Takim i Komitetit të Prodhuesve të Statistikave Zyrtare

27 tet 2025

Më 27 Tetor 2025, INSTAT, si koordinator i Sistemit Kombëtar Statistikor, organizoi takimin e Komitetit të Prodhuesve të Statistikave Zyrtare në ambientet e Bankës së Shqipërisë. Pjesëmarrës në këtë takim ishin anëtarët e Komitetit: Znj Elsa Dhuli, Drejtor i Përgjithshëm i INSTAT, Znj Natasha Ahmetaj, Zv. Guvernatore e Bankës së Shqipërisë, Z. Endrit Yzeiraj, Z. Ministër i Financave dhe Z. Erlind Sulo, Drejtor i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore. Në mbledhje ishin të pranishëm edhe stafet ekperte të institucioneve respektive.

Takimi i Komitetit të Prodhuesve të Statistikave Zyrtare u zhvillua në kuadër të forcimit të bashkëpunimit dhe veprimtarisë koordinuese mes institucioneve pjesë të Sistemit Kombëtar Statistikor. Temat e diskutimit ishin kryesisht të natyrës informative duke synuar njohjen e anëtarëve të Komitetit mbi punën përgatitore që INSTAT ka ndërmarrë në lidhje me Projekt-Programin e Statistikave Zyrtare 2027 -2031. Ky Program do të përcaktojë strategjinë e zhvillimit të statistikave zyrtare dhe Sistemit Kombëtar Statistikor për periudhën pesëvjeçare dhe vendosjen e prioriteteve në çështjet e prodhimit statistikor. Nëpërmjet këtij Programi të gjithë prodhuesit e statistikave zyrtare do të fokusohen në furnizmin me tregues statistikorë sipas kërkesave më të fundit të përdoruesve dhe kërkesave të Eurostatit në kuadër të integrimit evropian. 

INSTAT informoi gjithashtu mbi përgatitjet që duhet të ndërmarrin institucionet anëtare të komitetit për ushtrimin e vlerësimit të “Peer Review 2026”. Misioni i Peer Review do të kryhet nga Eurostat në Mars 2026 dhe ka për qëllim të vlerësojë funksionimin e Sistemit Kombëtar Statistikor dhe zbatimin e parimeve të Kodit të Praktikës të Statistikave Evropiane, të përafruara me Ligjin nr. 17/20218 “Për statistikat zyrtare”. 

Po ashtu, pjesë e diskutimit në këtë takim ishte koordinimi i punës mbi forcimin e Statistikave Makroekonomike ndërmjet INSTAT, Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave me qëllim rritjen e koherencës dhe harmonizimit të të dhënave të kësaj fushe, sipas kërkesave dhe parashikimeve në closing benchmark mbi dorëzimin në kohë dhe me cilësi të tabelave të llogarive kombëtare në Eurostat.