Workshop me temë “Forcimi i Qeverisjes Vendore përmes Platformave Digjitale të INSTAT”

14 maj 2026

INSTAT, me mbështetjen e Projektit SALSTAT, zhvilloi workshop-in me temë “Forcimi i Qeverisjes Vendore përmes Platformave Digjitale të INSTAT”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të bashkive, Këshillit Bashkiak, Këshillit të Qarkut Shkodër, si dhe përfaqësuesve të Rektoratit të Shkodrës.
Fjalën hapëse e mbajti Drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT, znj. Lantona Sado, e ndjekur nga Përgjegjësja e Sektorëve të Qeverisjes dhe Shëndetësisë në Ambasadën e Zvicrës, znj. Sabine Piccard, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe akademike. Në fjalën e saj, znj. Sado theksoi rëndësinë e statistikave zyrtare dhe përdorimin e të dhënave të besueshme si bazë për vendimmarrje të informuar, zhvillim lokal të qëndrueshëm dhe përmirësim të cilësisë së shërbimeve publike për qytetarët. Në këtë fjalim hapës u nënvizua gjithashtu rëndësia strategjike e forcimit të statistikave lokale dhe e bashkëpunimit ndërinstitucional për një qeverisje më efektive dhe të bazuar në evidencë.
Gjatë workshop-it u prezantuan platformat digjitale inovative të INSTAT, përfshirë GeoData Hub, Dashboard-in e Bashkive, WebGIS dhe Story Maps, të cilat mundësojnë akses të shpejtë dhe të besueshëm në statistika zyrtare.
Ky aktivitet shërbeu si një hapësirë informimi dhe dialogu, me qëllim forcimin e kapaciteteve institucionale për përdorimin efektiv të të dhënave në planifikimin strategjik, përmirësimin e shërbimeve vendore, si dhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënies.
Përmes integrimit të platformave digjitale në proceset e përditshme, INSTAT vijon të kontribuojë në ndërtimin e një qeverisjeje vendore më gjithëpërfshirëse, transparente dhe të qëndrueshme.