Dita e INSTAT në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë
Në datën 01 Prill 2022, Instituti i Statistikave në bashkëpunim me Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë organizuan aktivitetin "Dita e INSTAT" në ambientet e këtij universiteti.
Në këtë aktivitet, studentët dhe pedagogët u njohën me botimet e reja të Institutit të Statistikave, ku përfaqësuesit e INSTAT theksuan synimin për të rritur gamën dhe cilësinë e produkteve statistikore për përdoruesit dhe politikëbërësit.
Të pranishëm në takim ishin Drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT-it, Znj. Elsa Dhuli, përfaqësues të institucionit dhe drejtuesit e UMSH. Në fjalën hapëse të aktivitetit Znj. Dhuli theksoi se misioni i INSTAT-it është të prodhojë statistika asnjëanëse, transparente dhe të përditësuara, të cilat ndihmojnë në gjykimin e përdoruesve mbi proceset e zhvillimit e transformimit në fushat ekonomiko-sociale brenda vendit. Nga ana e UMSH fjala u mbajt nga rektori i UMSH profesor Adrian Civici, i cili vlerësoi rëndësinë që publikimet e INSTAT kanë për punën shkencore të pedagogëve dhe studentëve të UMSH. Disa kopjo të këtyre botimeve u bënë pjesë e fondit të botimeve në bibliotekën e UMSH.
Qëllimi i këtij aktiviteti është të sjellë statistikat zyrtare pranë publikut të gjerë dhe të informojë mbi rëndësinë e tyre në marrjën e vendimeve dhe monitorimin e politikave për zhvillimin e shoqërisë.
Ky aktivitet ishte i hapur për të gjithë pedagogët dhe studentët e këtij universiteti që dëshirojnë të njihen më shumë dhe të jepin kontributin e tyre në përmirësimin e sistemit statistikor në Shqipëri.