Njoftim për Media - Tregu i Punës, 2016
Bazuar në vlerësimet e Anketës së Forcave të Punës, gjatë vitit 2016, numri i personave në forcën e punës është 1.365 mijë persona. Femrat përbëjnë 43,4 % të forcës së punës dhe meshkujt 56,6 %. Të punësuar janë 1.157 mijë persona, ku femrat përbëjnë 43,8 % të të punësuarve dhe meshkujt 56,2 %. Numri i të papunëve vlerësohet të jetë 208 mijë persona, ndër të cilët 41 % janë femra dhe 59 % janë meshkuj.
Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15-64 vjeç është 66,2 %. Për meshkujt e moshës 15-64 vjeç shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 15,8 pikë përqindje më e lartë sesa për femrat.
Shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 55,9 %. Shkalla e punësimit për femrat është 49,7 % dhe për meshkujt 61,9 %. Hendeku gjinor në punësim për këtë grup-moshë është 12,2 pikë përqindje.
Sektori bujqësor dhe sektori i shërbimeve kanë përqindjen më të lartë të të punësuarve me përkatësisht 40,2 % dhe 40,4 % të të punësuarve gjithsej. Në vitin 2016, rezulton se 41,2 % e të punësuarve janë të punësuar me pagë, 34,9 % janë të vetë-punësuar (punëdhënës ose të vetëpunësuar pa të punësuar të tjerë) dhe 23,9 % janë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes.

Hyrja 1, Tiranë, Kodi Postar 1017