Aktivitet me nxënësit e shkollës “Turgut Ozal High School”
Në datën 26 Janar 2023, Instituti i Statistikave priti në ambientet e saj dy klasa me nxënës të klubit të “Ekonomisë” dhe nxënës të klubit “Global Perspectives” të shkollës “Turgut Ozal High School”, Tiranë.
Temat e diskutimit me nxënësit e klubit “Global Perspectives” u përqendruan tek tema e varfërisë, mënyra e matjes së varfërisë ndër vite duke paraqitur një historik lidhur me metodologjinë e përdorur deri në vitin 2012 (konkretisht në periudhat 2002, 2005, 2008 dhe 2012) bazuar në Anketën e Matjes së Nivelit të Jetesës (AMNJ) si dhe duke filluar nga viti 2017 e në vazhdim, metodologjinë që INSTAT përdor për matjen e varfërisë bazuar në anketën vjetore të të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës (AANJ).
Përfaqësues të Drejtorisë së Statistikave Sociale informuan nxënësit mbi konceptet bazë të këtyre anketave, metodologjitë e përdorura si dhe shpjegimin e konceptit të varfërisë monetare dhe asaj multidimensionale.
Ndërkohë, temat e diskutimit të nxënësve të klubit të “Ekonomisë” me Drejtorin e Prodhimit Statistikor, Drejtorin e Statistikave Ekonomike dhe Drejtorin e Llogarive Kombëtare ishin Sistemi Kombëtar Statistikor, të dhënat kyçe të ekonomisë si strukturat akomoduese, lëvizjet e shtetasve, lejet e ndërtimit etj., si dhe treguesit kyçë të llogarive kombëtare si PBB-ja për frymë, rritja e PBB-së bruto vjetore, struktura e PBB-së etj.