Anketa e Migracionit pranë Familjeve dhe Studimin Cilësor mbi Migracionin
INSTAT, Banka Botërore, IOM dhe GIZ prezantuan sot gjetjet e Anketës së dytë të Migracionit pranë Familjeve (Household Migration Survey – HMS) dhe të Studimit Cilësor Plotësues “Sfidat dhe Mundësitë në Integrimin e të Kthyerve dhe Angazhimin e Diasporës në Shqipëri”, duke forcuar më tej të dhënat kombëtare mbi dinamikat e migracionit, modelet e lëvizshmërisë dhe lidhjet me zhvillimin e vendit.
Eventi i prezantimit mblodhi së bashku Institutin e Statistikave (INSTAT), Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), Agjencinë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) dhe Bankën Botërore, si dhe përfaqësues nga institucionet kombëtare, bashkitë, partnerët për zhvillim, akademia, shoqëria civile dhe media.
E udhëhequr nga INSTAT dhe Banka Botërore, Anketa e Migracionit pranë Familjeve ofron të dhëna përfaqësuese në nivel kombëtar mbi tendencat e migracionit, kthimin, remitancat dhe lëvizshmërinë në nivel familjar.
Sipas rezultateve, rreth 37 për qind e familjeve shqiptare kanë të paktën një anëtar që ka migruar, qoftë aktualisht jashtë vendit apo i kthyer nga emigracioni. Rreth 22 për qind e familjeve kanë anëtarë aktualisht jashtë Shqipërisë, ndërsa 20 për qind kanë të paktën një migrant të kthyer.
Në plotësim të Anketës, Studimi Cilësor i udhëhequr nga IOM në bashkëpunim me GIZ, analizon se si migracioni, kthimi dhe angazhimi i diasporës përjetohen dhe menaxhohen nga individët, familjet, autoritetet vendore dhe institucionet në mbarë vendin.