Instituti i Statistikave nderohet me çmimin prestigjioz "ESRI SAG AWARDS 2025"

16 korr 2025
San Diego, SHBA

Instituti i Statistikave, në kuadër të strategjisë së publikimit të të dhënave të Censit 2023 dhe forcimit të statistikave rajonale, ka zhvilluar dy platforma të reja për shpërndarjen e informacionit statistikor dhe gjeografik: “Geodata Hub” dhe “WebGIS”.

Falë këtyre platformave, INSTAT ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt ofrimit të informacionit më pranë përdoruesve, duke kaluar nga mënyrat tradicionale të shpërndarjes në përdorimin e teknologjive më të avancuara. Të gjithë përdoruesit mund të aksesojnë lehtësisht informacionin dhe të shkarkojnë të dhënat e nevojshme.

  • Geodata Hub (INSTAT GeoData Hub) është platforma online e të dhënave gjeohapësinore të INSTAT-it, që ofron informacion të përmbledhur për Censet e Shqipërisë 2011 dhe 2023 sipas njësive administrative, bashkive dhe qarqeve. Një seksion i dedikuar përfshin gjithashtu statistikat rajonale për periudhën 2022–2024, me fokus te bashkitë.
  • WebGIS (Web GIS | INSTAT GeoData Hub) është një sistem online i informacionit gjeografik, i bazuar në aplikacione web. Platforma ofron vizualizimin e të dhënave statistike përmes hartave të ndryshme, si dhe mundësi për analizim, shkarkim dhe ndarje të tyre. Në të janë paraqitur të dhënat e Censit në tri nivele gjeografike, të dhënat rajonale në nivel bashkie, si dhe tregues të veçantë në nivel rrjeti qelizash 1 km².

Për këto arritje në vizualizimin dhe shpërndarjen e informacionit statistikor e gjeografik, INSTAT u vlerësua me një çmim të veçantë në konferencën vjetore “ESRI User Conference”, të mbajtur në San Diego (SHBA).

Çmimi iu dorëzua znj. Elsa Dhuli, Drejtore e Përgjithshme e INSTAT, nga z. Jack Dangermond, themelues dhe president i ESRI, si një vlerësim për përkushtimin dhe arritjet e INSTAT në avancimin e përdorimit të të dhënave gjeohapësinore në statistikat zyrtare.