Takimi i 8-të i Ekspertëve mbi Statistikat për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG)
Në datat 15-17 Tetor 2024, u organizua për herë të parë Workshopi dhe Takimi i 8-të i Ekspertëve mbi Statistikat për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm dedikuar ekspertëve nga zyrat statistikore kombëtare, organizatat ndërkombëtare dhe palët e tjera të interesuara që merren me prodhimin, komunikimin dhe koordinimin e raportimit të statistikave për SDG-të.
Ky takim organizuar nga Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE) dhe me bashkëorganizues INSTAT, mblodhi rreth 75 pjesëmarrës, ekspertë nga më shumë se 33 vende Shtetet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Perëndimore, Shtetet e Azisë Qendrore dhe disa shtete nga Afrika dhe Amerika Veriore, si dhe mbi 20 organizata ndërkombëtare.
Temat kryesore të diskutuara ishin mësimet e nxjerra nga prodhimi i statistikave për SDG-të, mbivendosja e programeve dhe e ardhmja e monitorimit të zhvillimit të qëndrueshëm. Gjithashtu takimi u fokusua në çështje strategjike si dhe shërbeu si një platformë për të ndarë përvoja, praktika të mira dhe mësime të nxjerra; për të paraqitur zgjidhje inovative ndaj sfidave të hasura; dhe për të identifikuar prioritetet për punën e ardhshme metodologjike dhe zhvillimin e kapaciteteve në këtë fushë. Gjatë takimit INSTAT mbajti fjalën e hapjes ku uroi mirëseardhjen dhe theksoi rëndësinë e këtij takimi si dhe ndau eksperiencën e tij në angazhimin mbi Agjendën 2030 për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. Gjithashtu në kapacitetin e bashkryetares së Grupit të Lartë për Partneritetin, Koordinimin dhe Ndërtimin e Kapaciteteve për Statistika për Agjendën 2030 (HLG-PCCB), Znj. Elsa Dhuli, Drejtor i Përgjithshëm i INSTAT, prezantoi një raport informues që detajonte punën e rëndësishme të kryer nga grupi në përgatitje për Forumin Botëror të të Dhënave të OKB-së, i cili do të mbahet në Medelin Kolumbi në muajin Nëntor 2024. Takimi vijoi dhe me Takimin Vjetor të Grupit Drejtues të SDG-ve deri më datë 18 Tetor, ku Shqipëria është anëtar dhe në të cilin u diskutua puna në vijim e këtij grupi.