Konferenca rajonale “Përshpejtimi i Progresit drejt Zhvillimit Gjithëpërfshirës përmes Statistikave Gjinore”
Në 25–26 korrik 2024, në Tbilisi të Gjeorgjisë u mbajt konferenca rajonale “Përshpejtimi i Progresit drejt Zhvillimit Gjithëpërfshirës përmes Statistikave Gjinore”, e organizuar nga GEOSTAT (Zyra Kombëtare e Statistikave të Gjeorgjisë) dhe UN Women
Në këtë event morën pjesë mbi 60 ekspertë të lartë nga zyrat statistikore kombëtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor përfshirë Shqipërinë, Turqinë, Europën Lindore, Kaukazin dhe Azinë Qendrore, ekspertë kërkimorë dhe vendimmarrës nga organizata ndërkombëtare, me fokus në përdorimin e të dhënave gjinore për politikat e bazuara në evidencë.
Shqipëria u përfaqësua nëpërmjet znj. Elsa Dhuli, Drejtor i Përgjithshëm i INSTAT, e cila ndau eksperiencën e Shqipërisë në sesionin “Qeverisja e të Dhënave Gjinore për Marrje Efikase të Vendimeve” me prezantimin mbi “Menaxhimi i të Dhënave në Ndërtimin e Ekosistemit Kombëtar të të Dhënave Gjinore”. Znj. Elona Sevrani, Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Prodhimit Statistikor në sesionin “Matja e Hendekut Gjinor në të Ardhura” prezantoi eksperiencën e Shqipërisë në “Matjen e Hendekut Gjinor në Paga përmes Anketës së Ndërmarrjeve”.