Njoftim për Media - Tregu i Punës, 2017
Bazuar në vlerësimet e Anketës së Forcave të Punës, gjatë vitit 2017, numri i personave në forcën e punës është 1.385 mijë persona. Femrat përbëjnë 42,6 % të forcës së punës dhe meshkujt 57,4 %. Të punësuar janë 1.195 mijë persona, ku femrat përbëjnë 43,2 % të të punësuarve dhe meshkujt 56,8 %. Numri i të papunëve vlerësohet të jetë 190 mijë persona, ndër të cilët 39 % janë femra dhe 61 % janë meshkuj.
Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15-64 vjeç është 66,8 %. Për meshkujt e moshës 15-64 vjeç shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 18,1 pikë përqindje më e lartë sesa për femrat.
Shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 57,4 %. Shkalla e punësimit për femrat është
50,3 % dhe për meshkujt 64,3 %. Hendeku gjinor në punësim për këtë grup-moshë është 14,0 pikë përqindje.
Sektori i shërbimeve dhe sektori bujqësor kanë përqindjen më të lartë të të punësuarve me përkatësisht 42,4 % dhe 38,2 % të të punësuarve gjithsej. Në vitin 2017, rezulton se 44,1 % e të punësuarve janë të punësuar me pagë, 35,8 % janë të vetë-punësuar (punëdhënës ose të vetëpunësuar pa të punësuar të tjerë) dhe 20,1 % janë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes.

Hyrja 1, Tiranë, Kodi Postar 1017