes-2023.pdf 

Tabela dhe grafikë:

/sq/temat/tregu-i-pun%C3%ABs-dhe-arsimi/pun%C3%ABsimi-dhe-papun%C3%ABsia/#tab2

Artikuj:

https://www.instat.gov.al/media/13102/atfp-tr4-2023_press-release.pdf