Burrat dhe Gratë në Shqipëri 2020
Parathënie dhe falënderime “Burrat dhe Gratë në Shqipëri, 2020” “Burrat dhe Gratë në Shqipëri” është një publikim me periodicitet vjetor, i cili paraqet të dhëna në fusha të ndryshme të jetës të ndara sipas gjinisë, me qëllim reflektimin e problematikave të shoqërisë në kuadër të arritjes së barazisë gjinore. Kapitujt e përfshirë në këtë botim, pasqyrojnë fusha të ndryshme të të dhënave me bazë gjinore të cilat janë përpunuar dhe vendosur në kontekst nga stafi i INSTAT duke i bërë ato më të lehta dhe të kuptueshme për publikun e gjerë. Statistikat dhe treguesit e prezantuar në këtë publikim do t’u shërbejnë politikëbërësve, botës akademike, shoqërisë civile dhe përdoruesve të ndryshëm për të analizuar në një kontekst të gjerë zhvillimet gjinore në Shqiprëri. Qëllimi kryesor i publikimit është të paraqesë të dhëna të ndara sipas gjinisë, duke synuar që statistikat jo vetëm të mblidhen, analizohen dhe prezantohen sipas gjinisë, por dhe të reflektojnë problematikat e shoqërisë për monitorimin e politikave ndër-sektoriale mbi arritjen e barazisë gjinore. Risi në publikimin e këtij viti janë 2 kapituj të rinj, treguesit sipas gjinisë nga anketat sociale në familje edhe treguesit mbi të drejtat e njeriut. Publikimi gjithashtu përmban Indeksin e Pabarazisë Gjinore dhe Setin Minimal të Treguesve Gjinorë, i cili përfshin 52 tregues të përcaktuar nga Komisioni Statistikor në bashkëpunim me UN Women për matjen e treguesve gjinore, nga të cilët 22 janë tregues të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Për të arritur në këtë publikim kaq të plotë të treguesve gjinorë dua të falënderoj të gjithë stafin e INSTAT.
