Tryeza e Diskutimit Statistikat
Shprehje interesi “Tryeza e Diskutimit Statistikat”
Instituti i Statistikave, INSTAT është institucioni i cili mbulon fushën e Statistikave Zyrtare.
Kapitulli 18 “Statistikat”, është pjesë e kapitujve themelorë të grupit të parë (cluster) të cilat sipas metodologjisë së re të Komisionit Evropian, do të shqyrtohen të parët.
Në kuadrin e veprimtarive për integrimin evropian, INSTAT është institucioni përgjegjës për përputhshmërinë e akteve komunitare të parashikuara në Kapitullin 18 “Statistikat”, në bashkëpunim me agjensitë statistikore Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave.
Aktet komunitare (acquis communitare) në fushën e statistikave përbëhen nga legjislacioni i cili është direkt i zbatueshëm në Shtetet Anëtare të KE, siç janë Rregulloret e Parlamentit Evropian, Rregulloret e Këshillit Evropian, Vendimet e tyre dhe Rregulloret e Komisionit Evropian. Aktet komunitare mbi statistikat përmbajnë gjithashtu një gamë të gjerë të udhëzuesve metodologjikë në fusha të ndryshme statistikore si politikat ekonomike dhe monetare, statistikat demografike dhe sociale, statistikat sektoriale si Bujqësia, Energjia, Transporti, Turizmi, etj, si dhe inovacioni apo teknologjia e informacionit. Standardet ndërkombëtare si parimet themelore të statistikave dhe kodi i praktikave të statistikave evropiane ofrojnë parimet bazë mbi të cilat duhet të mbështetet prodhimi dhe përhapja e statistikave zyrtare.
Në mbështetje të VKM nr.749,datë 19.12.2018, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e strukturës shtetërore përgjegjëse për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e traktatit të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, Urdhrit të Kryeministrit Nr. 94, date 20.5.2019 “Për ngritjen, përbërjen dhe funksionimin e grupeve ndërinstitucionale të punës për Integrimin Evropian” si dhe të Urdhërit të Kryeministrit Nr.113, Datë 30.08.2019, për "Format e pjesëmarrjes, funksionimin dhe strukturën institucionale të Platformës së Partneritetit për integrimin Evropian", bëhet ky njoftim për të qenë pjesëmarrës në diskutimet dhe këshillimet e Tryezës së Diskutimit dhe Këshillimit të Platformës së Partneritetit për Integrimin Evropian për Kapitullin 18 - Statistikat.
Qëllimi kryesor i kësaj Tryeze të Diskutimit dhe Këshillimit të Platformës së Partneritetit për Integrimin Evropian, është të diskutojë, të shqyrtojë dhe të ndërmarrë qëndrime dhe rekomandime drejtuar Sekretariatit të Integrimit Evropian e strukturave të tjera përgjegjëse në procesin e integrimit evropian, për çështjet e Statistikave.
Të gjithë anëtarët e strukturave jo-shtetërore, që duan të jenë pjesë e diskutimeve dhe këshillimeve të kësaj Tryeze të Diskutimit dhe Këshillimit të Platformës së Partneritetit për Integrimin Evropian, duhet të përfaqësojnë një nga grupimet e mëposhtme:
Organizatat e shoqërisë civile,
Pushteti vendor,
Komuniteti i biznesit,
Shoqata e punëmarrësve,
Bota akademike, qendrat kërkimore,
Media,
Grupe të tjera interesi.
Të gjithë anëtarët e strukturave jo-shtetërore, ftohen të dërgojnë brenda 30 ditëve nga shpallja e institucionit përgjegjës për kryesimin e kapitullit, formularin e plotësuar të aplikimit, ku të përcaktohet qartë përvoja, si dhe interesi për të qenë pjesë e Tryezës së Diskutimit dhe Këshillimit të Platformës së Partneritetit për Integrimin Evropian, në adresat e postës elektronike: vsimoni@instat.gov.al; xhalbrahimi@instat.gov.al;
Formatin e aplikimit e gjeni sipas linkut bashkëngjitur: Formular Aplikimi
Personat e përzgjedhur dhe ata të skualifikuar, së bashku me arsyet e skualifikimit, do të njoftohen përmes adresës së postës elektronike brenda dates 20.04.2026.
INSTAT do të shqyrtojë aplikimet e dorëzuara ku më pas do të bëjë dhe njoftimet përkatëse individualisht. Bashkëngjitur ftesës ndodhen baza përkatëse ligjore ku vepron Instituti i Statistikave, të cilën mund ta gjeni edhe në këtë link /sq/rreth-nesh/legjislacioni/ Ndërkohë, për më tepër informacion në lidhje me veprimtarinë e INSTAT, lutemi të konsultoheni me faqen zyrtare të Institutit të Statistikave /sq/rreth-nesh/ne-jemi-instat/.