Konferenca e 4-t Ndërkombëtare për Financimin e Zhvillimit (FfD4)
Delegacioni shqiptar përmbyll me sukses pjesëmarrjen në Konferencën e 4-t Ndërkombëtare për Financimin e Zhvillimit (FfD4) e cila u zhvillua në datat 30 Qershor – 4 Korrik në Sevilje, Spanjë.
INSTAT, si pjesë e delegacionit kombëtar, kontribuoi aktivisht në diskutimet globale duke theksuar rolin qendror të të dhënave dhe statistikave në nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm, hartimin e politikave të informuara dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Një nga momentet kryesore për Shqipërinë ishte pjesëmarrja në aktivitetin “Investimi në të Dhëna: Nxitja e Zhvillimit”, ku znj. Elsa Dhuli, Drejtore e Përgjithshme e INSTAT dhe bashkëkryetare e Grupit të Nivelit të Lartë për Partneritet, Koordinim dhe Ndërtim Kapacitetesh për Statistikat (HLG-PCCB), mbajti fjalën kryesore mbi Kuadrin e Veprimit të Medellín për të Dhënat për Zhvillim të Qëndrueshëm, duke treguar kështu dhe angazhimin e Shqipërisë për forcimin e sistemeve kombëtare të të dhënave.
Konferenca shënoi gjithashtu lançimin zyrtar të Platformës së Veprimit të Seviljes, një nismë globale që synon forcimin e sistemeve të të dhënave për financim të qëndrueshëm dhe garantimin që të dhënat cilësore dhe të detajuara të mbeten në qendër të përpjekjeve për zhvillim.
“Compromiso de Sevilla”, dokumenti i miratuar nga konferenca, e njeh të dhënën si një aset strategjik dhe thekson nevojën për të vijuar investimet në sistemet kombëtare statistike, për të mundësuar vendimmarrje efektive, llogaridhënie dhe transparencë.
Në këtë konferencë të nivelit të lartë, liderët globalë theksuan sërish se të dhënat dhe statistikat cilësore janë të pazëvendësueshme për zhvillimin e qëndrueshëm, qeverisjen efektive dhe bashkëpunimin global. Kjo është një kujtesë e rëndësishme dhe në kohën e duhur se puna jonë si statisticienë është më e rëndësishme se kurrë më parë, si për zhvillimin kombëtar, ashtu edhe për të ardhmen tonë evropiane.
INSTAT mbetet i përkushtuar të punojë me partnerët në nivel kombëtar, rajonal dhe global për të garantuar që të dhënat të vijojnë të jenë motor i zhvillimit të qëndrueshëm dhe të kontribuojë në mënyrë aktive në nisma si Platforma e Veprimit të Seviljes.