Bilanci i Energjisë Elektrike
Bilanci i Energjisë Elektrike jep informacion statistikor mbi prodhimin neto vendas të energjisë elektrike, importin dhe eksportin bruto të energjisë elektrike, humbjet në rrjet si edhe konsumin final në vendin tonë. Statistikat për energjinë elektrike publikohen për periudhë tremujore nga të dhënat mujore të grumbulluara prej burimeve administrative si:
- KESH sh.a është shoqëri e pavarur shtetërore që prodhon, transformon dhe kryen shitjen dhe blerjen e energjisë elektrike;
- OSHEE sh.a është shoqëri e pavarur shtetërore që kryen furnizimin, shitjen e energjisë elektrike si edhe operimin dhe menaxhimin e rrjetit të shpërndarjes;
- OST sh.a është shoqëri e pavarur shtetërore që operon në sistemin e transmetimit të energjisë elektrike nga pikëpamja fizike dhe e shpërndarjes. OST sh.a garanton kapacitetet e nevojshme transmetuese për:
- furnizimin e pa ndërprerë me energji elektrike të nënstacioneve të sistemit të shpërndarjes dhe konsumatorëve të energjisë elektrike të lidhur direkt në rrjetin e transmetimit,
- transmetimin e energjisë elektrike të prodhuar nga burimet e vendit,
- tranzitet dhe shkëmbimet e nevojshme me vendet e rajonit.
Përkufizimet e variablave bazë
Energji në dispozicioni referohet sasisë së energjisë elektrike të prodhuar nga prodhimi vendas i energjisë elektrike plus sasisë së importuar (përfshirë këmbimet) minus sasisë së eksportuar (përfshirë këmbimet).
Prodhimi neto vendas llogaritet si shumë e sasisë së energjisë elektrike të prodhuar nga të gjithë prodhuesit në vend si prodhimi i hidrocentraleve, termocentraleve dhe prodhuesit e tjerë.
Energji termo i referohet energjisë elektrike të prodhuar nga termocentralet.
Energji hidro i referohet sasisë së energjisë elektrike të gjeneruar nga uji në hidrocentralet.
Konsumi dhe humbjet vetjake i referohet energjisë elektrike të përdorur nga veprimtaritë ndihmëse të stacionit të energjisë të lidhura direkt me prodhimin si psh. ftohje e ujit, shërbimet e stacionit të energjisë, ngrohje, ndriçim, etj.
Prodhues të pavarur privatë dhe koncesionarë u referohen prodhuesve private të energjisë elektrike të cilët në rastin e Shqipërisë përbëhen nga impiante ish-publike të privatizuara ose impiante të ndërtuara nga subjektet private vendëse apo të huaja përmes kontratave koncesionare me Republikën e Shqipërisë. Këta prodhues lidhen direkt në sistemin e transmetimit dhe linçensohen nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE) dhe mund të shesin kapacitete ose energji OST-së dhe OSHEE-së, për të mbuluar humbjet në sistemin e transmetimit dhe shpërndarjes, si edhe tek klientë të tjerë.
Prodhues të tjerë i referohet prodhimit të energjisë elektrike nga burime të tjera të energjisë, duke përjashtuar energjinë hidro dhe termo.
Shkëmbimi i energjisë elektrike i referohet diferencës midis eksportit dhe importit të energjisë elektrike. Kjo përfshin edhe tranzitet dhe shkëmbimet (dhënie - marrje energjie) e nevojshme të energjisë elektrike me vendet e rajonit.
Konsumi i energjisë elektrike i referohet përdorimit nga konsumatorë familjarë dhe jo familjarë dhe sasisë së humbjeve në rrjet të energjisë elektrike.
Humbjet në rrjet përbëjnë humbjet në transmetim duke përfshirë edhe konsumin vetjak në transmetim si edhe humbjet në shpërndarje. Humbjet teknike në shpërndarje janë të vlerësuara nga OSHEE sh.a. Humbjet jo teknike i referohen diferencës së humbjeve gjithsej në shpërndarje me humbjet teknike në shpërndarje.
Përdorimi nga konsumatorët është i barabartë me shumën e energjisë elektrike të konsumuar nga konsumatorë familjarë dhe jo familjarë:
Familjarët i referohet sasisë së konsumit të energjisë elektrike në familje.
Jo familjarët i referohet sasisë së konsumit të energjisë elektrike nga sektorët e industrisë, transportit, agrikulturës, shërbimeve publike, etj. duke përjashtuar konsumin nga familjarët.