Anketa “Arsimi i të rriturve” përfshin pjesëmarrjen në arsim (zyrtar, jo zyrtar dhe informal) dhe trajnimet. Periudha e referencës për pjesëmarrje në arsim dhe trajnim është dymbëdhjetë muaj përpara momentit të intervistës. Studimi përqëndrohet në persona të moshës 25-64 vjeç, që jetojnë në njësitë ekonomike familjare.
Kalendari
Hyrja 1, Tiranë, Kodi Postar 1017
Anketa e Arsimit të të Rriturve
Anketa e Arsimit të të Rriturve 2017, u krye për herë të parë në në periudhën Maj-Qershor të vitit 2017. Periudha e referencës ishte 12 muajt e fundit nga momenti i intervistimit. Anketa u krye me pyetësorë letër dhe me anketues të trajnuar specifikisht. Objekt kryesor i kësaj ankete, është studimi i aktiviteteve të të mësuarit gjatë gjithë jetës. Anketa siguron informacion mbi karakteristikat e trajnimeve, vështirësitë e pjesëmarrjes, qasjen në informacion mbi mundësitë e arsimit dhe trajnimit, aftësitë mbi gjuhët e huaja, pjesëmarrjen në eventet kulturore etj.
Dizenjimi i kampionit
Anketa e Arsimit të të Rriturve përfshin një kampion prej 5.264 Njësish Ekonomike Familjare (NjEF). Kampioni është zgjedhur me short duke përdorur zgjedhjen me dy hapa. Si bazë zgjedhjeje shërbyen të dhënat e Censusit të Popullsisë dhe Banesave 2011. Në fazën e parë u zgjodhën zonat e censusit (ZC) dhe në fazën e dytë, për çdo ZC u zgjodhën 12 njësi ekonomike familjare për t’u intervistuar.
Për çdo njësi ekonomike familjare të zgjedhur, intervistuesi ka përzgjedhur një individ të moshës 25-64 vjeç, duke përdorur të njëjtën metodë të ndjekur edhe në anketat e tjera të kryera pranë familjeve.
Në fazën e parë janë përzgjedhur 440 ZC duke përdorur metodën e kampionimit rastësor të stratifikuar. Zonat e censusit janë zgjedhur rastësisht për çdo stratë (respektivisht 12 strata që përfaqësojnë 12 qarqe) duke përdorur kampionim sistematik nga një listë e orientuar gjeografike për të garantuar përfaqësimin e zonave brenda qarqeve. Numri i ZC-ve të zgjedhura në çdo stratë është llogaritur në mënyrë të tillë që numri i NjEF-ve të përzgjedhura në secilën stratë në fazën e dytë, të jetë proporcional me madhësinë e ZC-së. Familjet kolektive janë përjashtuar nga kampionimi, pasi nuk janë pjesë e fushës së studimit të Anketës së Arsimit të të Rriturve. Në zbatim të rekomandimeve të EUROSTAT-it për këtë anketë, nuk ka pasur zëvendësim të NjEF-ve të papërgjigjura.
Përkufizime
Arsimi zyrtar është përcaktuar si arsimi i institucionalizuar, i qëllimshëm dhe i planifikuar, përmes institucioneve publike dhe atyre private, të njohur (liçensuar nga autoriteti kombëtar arsimor) – në tërësinë e tyre - përbëjnë sistemin arsimor zyrtar të një vendi. Programet e arsimit zyrtar janë të njohura si të tilla nga autoritetet përkatëse të arsimit kombëtar, ato ekuivalente ose vartëse të tij. Arsimi zyrtar konsiston më tepër në arsimin që fillon nga klasa e parë dhe vazhdon rregullisht vit pas viti, kryesisht në sistemin pa shkëputje nga puna full- time (përpara se të bëhen pjesë e tregut të punës), në atë profesional, arsimin për nevoja të veçanta dhe disa pjesë të arsimit për të rritur, shpesh janë të njohura si pjesë e sistemit arsimor zyrtar.
Arsimi jo zyrtar është përcaktuar si arsimi i institucionalizuar, i qëllimshëm dhe i planifikuar nga një ofrues i arsimit. Karakteristika përcaktuese e arsimit jo-zyrtar njihet si një shtesë, dhe/ose alternativë plotësuese e arsimit zyrtar në kuadër të procesit të të mësuarit gjatë gjithë jetës së individëve. Shpesh garanton të drejtën e qasjes në arsim për të gjithë, shërben për njerëz të të gjitha moshave, por nuk strukturohet detyrimisht në mënyrë të vazhduar; mund të jetë i shkurtër në kohëzgjatje dhe/ose me intensitet të ulët, në mënyrë tipike ofrohet në formën e kurseve të shkurtra, workshope apo seminare. Arsimi jo zyrtar çon kryesisht në kualifikime që nuk janë të njohura si zyrtare nga autoritetet kombëtare përkatëse të arsimit, ose ato nën varësinë e tyre, ose nuk njihen fare. Ky lloj arsimi mund të mbulojë programet që kontribuojnë për të rritur, për fëmijët jashtë shkolle, si dhe programet për aftësitë jetësore, aftësitë e punës dhe zhvillimin social kulturor.
Arsimi informal është përcaktuar si i qëllimshëm, por më pak i organizuar dhe më pak i strukturuar se arsimi zyrtar ose jo zyrtar. Të mësuarit informal mund të përfshijë aktivitete mësimore që ndodhin në familje, vendin e punës, komunitet dhe jetën e përditshme, në bazë të iniciativës së vetë personit, drejtuar nga familja apo shoqëria.
ISCED 2011 është klasifikimi i përdorur në përpunimin e të dhënave dhe llogaritjen e treguesve të arsimit, i përbërë nga këto nivele sipas programeve arsimore:
Niveli 0 - Arsimi parashkollor – çerdhe / kopshte
Niveli 1 - Arsimi fillor ose cikli i ulët i arsimit bazë
Niveli 2 - Arsimi i mesëm i ulët ose cikli i lartë i arsimit bazë
Niveli 3 - Arsimi i mesëm i lartë - Gjimnaz / Profesional
Niveli 4 - Arsimi pas të mesme por jo i lartë
Niveli 5 - Arsimi i lartë cikël i shkurtër
Niveli 6 – Bachelor ose ekuivalent
Niveli 7 - Master ose ekuivalent
Niveli 8 - Doktoraturë ose ekuivalent
Nivelet arsimore:
Cikli i ulët dhe i lartë i arsimit të detyruar (ISCED 0-2)
E mesme e përgjithshme/profesionale (ISCED 3-4)
E lartë/Master/PhD (ISCED 5-8)