Takim i Drejtorit të Përgjithshëm INSTAT me Kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë
Drejtori i Përgjithshëm i INSTAT, znj. Elsa Dhuli dhe anëtarja e Njësisë së Koordinimit për Cens 2023, znj. Helda Mitre, kanë realizuar një takim me kryetarin e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, z. Haxhi Bujar Spahia, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, në kuadër të nisjes së aktivitetit të Censit të Popullsisë dhe Banesave, proces i cili do të fillojë më 18 Shtator 2023.
Në këtë takim u sollën në vëmendje disa aspekte kyçe si pyetësori i Censit dhe trajtimi i pyetjeve lidhur me përkatësinë fetare, përfitimet që vijnë nga kryerja e Censit nga pikëpamja e llojit të informacionit statistikor që ai mbledh, si dhe rëndësia që Cens mbart duke siguruar një bazë të fortë të dhënash socio-ekonomike të cilat do të ndihmojnë politikëbërësit në vendimmarrje dhe politikat e zhvillimit.