INSTAT për matjen e nivelit të treguesve të përdorimit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit ka kryer vrojtimin mbi “Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit” pranë ndërmarrjeve ekonomike me mbi 10 e më shumë të punësuar.
Termi “Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK)” i referohet teknologjive që sigurojnë akses në informacione përmes telekomunikimit. Termi TIK është i ngjashëm me termin Teknologji Informacioni (TI), por fokusohet në teknologjitë e komunikimit që përfshijnë internetin, rrjetin, celularët dhe media të tjera komunikimi.
Qëllimi i vrojtimit ”Anketa për përdorimin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit” është të mbledhë dhe shpërndajë informacion të harmonizuar dhe të krahasueshëm për përdorimin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) në ndërmarrje. Për matjen e përdorimit të TIK, INSTAT interviston ndërmarrjet e të gjitha formave ligjore dhe llojeve të pronësisë me 10 e më shumë të punësuar.
Njësia e vrojtimit
Njësia e vrojtimit është ndërmarrja me mbi 10 të punësuar, e rezultuar aktive në Dhjetor të vitit të referencës sipas Regjistri Statistikor i Ndërmarrjeve.
Fusha e mbulimit
Në vrojtim u mbuluan ndërmarrjet e zgjedhura nga Regjistri Statistikor i Ndërmarrjeve të klasifikuara sipas Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike, NVE Rev.2 në nivel seksioni;
Seksionet | Përshkrimi |
C | Industri përpunuese |
D, E | Energjia elektrike, furnizimi me gaz, avull dhe ajër i kondicionuar; Furnizimi me ujë,aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve |
F | Ndërtim |
G | Tregti me shumicë dhe pakicë. Riparimi i automobilave dhe motoçikletave |
H | Transport dhe magazinim |
I | Akomodimi dhe aktivitetet e shërbimit të ushqimit |
J | Informacioni dhe Komunikacioni |
L | Pasuritë e patundshme |
M (Grupet 69-74) | Aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike (pa përfshirë aktivitetet veterinare) |
N | Shërbime administrative dhe mbështetëse |
S (Grupi 95.1) | Riparimi i kompjuterëve dhe i pajisjeve të komunikimit |
Metoda e grumbullimit
Grumbullimi i të dhënave realizohet me metodën CAPI, nëpërmjet intervistës ballë për ballë me anketues me tabletë.
Periudha e referencës për variablat kryesore është koha e mbledhjes së të dhënave. Për pyetjet në lidhje me Specialistët e TIK, Shitje/Blerje on line periudha referuese është një vit më parë.
Përkufizime
Kompjuter: Kompjuterat përfshijnë kompjuterat personalë, tabletët apo pajisje të tjera portabël si Smartphone apo Personal Digital Assistants (PDAs).
Akses në Internet: Termi “Akses në Internet” i referohet një lidhjeje të jashtme në Internet përmes një kompanie që operon si Ofrues i Shërbimit në Internet (Internet Service Provider – ISP).
Broadband: Broadband janë teknologjitë apo lidhjet të cilat mundësojnë transmetimin e shpejtë të të dhënave, si psh: filma, lojra, video-konferenca nëpërmjet një rrjeti interneti (për shembull: ADSL, lidhje kabllor, UMTS, lidhje optike, VDSL, linja me qira).
Website: Faqja e internetit është një dokument me HyperText. Ekzistenca e një website i ofron ndërmarrjes potencial për një performancë më të mire, mundësi të reja për prezantimin e ndërmarrjes, produkteve, mundësi për njohje më të madhe dhe në të njëjtën kohë aksesin në tregje të reja dhe për rrjedhojë të ardhura më të larta. Faqet e internetit mund të ketë tekst, lidhjet HyperText, imazhe, video dhe zëra.
Autoritet publik: Termi autoritet publik i referohet si shërbimeve publike ashtu edhe aktiviteteve administrative si psh: taksave, rregjistrimit të biznesit, sigurimeve shoqërore, shëndetit publik, administrimit lokal etj. Autoritetet publike mund të jenë në nivel lokal, rajonal ose kombëtar.
Media Sociale: Përdorimi i Mediave Sociale si psh: Facebook, Google+, Twitter, YouTube etj. i referohet përdorimit nga ndërmarrja të aplikacioneve që bazohen në teknologjinë e Internetit ose në platforma komunikimi për tu lidhur, krijuar dhe shkëmbyer përmbajtje online, me kliente, furnizues, ose partnerë, jashtë ose brënda ndërmarrjes.
EDI, tip EDI i mesazheve: Shkëmbimi elektronik i të dhënave (EDI) i referohet transmetimit të strukturuar të të dhënave ose dokumenteve ndërmjet organizatave ose ndërmarrjeve me anë të mjeteve elektronike. Ai gjithashtu i referohet posaçërisht një familje standardesh (të tipit EDI) dhe mesazheve të tipit EDI të përshtatshme për përpunim të automatizuar.
Tregtia elektronike: Një transaksion i tregtisë elektronike është shitja ose blerja e të mirave apo shërbimeve përmes rrjeteve kompjuterike me metoda të dizenjuara në mënyrë specifike për qëllimin e marrjes ose bërjes së porosive. Të mirat ose shërbimet porositen përmes këtyre metodave, ndërsa dorëzimi final dhe pagesa mund të mos kryhen online.Transaksionet e tregtisë elektronike përjashtojnë porositë e bëra përmes mesazheve të email-eve të shtypura manualisht.
Tregtia elektronike EDI: Porositë e iniciuara me mesazhe të tipit EDI. Shkëmbimi elektronik i të dhënave, EDI, është një mjet e-biznesi për shkëmbimin e llojeve të ndryshme të mesazheve të biznesit. EDI përdoret si një term i përgjithshëm për dërgimin ose marrjen e informacionit të biznesit në një format të përshtatshëm për përpunim të automatizuar (p.sh. EDIFACT, XML, etj.) dhe pa shtypur manualisht mesazh individual.
Shërbimet cloud: I referohen shërbimeve të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, që përdoren në internet për të aksesuar programe kompjuterike, kapacitete ruajtëse, etj. Cloud Computing është një model për të mundësuar hyrje të kudo gjendur, të përshtatshme, në bazë të kërkesës, në një grup të përbashkët burimesh kompjuterike të konfigurueshme (p.sh. rrjetet, serverat, hapësira ruajtëse, aplikacionet dhe shërbimet) që mund të sigurohen me shpejtësi dhe të lirohen me përpjekje ose shërbim minimal të menaxhimit ose të ndërveprimit të ofruesit.
Ndarja automatike e informacionit brenda ndërmarrjes: Një paketë programesh kompjuterike, e cila përdoret për planifikimin dhe menaxhimin e burimeve të ndërmarrjes, duke ndarë informacionet midis fushave të ndryshme funksionale (p.sh. kontabilitet, planifikim, prodhim, marketing, etj).
Software-it CRM: I referohet çdo aplikacioni software për menaxhimin e informacionit rreth klientëve.
Ndarja e informacionit elektronik për zinxhirët e furnizimit: Dërgimi/marrja e të gjithë informacionit mbi vargun e furnizimit (p.sh. nivelet e inventarit, planet e prodhimit, parashikimet, ecuria e dërgimit) nëpërmjet rrjeteve kompjuterike ose faqeve të internetit, por duke përjashtuar mesazhet email të shkruara manualisht.
Printimi 3D: Përdorimi i printerave të veçantë nga vetë ndërmarrja ose përdorimi i shërbimeve të printimit 3D të ofruara nga ndërmarrjet e tjera për krijimin e objekteve fizike tre-dimensionale duke përdorur teknologjinë digjitale.
Robotikë: Sipas aplikimit të tyre, robotët mund të jenë robotë industrialë ose të shërbimit. Një robot industrial është një manipulues i kontrolluar automatikisht, i riprogramueshëm, me shumë qëllime, i programueshëm në tre ose më shumë akse, i cili mund të jetë i fiksuar në vend ose i lëvizshëm për t'u përdorur në aplikacionet e automatizimit industrial. Një robot shërbimi është një makinë që ka një shkallë të autonomisë dhe është në gjendje të veprojë në një mjedis kompleks dhe dinamik që mund të kërkojë bashkëveprim me persona, objekte ose pajisje të tjera, duke përjashtuar përdorimin e tij në aplikacionet e automatizimit industrial.