Marrëveshje Bashkëpunimi midis INSTAT dhe ASPA
Më 24 shtator 2025, Instituti i Statistikave (INSTAT) dhe Shkolla Shqiptare e Administratës Publike (ASPA), nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi me qëllim zhvillimin e kapaciteteve të nëpunësve të administratës publike në fushën e statistikave zyrtare përmes organizimit të trajnimeve të integruara.
Kjo marrëveshje u firmos nga drejtuesit e këtyre dy institucioneve, Drejtorit të Përgjithshëm të INSTAT, znj. Elsa Dhuli dhe Drejtorit të Përgjithshëm të ASPA, z. Oltjon Muzaka.
Fushat kryesore të bashkëpunimit përfshijnë kombinimin e burimeve dhe ekspertizës për zhvillimin e trajnimeve të përbashkëta në fushën e statistikave, hartimin e kurrikulave të dedikuara për tematika statistikore për administratën publike, si edhe organizimin e përbashkët të trajnimeve për rritjen e kapaciteteve të nëpunësve të administratës publike dhe individëve të tjerë jashtë shërbimit civil, në fushën e statistikave.
Ky bashkëpunim synon jo vetëm të forcojë aftësitë profesionale të nëpunësve të administratës publike, por edhe të rrisë cilësinë e përdorimit të statistikave zyrtare.