Marrëveshje bashkëpunimi midis INSTAT dhe AKSK për mbrojtjen e të dhënave dhe forcimin e sigurisë kibernetike

23 sht 2025
Instituti i Statistikave

Instituti i Statistikave (INSTAT) nënshkroi më 23 shtator 2025 amendimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), me fokus të veçantë në mbrojtjen e të dhënave nga sulmet digjitale dhe rritjen e sigurisë së sistemeve të informacionit. Marrëveshja u firmos në praninë e Drejtoreshës së Përgjithshme të INSTAT, znj. Elsa Dhuli, dhe Drejtorit të Përgjithshëm të AKSK, z. Igli Tafa.

Në fjalën e saj, znj. Dhuli falënderoi Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike për mbështetjen e dhënë në momentet më të vështira për INSTAT, sidomos pas sulmit kibernetik të vitit 2024. Ajo theksoi se forcimi i sigurisë digjitale është një kusht themelor për besueshmërinë e statistikave zyrtare dhe një standard i domosdoshëm për Integrimin Evropian të vendit.

Nga ana e tij, z. Tafa shprehu gatishmërinë e AKSK për të mbështetur INSTAT dhe institucionet e tjera shtetërore jo vetëm kundër sulmeve kibernetike, por edhe kundër sulmeve hibride, të cilat synojnë destabilizimin e institucioneve dhe vendit tonë. Ai ofroi mundësinë e trajnimit të stafit të INSTAT për njohjen e rreziqeve dhe reagimin efektiv ndaj sulmeve kibernetike.