Konferenca “Dita Botërore dhe Evropiane e Statistikave: Statistika të Besueshme për Anëtarësimin në BE”

20 tet 2025 - 20 tet 2025

Me rastin e Ditës Botërore dhe Evropiane të Statistikave, Instituti i Statistikave (INSTAT) organizoi sot, më 20 Tetor 2025, Konferencën me temë “Statistika të Besueshme për Anëtarësimin në BE – Përparimi i Shqipërisë në Kapitullin 18: Statistikat drejt Integrimit Evropian.”

Ky aktivitet u zhvillua me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe mblodhi së bashku përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, të botës akademike, mediave, studentëve dhe aktorë të rëndësishëm të fushës së statistikave.

Në fjalën e hapjes, Drejtori i Përgjithshëm i INSTAT, znj. Elsa Dhuli, theksoi rëndësinë e kësaj dite si një moment reflektimi për rolin e statistikave zyrtare në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian:

“Kjo ditë na jep mundësinë të vlerësojmë kontributin e çmuar të statisticienëve dhe të theksojmë rëndësinë e të dhënave të besueshme në rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit evropian. Statistikat cilësore janë baza për politika të mbështetura në fakte dhe shifra. Kapitulli 18 ‘Statistikat’ është një ndër kapitujt themelorë të negociatave dhe përafrimi me Sistemin Evropian Statistikor na nxit të përmirësojmë vazhdimisht vetveten. Besimi në statistikat zyrtare është i domosdoshëm për aderimin në BE.”

Në vijim, mbajtën fjalën e tyre përshëndetëse Sh.S. znj. Ruth Huber, Ambasadore e Zvicrës në Shqipëri, z. Adrian Kamenica, Drejtor i Përgjithshëm i Departamentit të Politikës dhe Integrimit Evropian në Kryeministri dhe znj. Ritva Heikkinen, Shefe e Bashkëpunimit të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Pjesë e rëndësishme e Konferencës ishte diskutimi i hapur me panelistët znj. Milva Ekonomi, Kryetare e Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, znj. Argita Frashëri, Drejtore e Departamentit të Statistikave Financiare, Banka e Shqipërisë, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, Rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe Prof. Asoc. Dr. Bernard Dosti, Dekan i Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës.

Diskutimet u fokusuan në rolin e statistikave zyrtare në hartimin dhe zbatimin e politikave publike gjithëpërfshirëse, në forcimin e bashkëpunimit mes INSTAT dhe institucioneve të tjera shtetërore dhe akademike, si dhe në rëndësinë e edukimit statistikor për përgatitjen e profesionistëve të rinj që do të kontribuojnë në procesin e Integrimit Evropian të vendit.

Në vijim të aktivitetit, u mbajtën dy prezantimet me tema kryesore “Kapitulli 18 – Statistikat: Rruga drejt Anëtarësimit”, nga znj. Vjollca Simoni, Drejtore e Drejtorisë së Integrimit Evropian dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë INSTAT dhe “INSTAT GeoData Hub / ËebGIS Platforma”, nga znj. Helda Mitre, Drejtore e Drejtorisë së Përgjithshme të Teknologjisë së Informacionit dhe Mbledhjes së të Dhënave në INSTAT.

Dita Botërore dhe Evropiane e Statistikave është një iniciativë ndërkombëtare që synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi rolin kyç të statistikave të besueshme në zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë dhe në ndërtimin e politikave të bazuara në fakte.