Instituti i Statistikave i paraqiti Kuvendit të Shqipërisë, Raportin Vjetor për vitin 2023

18 korr 2024 - 18 korr 2024
Kuvendi i Shqipërisë

INSTAT si një institucion i pavarur, profesional dhe koordinator i Sistemit Kombëtar Statistikor, në respektim të Kushtetutës së Shqipërisë, parimeve themelore të statistikave zyrtare dhe kodit të praktikave të statistikave evropiane, paraqiti pranë Kuvendit të Shqipërisë veprimtarinë performuese dhe statistikore për vitin 2023. Në të gjithë fushat statistikore INSTAT ka patur realizim dhe arritje të objektivave, si nga ana e programit të statistikave zyrtare, ashtu edhe në drejtim të performancës në nivel sistemi.

Viti 2023 ishte viti i realizimi të Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023, ku profesionalizmi dhe arritja e objektivave dominuan këtë aktivitet statistikor madhor. INSTAT informoi se një rol domethënës në këtë aspekt e ka dhënë qeveria shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë si BE, Agjencitë e Kombeve të Bashkuara, qeveria zvicerane, qeveria suedeze etj.

INSTAT, në vijim raportoi mbi:

  • Zbatimin e gjashtë objektivave strategjikë dhe aktiviteteve në kuadër të PSZ;
  • Frymën e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të veprimtarive brenda Sistemit Kombëtar Statistikor në drejtim të zbatimit të parimeve themelore të statistikave;
  • Rritjen e indekseve të besueshmërisë së publikut në statistika dhe cilësisë së tyre, ku, nga të dhënat e anketës së kënaqësisë së përdoruesve rezulton se cilësia statistikore është vlerësuar me 4.18 pikë, ndërsa besueshmëria në statistika 4.04 pikë nga niveli maksimal prej 5 pikësh.
  • Në kuadër të procesit për integrimin evropian, kapitulli 18 “Statistikat”,  INSTAT raportoi suksesin e aktiviteteve vlerësuese dhe përafruese drejt standardizimit evropian në fushën statistikore;
  • INSTAT, gjithashtu informoi Kuvendin mbi aktivitetet që ka kryer në nivel kombëtar e ndërkombëtar për hartimin e strategjive, raporteve të monitorimit si dhe pjesëmarjen në grupet e niveleve të larta.

Në vazhdim të seancës, Drejtori i Përgjithshëm i INSTAT, Znj. Elsa Dhuli iu përgjigj një numri të konsiderueshëm pyetjesh të deputetëve të cilat kishin të bënin me aktivitetet e kryera në kuadër të Censit të Popullsisë dhe Banesave dhe respektimit të standardeve evropiane për kryerjen e tij.