Nis trajnimi i anketuesve për Cens 2023 në Shqipëri
Më 4 Shtator 2023 ka nisur trajnimi i punonjësve të terrenit (anketuesve) i cili do të zgjasë deri më 8 Shtator 2023.
Në Republikën e Shqipërisë po trajnohen 5240 anketues të cilët do të trokasin në çdo derë për të grumbulluar informacionin e nevojshëm mbi Popullsinë dhe Banesat në vend!
Anketuesit po trajnohen mbi Metodologjinë, Logjistikën, Komunikimin, Gjeoinformacionin (GIS) dhe Teknologjinë e Informacionit (TI) në kuadër të Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023.
Roli i anketuesit në procesin e Censit është thelbësor dhe ndikon drejtpërdrejtë në suksesin e mbledhjes së të dhënave statistikore të popullsisë.
Anketuesit janë persona të autorizuar që Instituti i Statistikave i ka rekrutuar dhe tani po i trajnon me të gjitha modulet e domosdoshme për të kryer një punë të saktë dhe të plotë në terren.
Përpos plotësimit të pyetësorit dhe mbledhjes së të dhënave në çdo Njesi Ekonomike Familjare, anketuesi ka përgjegjësi të sqarojë çdo individ që ka paqartësi apo pyetje rreth censit dhe qëllimit të tij.
Anketuesi ka për detyrë të sigurojë çdo qytetar se përgjigjet e grumbulluara në tabletë nga ata, do të transferohen elektronikisht në INSTAT dhe do të kodohen menjëherë në mënyrë që asnjë subjekt të mos jetë i identifikueshëm. Kjo procedurë zbatohet në mbështetje të ligjit 140/2020 “Për censin e popullsisë dhe të banesave” i cili citon se të dhënat e grumbulluara nga censi janë konfidenciale dhe mbrohen sipas legjislacionit në fuqi për statistikat zyrtare dhe legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale.