Kongresi i 4-t Botëror i Statistikave ISI 2023 16-20 korrik 2023 në Otava, Kanada

16 - 20 korr 2023
Otava, Kanada

Kongresi Botëror i Statistikave ISI (WSC) është Kongresi kryesor mbi Statistikat dhe Shkencën e të Dhënave në mbarë botën.

Ai mbahet çdo dy vjet, që nga viti 1887 nga Instituti Ndërkombëtar i Statistikave (ISI).  

Kongresi i 4-t Botëror i Statistikave ISI 2023, u mbajt më 16-20 korrik 2023 në Otava, Kanada ku morën pjesë më shume se 2000 delegatë, të përbërë nga studiues statistikorë, akademikë, analistë dhe politikëbërës, nga e gjithë bota për të ndarë njohuri mbi zhvillimin në shkencën statistikore dhe për të avancuar aplikimin e statistikave për zbulim, inovacion dhe vendimmarrje.

Në këtë kongres mori pjesë Drejtori i Përgjithshëm i INSTAT Znj. Elsa Dhuli dhe z. Klajd Shuka, Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve Mbështetese dhe Koordinimit.

Znj. Elsa Dhuli, Drejtor i Përgjithshëm i INSTAT, mori pjesë ne sesionin “Përfitimet e Bashkëpunimit të Shoqërive Kombëtare të Statistikave dhe Zyrës Kombëtare të Statistikave”, organizuar nga  Z. Stephen Penneck, President i ISI dhe Zyrtar Nderi për Statistikat Zyrtare në Shoqërinë Mbretërore të Statistikave.

Ky sesion diskutoi përfitimet si për shoqëritë kombëtare statistikore ashtu edhe për zyrat kombëtare statistikore dhe bashkëpunimin e ngushtë midis të dyjave.

Znj. Dhuli theksoi se Statistikat zyrtare janë thelbësore për zhvillimin e politikave dhe për vendimmarrjen e bazuar në prova, dhe zyrat kombëtare të statistikave luajnë një rol jetik në mbledhjen, analizimin dhe shpërndarjen e këtyre statistikave. Zyra e Statistikave nuk mund ta kryejë këtë rol e vetme; ndaj mbështetur në punën e saj nga bashkëpunime të ndryshme. Një nga bashkëpunimet më të rëndësishme në Shqipëri është ai me botën akademike. Përparësi të shumta mund të rezultojnë nga bashkëpunimi midis zyrës së statistikave dhe akademisë, duke promovuar simbiozë midis dy llojeve të ndryshme të organizatave.

Në këtë kongres, Znj Elsa Dhuli u zgjodh anëtare e Komitetit ekzekutiv të Shoqatës Ndërkombëtare për Statistikat Zyrtare, IAOS,  për periudhën 2023-2025 .

Gjithashtu në këtë kongres Znj. Vjollca Simoni, Përgjegjëse Sektori e Marrëdhënieve me Jashtë dhe Integrimit Evropian, organizoi 3 sesione në emër të Zyrës Federale Statistikore të Zvicrës, duke qënë pjesë e një shkëmbimi professional prej një periudhe 3 mujore pranë këtij Instituti, mbështetur nga Eurostat.