Raportet 4 mujore të monitorimit të PSZ
Programi i Statistikave Zyrtare është dokumenti bazë që parashikon prodhimin e statistikave zyrtare nga Sistemi Kombëtar Statistikor të nevojshme për vëzhgimin e gjendjes ekonomike, shoqërore dhe mjedisore në Republikën e Shqipërisë. Monitorimi i ecurisë së programit është element shumë i rëndësishëm për garantimin e realizimit të aktiviteteve statistikore të parashikuara në dokument.
Ligji nr. 17/2018 “Për Statistikat Zyrtare” parashikon si një ndër instrumentet monitoruese raportimin periodik me bazë 4-mujore.
Raporti 4 - mujor mbi zbatimin e Programit të Statistikave Zyrtare (PSZ) përgatitet në bashkëpunim me agjencitë e tjera statistikore, të cilat japin informacion për modulet statistikore nën përgjegjësinë e tyre sipas programit. Raporti përmban në strukturën e tij një informacion të shkurtër të ecurisë së aktiviteteve statistikore të planifikuara për secilën fushë. Ecuria e aktiviteteve statistikore monitorohet nëpërmjet raportimit të zbatimit të afateve të katër fazave kryesore të prodhimit statistikor si grumbullimi, përpunimi, publikimi dhe transmetimi i të dhënave në Eurostat. Gjithashtu, për çdo aktivitet përcaktohet niveli i të dhënave si dhe përputhshmëria me Eurostat. Për çdo fushë statistikore raportohen edhe aktivitetet statistikore për të cilat të dhënat nuk janë grumbulluar, përpunuar apo publikuar në kohë, shoqëruar me arsyen e moszbatimit të afateve. Pjesë e raportimit janë dhe aktivitetet statistikore nga të cilat nuk prodhohen të dhëna statistikore si dhe aktivitetet e parealizuara gjatë periudhës së raportimit.
Raportet 4 - mujore për ecurinë e Planit Vjetor për zbatimin e PSZ janë dokumentet bazë të cilat paraqiten nga Drejtori i Përgjithshëm i INSTAT për Këshillin e Statistikave, dhe shërbejnë për hartimin e Raportit Vjetor, i cili i paraqitet Kuvendit të Shqipërisë.