Inovacioni

INSTAT ka kryer për periudhën referuese 2020-2022 vrojtimin mbi aktivitetet e Inovacionit pranë ndërmarrjeve me 10 ose më shumë të punësuar. Ndërmarrje inovative quhet ajo ndërmarrje që gjatë periudhës referuese prezantoi një inovacion produkti/procesi biznesi, ose kishte aktivitete të braktisura apo të papërfunduara inovacioni.

Gjatë periudhës 2020-2022, 42,9 % e ndërmarrjeve të vrojtuara kryen një aktivitet Inovacioni.

Aktiviteti i Inovacionit rezulton më i lartë në ndërmarrjet që operojnë në sektorin e shërbimeve me 46,0 %, krahasuar me ndërmarrjet në sektorin e Industrisë me 39,3 %. Krahasuar me të dhënat e vrojtimit të mëparshëm të inovacionit me periudhë referuese 2018-2020, aktiviteti i inovacionit u rrit me 6,3 % (nga 36,6% në 42,9 %)

Ndërmarrjet në sektorin e industrisë shënojnë një rritje më të lartë në aktivitetin e inovacionit me 7,2 pikë

përqindje ndërsa ndërmarrjet në sektorin e shërbimeve shënojnë një rritje me 5,0 pikë përqindje

krahasuar me të dhënat e periudhës së mëparshme.

Aktitiveti i inovacionit rezultoi më i pranishëm në grupin e ndërmarrjeve të mëdha, me mbi 250 të punësuar me 66,5 %

Raporti i Cilësisë
Publikimi i radhës
Aktiviteti i inovacionit në ndërmarrje, 2021-2023

Kalendari

Nuk ka evente në kalendar për këtë temë
Na kontaktoni
Rr. Vllazën Huta, Ndërtesa 35,
Hyrja 1, Tiranë, Kodi Postar 1017
Tel:
+355 4 2222 411
Fax:
+355 4 2228300
info@instat.gov.al
media@instat.gov.al

Vrojtimi statistikorë mbi aktivitetin e Inovacionit në ndërmarrje kryhet një herë në dy vite dhe periudha e vrojtimit mbulon një periudhë tre-vjeçare. Vrojtimi ofron informacion të krahasueshëm mbi ndërmarrjet që zhvillojnë aktivitete inovacione produktesh dhe procesesh biznesi të prezantuara nga ndërmarrjet në Shqipëri.

Vrojtimi mbi aktivitetet e Inovacionit në ndërmarrje kryhet në të gjitha vendet evropiane dhe bazohet në përkufizime të harmonizuara ndërkombëtarisht, i cili lejon krahasime midis vendeve të ndryshme të rajonit, BE-së 27 si dhe vendeve EFTA. Të dhënat nga vrojtimi i Inovacionit në ndërmarrje në Shqipëri mblidhen dhe prodhohen sipas udhëzimeve të përcaktuara në Manualet e Oslos - manualet referencë për statistikat e Inovacionit.

Botimet e fundit mbi manualin Oslo janë:

Sistemi i klasifikimit

Klasifikimi i përdorur në statistikat e Inovacionit në ndërmarrje është: Klasifikimi Statistikor i Aktiviteteve Ekonomike (NVE Rev. 2)

Mbulimi i sektorit

Njësitë e vëzhguara janë të gjitha ndërmarrjet e sektorit jo-financiar dhe financiar me 10 ose më shumë të punësuar të angazhuar kryesisht në seksionet dhe ndarjet e mëposhtme të NVE Rev.2:

  • (B) Industri nxjerrëse,
  • (C) Industri Përpunuese,
  • (D) Energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar,
  • (E) Furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve,
  • (G46) Tregtia me shumicë, përveç automjeteve dhe motorçikletave
  • (H) Transporti dhe Magazinimi,
  • (J) Informacioni dhe Komunikacioni,
  • (K) Aktivitete financiare dhe të sigurimit,
  • (M71-73) Aktivitete arkitekture dhe inxhinierike; aktivitete të kontrolleve dhe analizave teknike, Kërkim dhe zhvillim shkencor, Publiciteti dhe kërkimet e tregut.

Njësia statistikore

Popullata statistikore përfshin të gjitha ndërmarrjet aktive në Shqipëri, të të gjitha formave ligjore. Baza e zgjedhjes janë të gjitha ndërmarrjet ku sipas Regjistrit Statistikor të Ndërmarrjeve (RSN), janë aktive në Dhjetorin e vitit referencë për aktivitet që mbulon ky vrojtim, duke përjashtuar:

  • Njësitë lokale
  • Ndërmarrjet që kanë kodin e aktivitetit ekonomik kryesor (NVE) jashtë qëllimit të këtij vrojtimi.
  • Ndërrmarrjet me më pak se 10 të punësuar.

Legjislacioni

Baza ligjore në nivel kombëtar për prodhimin e indikatorëve për statistikat e Inovacionit në Ndërmarrje është:

  • Ligji Nr. 17/2018 "Për Statistikat Zyrtare"
  • Programi i Statistikave Zyrtare 2022-2026.

Baza ligjore e vjetër deri në fund të vitit 2021 në nivel Evropian konsistonte në:

  • Vendimi Nr. 1608/2003 / KE i Parlamentit Evropian dhe i Këshillit i 22 korrikut 2003 në lidhje me prodhimin dhe zhvillimin e statistikave të Komunitetit për Shkencën dhe Teknologjinë;
  • Rregullorja Zbatuese e Komisionit (BE) Nr. 995/2012 e 26 Tetorit 2012 që përcakton rregullat e hollësishme për zbatimin e Vendimit Nr. 1608/2003 / KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit në lidhje me prodhimin dhe zhvillimin e statistikave të Komunitetit për Shkencën dhe Teknologjinë;
  • Manuali Oslo 2018, botimi i tretë.

 Baza ligjore aktuale nga viti 2022 në nivel Evropian është:

  • Rregullorja (BE) 2019/2152 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit e datës 27 nëntor 2019 për statistikat evropiane të biznesit, që shfuqizon 10 akte ligjore në fushën e statistikave të biznesit;
  • Rregullorja Zbatuese e Komisionit që përshtatet çdo dy vjet. Aktualisht në fuqi është Rregullorja Zbatuese e Komisionit (BE) 2022/1092 e datës 30 qershor 2022.
  • Manuali Oslo 2018, botimi i katërt.

Përkufizime

Inovacion: Është një produkt/proces i ri ose i përmirësuar (ose kombinimi i tyre) që ndryshon në mënyrë të konsiderueshme nga produktet ose proceset e mëparshme të njësisë dhe që është vënë në dispozicion të përdoruesve të mundshëm ose është sjellë në përdorim nga njësia.

Aktiviteti i inovacionit: Përfshin të gjitha aktivitetet zhvillimore, financiare dhe tregtare, të ndërmarra nga një ndërmarrje, të cilat synojnë ose rezultojnë në një inovacion.

Llojet e aktiviteteve të inovacionit:

  • Inovacioni i produktit ose procesit i prezantuar me sukses;
  • Aktivitete inovative të përfunduara, por të pa prezantuara ende;
  • Aktivitete inovative në vazhdim, me punë në progres që ende nuk ka rezultuar në prezantimin e një inovacioni;
  • Aktivitetet e braktisura të inovacionit përpara prezantimit të një inovacioni;
  • Aktivitetet e Kërkim-Zhvillimit.

Aktivitetet e K&Zh-së: Përfshijnë punë krijuese dhe sistematike të ndërmarra për të rritur bazën e njohurive, duke përfshirë njohuritë për njerëzimin, kulturën dhe shoqërinë dhe për të krijuar aplikime të reja nga njohuritë e disponueshme.

Inovacion produkti: Është prezantimi i një malli apo shërbimi që është i ri ose i përmirësuar dhe që ndryshon ndjeshëm nga mallrat ose shërbimet e mëparshme të ndërmarrjes. Ai përfshin ndryshime të rëndësishme të konstruktit të mallrave. Përjashtohen rishitjet e thjeshta të mallrave të reja dhe ndryshimet e një natyre vetëm estetike.

Inovacion procesi biznesi: Është një proces biznesi i ri ose i përmirësuar për një ose më shumë funksione biznesi që ndryshon ndjeshëm nga proceset e mëparshme të biznesit të ndërmarrjes dhe i cili është zbatuar brenda firmës. Inovacionet e procesit të biznesit përfshijnë metoda të reja ose të përmirësuara për: prodhimin e mallrave ose ofrimin e shërbimeve; shpërndarjes, furnizimit ose logjistikës; komunikimin dhe përpunimin e informacionit; kontabilitetit dhe operacioneve të tjera administrative; praktika biznesi për organizimin e procedurave ose marrëdhënieve me jashtë; organizimit të përgjegjësisë në punë, vendimmarrjes dhe menaxhimit të burimeve njerëzore, marketingut për promovim, paketim, çmim, vendosje të produktit ose shërbime pas shitjes.

Në botimin e 3-të të Manualit të Oslos, p.sh. për anketat e Inovacionit deri në 2016, dalloheshin 4 lloje të inovacionesh:

Inovacion produkti: është implementimi i një produkti, malli apo shërbimi që është i ri ose i përmirësuar dukshëm në lidhje me karakteristikat apo përdorimin e pritur të saj/tij. Kjo përfshin përmirësime të dukshme në specifikimet teknike, komponentët dhe materialet, software-in e inkorporuar apo karakteristika të tjera funksionale.

Inovacion procesi: është implementimi i një metode prodhimi ose shpërndarjeje të re apo të përmirësuar dukshëm. Kjo përfshin ndryshimet e dukshme në teknika, pajisje dhe/ose software.

Inovacioni organizativ: është zbatimi i një metode të re organizative në praktikat e një ndërmarrjeje, në mënyrën e organizimit të vendit të punës ose marrëdhënieve të jashtme.

Inovacion marketingu: është zbatimi i një metode të re marketingu ose kryerja e ndryshimeve domethënëse në dizenjimin e produktit apo ambalazhimin e tij (duke përjashtuar ato ndryshime që vijnë si pasojë e ndryshimeve rutinë/sezonale), vendosjen e produktit, promovimin apo çmimin e këtij të fundit.

Ndërmarrje aktive në inovacion: Një ndërmarrje e angazhuar gjatë periudhës së vëzhgimit në një ose më shumë aktivitete për të zhvilluar ose prezantuar produkte të reja ose të përmirësuara ose procese biznesi për një përdorim të synuar. Gjatë periudhës së vrojtimit mund të jenë aktive në inovacionit si ndërmarrjet novative apo ndërmarrjet jo-novative.

Inovacionet duhet të jenë të reja për ndërmarrjen e vëzhguar, por jo domosdoshmërisht duhet të jenë të reja në treg, d.m.th. ndërmarrja nuk ka pse të jetë domosdoshmërisht e para që ka prodhuar këto produkte (mallra ose shërbime) ose ka prezantuar këto procese biznesi.