Konferenca IAOS-ISI 2024

15 - 17 maj 2024
Mexico City

Pjesëmarrja në Konferencën IAOS-ISI 2024 në Mexico City, me temë “Përmirësimi i vendimmarrjes për të gjithë”, 15 - 17 maj 2024. Konferenca u organizua nga Instituti Kombëtar i Statistikave dhe Gjeografisë të Meksikës (INEGI), Shoqata Ndërkombëtare e Statistikave Zyrtare (IAOS) dhe Instituti Ndërkombëtar i Statistikave (ISI). Qëllimi i kësaj konference ishte ndërtimi i urava të reja bashkëpunimi rreth të dhënave të bazuar në vlera dhe besim. Delegacioni shqiptar mori pjesë në sesione dhe takime të ngushta, duke kontribuar në diskutimet mbi të ardhmen e statistikave. Nga takimet që vlen të përmendet ishte takimi me Z. Jack Dangermond, President i ESRI, fondacion me të cilin INSTAT bashkëpunon në fushën e gjeoinformacionit si dhe me Z. Luis Felipe López-Calva, Drejtor Global për Varfërinë dhe Barazinë në Bankën Botërore. Gjatë konferencës u theksua roli i statistikave si një e mirë publike tek e cila të gjithë përdoruesit mbështeten për të marrë vendime të informuara. Temat kryesore që u diskutuan në konferencë përfshijnë sfidat dhe risitë në prodhimin e të dhënave, adresimin e nevojave të reja për të dhëna dhe palëve të interesuara, rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve, duke mos lënë askënd pas prej disagregimit të detajuar dhe numërimit, dhe normalitetin e ri të burimeve alternative për të dhëna dhe teknologjive të reja. Edukimi për statistikat dhe përdorimi i teknologjive moderne u theksuan si elementët thelbësorë në prodhimin dhe shpërndarjen e informacionit statistikor. U nënvizua në mënyrë të vecantë rëndësia e pajisjes së brezit të ardhshëm me edukim statistikor dhe aftësi për të lundruar në botën digjitale. Konferenca gjithashtu theksoi rolin e teknologjisë në përmirësimin e saktësisë, qëndrueshmërisë dhe aksesueshmërisë së të dhënave statistikore. Pjesëmarrja e delegacionit në konferencë nënvizon përkushtimin e Institutit Kombëtar të Statistikave të Shqipërisë për përmirësimin e proceseve të vendimmarrjes përmes përdorimit të të dhënave të besueshme, dhe për të inkurajuar një mjedis ku edukimi dhe teknologjia janë në pararojë të praktikave statistikore.