Nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Institutit të Statistikave dhe Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë (UMSH)

02 shk 2022 - 02 shk 2022
Tiranë

Nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Institutit të Statistikave dhe Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë (UMSH)

Ditën e sotme, në ambientet e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet INSTAT-it dhe këtij universiteti. Marrëveshja u nënshkrua nga titullarët e dy institucioneve. Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë nga INSTAT-i, Drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT-it,  Dr. Elsa Dhuli dhe drejtori i Drejtorisë së Koordinimit dhe Ҫështjeve Ligjore në INSTAT, Z. Maldi Dema. Nga UMSH morën pjesë rektori i UMSH Prof. Dr. Adrian Civici, dekani i fakultetit SHJMN Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, drejtoresha e Masterit Prof.As. Dr. Orkida Ilollari dhe drejtuese e kërkimit shkencor Dr. Luljeta Kodra.

Marrëveshja synon të përforcojë, promovojë dhe zhvillojë bashkëpunimin reciprok në interes të zhvillimit statistikor dhe mësimdhënies. Mbështetur në marrëveshje, INSTAT-i do t’ju mundësojë studentëve të UMSH, kryerjen e praktikës profesionale të parashikuar në planin mësimor, ndërkohë që UMSH do t’i mundësojë stafit të INSTAT-it mbajtjen e leksioneve për rritjen e njohurisë së fushës statistikore.

Gjithashtu, UMSH mori përsipër të aplikojë tarifa preferenciale për anëtarët e stafit të INSTAT-it të cilët do të ndjekin studimet në programet e studimit të UMSH. Palët do të realizojnë veprimtari të përbashkëta kërkimore, promovuese dhe marketingu, me qëllim rritjen e cilësisë, imazhit të institucioneve respektive si dhe do të zhvillojnë forume të përbashkëta, konferenca shkencore, simpoziume, seminare, etj.

Në fjalën e tij, prof. Civici theksoi se marrëveshja do të konsiderohet vetëm si hapi fillestar i një bashkëpunimi më të gjerë, në interes të përmirësimit të kurrikulave, metodave të studimit, projekteve zhvillimore të përbashkëta etj. Prof. Civici kërkoi nga INSTAT t’i mundësohet pedagogëve dhe studentëve aksesi dhe lehtësimi në përpunimin e të dhënave ndërkohë që shprehu vullnetin për t’i dedikuar INSTAT-it një ditë të veçantë për promovimin e publikimeve të tij në ambientet e universitetit.

Nga ana tjetër, Znj. Dhuli falenderoi Prof. Civicin dhe stafin e tij për vullnetin e shprehur në këtë marrëveshje. Ajo informoi të pranishmit mbi synimet e INSTAT-it për forcimin e marrëdhënieve me botën akademike për përmirësimin e metodologjive të prodhimit dhe rritjen e kuptueshmërisë së statistikave zyrtare të prodhuara. Gjithashtu, Drejtoresha e Përgjithshme informoi përfaqësuesit e universitetit për risitë e reja lidhur me infrastrukturën IT “SIMONA” të ngritur pranë INSTAT-it për lehtësimin e proceseve të aksesit në të dhënat mikro.

Të pranishmit shprehën interes për tu përfshirë në botimet e revistave “Kërkimi” dhe “Infostat”, si një instrument motivues për kërkuesit dhe element marketingu për prodhimet statistikore.