Titulli i Projektit: IPA 2013 - Mbështetje për Përmirësimin e Sistemit të Informacionit Statistikor
Financuar nga: Bashkimi Europian, IPA 2013
Periudha e Zbatimit: 06/06/2016 – 05/09/2018
Përfituesi: Instituti i Statistikave, INSTAT
Agjencia Zbatuese: Ascenta dhe IN2
Projekti “Mbështetje për Përmirësimin e Sistemit të Informacionit Statistikor”, në kuadër të IPA 2013 ka si qëllim kryesor të kontribuojë në përmirësimin e qeverisjes dhe përgjegjshmërisë nëpërmjet politikave socio-ekonomike shqiptare, me një qasje më të mirë në statistika, të përafruara me legjislacionin Evropian.
Autoriteti kontraktues është Drejtoria e Përgjithshme e Financimit dhe Kontraktimit (CFCU) pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
Për arritjen e qëllimit kryesor, projekti përbëhet nga 3 komponentë:
Komponenti 1 – Ristrukturimi dhe përmirësimi i proceseve të statistikave të biznesit dhe rritja e kapaciteteve në prodhimin dhe përdorimin e statistikave të bujqësisë dhe forcave të punës.
Komponenti 2 – Zhvillimi dhe testimi i sistemit të infrastrukturës së Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) nëpërmjet ndërtimit të një sistemi qendror, Data Warehouse.
Komponenti 3 – Përmirësimi i funksioneve komunikuese dhe rolit koordinues të INSTAT me fokus në shpërndarjen dhe menaxhimin e cilësisë së informacionit.
Projekti do të zbatohet me asistencë teknike të ofruar nga ekspertë afatgjatë dhe afatshkurtër në vend si dhe organizimin e trajnimeve, seminareve dhe vizitave studimore. Të gjitha aktivitetet do të zbatohen me përqasjen në ndërtimin e kapaciteteve të qëndrueshme dhe transferimin e njohurive.