Popullsia

Përllogaritjet e popullsisë banuese më 1 Janar të çdo viti janë konsistente me definicionin standard të UN për vlerësimin e popullsisë, i cili bazohet në konceptin e vendbanimit të zakonshëm. Sipas këtij definicioni përfshihen në popullsinë banuese të një viti, të gjithë ata persona që banojnë ose kanë si qëllim të banojnë në vend për të paktën 12 muaj, pavarësisht shtetësisë së tyre.

Popullsia banuese disagregohet sipas moshës dhe gjinisë si dhe sipas qarqeve.

Popullsia mesatare: është numri i banorëve në një zonë të cakuar në mesnatën e 30 Qershorit dhe 1 Korrikut të një viti të caktuar.

Popullsia mesatare përdoret si bazë për llogaritjen e indikatorëve demografik, por edhe atyre social edhe ekonomik.

Raporti i Cilësisë
Publikimi i radhës
Popullsia e Shqipërisë, 1 Janar 2024

Kalendari

Nuk ka evente në kalendar për këtë temë
Na kontaktoni
Rr. Vllazën Huta, Ndërtesa 35,
Hyrja 1, Tiranë, Kodi Postar 1017
Tel:
+355 4 2222 411
Fax:
+355 4 2228300
info@instat.gov.al
media@instat.gov.al

Përllogaritjet vjetore të popullsisë bazohen në metodën e komponentit të gjeneratës. Kjo është një metodë standarte demografike, e cila përdor një sërë burime të dhënash për komponentët bazë të ndryshimit të popullsisë. Komponentët kryesorë të ndryshimit të popullsisë janë përmbledhur si më poshtë vijon:

  1. Shtesa Natyrore (lindjet dhe vdekjet)

Si pikënisje për përllogaritjen e popullsisë banuese u konsiderua numri i popullsisë banuese që më 1 Janar të vitit të mëparshëm. Kjo popullsi është rritur me një vit. Lindjet gjatë periudhës 12 mujore i janë shtuar popullsisë sipas gjinisë, ndërsa vdekjet janë zbritur respektivisht sipas moshës dhe gjinisë dhe sipas zonës së banimit në rastin tonë (qarkut).

  1. Migracioni Neto

Lëvizjet e njerëzve që hyjnë dhe dalin nga vendi (migracioni ndërkombëtar), është komponenti më i vështirë për tu matur, duke qenë se Shqipëria nuk ka ende një regjistër popullsie. Në këtë mënyrë ne përdorim të dhënat më të mira ‟proxy‟ për vlerësimin e migracionit, duke u bazuar kryesisht në të dhënat e mbledhura nga moduli i migracionit nëpërmjet anketës së forcave të punës kombinuar me koeficientët e projeksioneve të popullsisë 2011-2031.

  1. Lindjet

Ndryshimi në popullsi si pasojë e lindjeve Lindjet në Shqipëri që ndodhin nga 1 Janari në 31 Dhjetor të vitit të kaluar, i shtohen popullsisë zero vjeç sipas gjinisë dhe i shpërndahen qarkut ku lindja është regjistruar në zyrën e gjendjes civile.

Të dhënat e lindjeve

Të dhënat e indjeve sipas gjinisë sigurohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, e cila dërgon në INSTAT vetëm numrin e lindjeve të banuesve në Shqipëri. INSTAT konsideron ato lindje që ndodhin ose jo në Shqipëri por që vendbanimi i prindërve është në Shqipëri dhe regjistrimi i lindjes është kryer në zyrën e gjendjes civile pranë vendbanimit të prindërve.

Regjistrimet e vona të lindjeve

Bëjmë një rregullim të vogël të numrit të lindjeve që regjistrohen vonë për vitin aktual, në mënyrë që të përfshijmë të gjitha lindjet e ndodhura në periudhën referencë. Numri i lindjeve të regjistruara vonë në vitin e mëparshëm janë konsideruar si një proxy për regjistrimet e vona të vitit aktual, duke konsideruar supozimin (si rezultat edhe i analizave tona të vazhdueshme) që numri i regjistrimeve të vona të lindjeve nuk ndryshon shumë nga viti në vit.

  1. Vdekjet

Ndryshimet në popullsi si pasojë e numrit të vdekjeve Vdekjet e regjistruara në Shqipëri midis 1 Janari në 31 Dhjetor të vitit të kaluar, i zbriten popullsisë sipas gjinisë dhe moshës dhe qarkut të vendbanimit. Të dhënat e vdekjeve Të dhënat e vdekjeve sigurohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile sipas karakteristikave bazë demografike. Konsiderohen të gjitha vdekjet e banuesve në Shqipëri gjatë periudhës referencë, duke mos marrë parasysh vdekjet e banuesve jashtë Shqipërisë (emigantëve) edhe pse mund të regjistrohen në zyrat e gjendjes civile pranë ish-vendbanimeve të tyre.

Regjistrimet e vona të vdekjeve

Bëjmë një rregullim të vogël të numrit të vdekjeve që regjistrohen vonë për vitin aktual, në mënyrë që të përfshijmë të gjitha vdekjet e ndodhura në periudhën referencë. Numri i vdekjeve të regjistruara vonë në vitin e mëparshëm janë konsideruar si një proxy për regjistrimet e vona të vitit aktual, duke konsideruar supozimin (si rezultat edhe i analizave tona të vazhdueshme) që numri i regjistrimeve të vona të vdekjeve nuk ndryshon shumë nga viti në vit.

  1. Lëvizjet e brendshme

Lëvizjet e popullsisë brenda territorit të vendit, gjithashtu sigurohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile e cila i mundëson këto të dhëna në bazë vjetore. Përfshihen të gjitha lëvizjet e popullsisë të cilat janë shoqëruar me ndryshim të vendbanimit (qarkut) pasqyruar me regjistrim në zyrën e gjendjes civile të vendbanimit të ri të personit. Lëvizjet e brendshme të personave të cilat nuk janë shoqëruar me regjistrim në zyrat e gjendes civile respektive sipas vendbanimit të ri, nuk mund të merren parasysh.