Statistikat e mbrojtjes sociale mbështeten në të dhëna administrative. Mbledhja, përpunimi dhe publikimi i tyre bazohen në:
- Ligjin 17/2018 “Për statistikat zyrtare”;
- Programi Kombëtar i Statistikave Zyrtare 2017-2021;
- Memorandumet e bashkëpunimit me institucionet që janë burim informacioni.
Variablat kryesore të të dhënave administrative për mbrojtjen sociale grupohen në këto kategori:
- Familje dhe persona përfitues në skemën e ndihmës ekonomike, fondi dhe madhësia e ndihmës;
- Përfitues në skemën e pagesës së papunësisë;
- Përfitues në skemën e pensioneve urbane dhe rurale;
- Përfitues në skemën e pagesës për aftësinë e kufizuar.
Burimet për prodhimin dhe përditësimin e variablave:
- Instituti i Sigurimeve Shoqërore;
- Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive ;
- Shërbimi Social Shtetëror;
Përkufizime
Skemat e mbrojtjes sociale janë një set i veçantë rregullash mbështetur nga një ose më shumë njësi institucionale që rregullojnë ofrimin e përfitmeve të mbrojtjes sociale dhe financimin e tyre.
Pensionet e të gjitha kategorive, përcaktohen sipas Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 "Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar.
Pensioni i pleqërisë është një pagesë periodike në të holla, që i paguhet personave të siguruar me qëllim mbajtjen e të ardhurave nga puna edhe pas daljes në pension.
Pensioni familjar është një pagesë mujore në të holla të cilin kanë të drejtë ta marrin personat që janë në ngarkim të personit të siguruar që vdes, i cili përfitonte më përpara pension pleqërie ose pension invaliditeti.
Pensioni i invaliditetit është një pagesë mujore në të holla të cilin kanë të drejtë ta marrin personat e siguruar që bëhen të paaftë: a) për çdo veprimtari ekonomike; b) kur ka gjymtime të forta dhe dëmtime fizike (duke përfshirë verbimin).
Person me aftësi të kufizuar është individi, fëmijë ose i rritur, me dëmtime fizike, mendore, intelektuale apo shqisore afatgjata, të cilat në ndërveprim me barriera të ndryshme mund të pengojnë pjesëmarrjen e tij të plotë dhe efektive në shoqëri njësoj si pjesa tjetër e shoqërisë.
Ndihma ekonomike është një pagesë periodike në para kesh që u jepet familjeve pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme dhe disa kategorive të personave në nevojë.
Pagesa për aftësinë e kufizuar është një përfitim në para kesh dhe në natyrë që u jepet personave me aftësi të kufizuar të cilët plotësojnë kushtet për tu cilësuar të tillë, me qëllim lehtësimin e jetesës së tyre të përditshme.
Pagesa e papunësisë është një përfitim në para kesh që u jepet për një periudhë deri në 12 muaj personave të cilët dalin nga tregu i punës si të papunë dhe që kanë kontribuar në sigurimin e tyre shoqëror jo më pak se 12 muaj.