Anketa e të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës (AANJ) u realizua për herë të parë në vendin tonë në vitin 2017 ku referencë janë të ardhurat e vitit 2016. Publikimi i vitit 2021 ka referencë të ardhurat e vitit 2020. Rezultatet paraqesin statistika të krahasueshme me vendet e tjera, si dhe sigurojnë të dhëna të besueshme në fushën e varfërisë relative, përjashtimit social dhe të ardhurave familjare, duke ndihmuar në këtë mënyrë në hartimin e politikave anti-varfëri. Deri në vitin 2012, i vetmi burim i matjes së nivelit të jetesës,varfërisë absolute dhe mirëqënies së familjeve shqiptare ka qenë Anketa e Matjes së Nivelit të Jetesës e njohur si AMNJ. Kjo anketë ka mbledhur një sërë treguesish monetarë dhe jo monetarë duke sjellë një larmi informacioni për përdorues të ndryshëm. Nëpërmjet AMNJ është synuar matja e varfërisë bazuar në shpenzimet e konsumit duke përdorur kufirin absolut të varfërisë ndërsa AANJ bazohet në të ardhurat e familjes duke përdorur kufirin relativ të varfërisë.
Nisur nga këto ndryshime metodologjike të përdorura në këto dy anketa pritet që edhe informacioni i Anketës së të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës (AANJ) të jetë i ndryshëm, krahasuar me të dhënat e ofruara nga Anketa e Matjes së Nivelit të Jetesës (AMNJ).
Mbulimi: Anketa AANJ mbulon të gjitha familjet (Njësitë Ekonomike Familjare) e territorit të Republikës së Shqipërisë pavarësisht nga madhësia e tyre ose karakteristikat socio-ekonomike.
Përjashtohen nga studimi: Individët që jetojnë në banesa kolektive të të gjitha llojeve (Konviktet, shtëpitë e të moshuarve, spitalet, burgjet, qendrat e rehabilitimit, kampet etj.).
Koncepti Familje ka të bëjë me Njësinë Ekonomike Familjare (NjEF) e cila i referohet një grupi personash ose një personi me lidhje gjaku ose jo të cilët banojnë së bashku në një banesë dhe që ndajnë një ekonomi pjesërisht ose plotësisht të përbashkët.
Madhësia e kampionit të arritur: Anketa AANJ në vitin 2021 përfshin një kampion bruto prej 9.136 Familje (NjEF) ku të përgjigjur janë 7.692 Familje (NjEF), në vitin 2020 kampioni ishte 8.878 Familje (NjEF) nga të cilat të përgjigjur ishin 7.292 Familje (NjEF).
Periudha e referencës: Është e ndryshme në varësi të informacionit të mbledhur, për:
- Të ardhurat: është viti i fundit kalendarik - N - 1 (për anketën AANJ 2021 është viti 2020, AANJ 2020 është viti 2019 dhe për anketën AANJ 2018 është viti 2017).
- Privimin material: është momenti kur realizohet intervista - (Viti 2018, 2019, 2020, 2021).
Sipas metodologjisë për matjen e varfërisë, kufiri i rrezikut për të qenë i varfër llogaritet në bazë të konceptit relativ (i varfër në raport me të tjerët) dhe përcaktohet në 60 % të medianës së të ardhurave familjare disponibël të ekuivalentuara duke përdorur shkallën e ekuivalentuar të modifikuar të OECD. Të ardhurat gjithsej të disponueshme të familjes (NjEF) konsiderohen të ardhurat gjithsej neto (të ardhurat pas taksave dhe sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore) të marra nga të gjithë anëtarët e familjes (NjEF) .
Të ardhurat e ekuivalentuara:
Të ardhurat disponibël të ekuivalentuara për individë janë konsideruar të ardhurat gjithsej disponibël të familjes pasi janë ndarë sipas shkallës së modifikuar të OECD. Në shpërndarjen për person secili anëtar i familjes (NjEF) zotëron të njëjtat të ardhura që korrespondojnë me të ardhurat ekuivalente të disponueshme të familjes (NjEF). Kjo do të thotë që secili anëtar i familjes gëzon të njëjtin nivel jetese. Rrjedhimisht, në shpërndarjen e të ardhurave për person, të ardhurat që i atribuohen çdo personi nuk përfaqësojnë pagën, por një tregues të nivelit të jetesës.
Shkalla e ekuivalentimit:
Madhësia ekuivalente i referohet shkallës së modifikuar të OECD-së e cila jep peshën 1,0 personit të parë të rritur të familjes (mbi 14 vjeç), 0,5 personave të tjerë të moshës 14 vjeç e lart që jetojnë në familje dhe 0,3 për secilin fëmijë nën moshën 14 vjeç. Shembull: Të ardhurat e familjes me dy të rritur dhe dy fëmijë nën 14 vjeç janë ndarë me një peshë prej 1 + 0,5 + (2*0,3) = 2,1, të ardhurat e familjes me 2 të rritur ndahen me peshë 1 + 0,5 = 1,5, etj.
Treguesit e varfërisë dhe përjashtimit social bazohen në konceptin e varfërisë relative, të cilët marrin në konsideratë të ardhurat e disponueshme të familjeve, numrin e anëtarëve të familjes dhe shpërndarjen e të ardhurave të popullsisë gjithsej.
Përkufizimet e treguesve kryesorë:
Kufiri i rrezikut për të qenë i varfër përfaqëson të ardhurat më të ulta vjetore të disponueshme që një person të mos konsiderohet i varfër. Kufiri i rrezikut për të qenë i varfër është përcaktuar në 60 % të medianës së të ardhurave disponibël të ekuivalentuara për të gjitha familjet.
Niveli i Rrezikut për të qenë i varfër tregon përqindjen e personave që jetojnë në familje ku të ardhurat e disponueshme të ekuivalentuara janë nën kufirin e rrezikut për të qenë i varfër.
Privimi Material, tregon nivelin e jetesës së popullsisë nga shkalla e privimit material. Personat thellësisht të privuar materialisht janë ata që jetojnë në familje që nuk mund të përballojnë financiarisht të paktën katër nga nëntë kategoritë e privimit material të lidhura me asetet, kushtet e banimit apo aspektet financiare.
Më poshtë paraqiten kategortë e privimit material:
- Vonesat në pagesat e kredisë ose të qerasë për banesën kryesore, shpenzimet për shërbimet bazë, blerjet me këste ose pagesa të tjera të kredive të marra;
- Pamundësia për të përballuar shpenzimet për pushimet vjetore një javë larg nga shtëpia;
- Pamundësia për të përballuar një vakt me mish, pule, peshk (ose ekuivalentin për vegjetarianët) një herë në dy ditë;
- Pamundësia për të përballuar një shpenzim të paparashikuar financiar me vlerën 000 lekë të reja;
- Pamundësia financiare për të përballuar një telefon (duke përfshirë telefonin celular);
- Pamundësia financiare për të pasur një TV me ngjyra;
- Pamundësia financiare për të pasur një makinë larëse;
- Pamundësia financiare për të patur një makinë;
- Pamundësia financiare e familjes për mbajtjen e shtëpisë ngrohtë në mënyrë të përshtatshme.
Intensiteti i punësimit në familje është raporti i numrit gjithsej të muajve që pjesëtarët në moshë pune të familjes kanë punuar gjatë periudhës së referencës së mbledhjes së të ardhurave, dhe numrit gjithsej të muajve që të njëjtët pjestarë të familjes teorikisht mund të punonin në të njëjtën periudhë (12 muaj).
Një person në moshë pune është konsideruar një person i grup moshës 18-59 vjeç, duke përjashtur personat që i përkasin grupmoshës 18-24 vjeç janë në varësi të familjes dhe ekonomikisht jo aktivë.
Intensiteti në punësim është: shumë i ulët (0-20%), i ulët (20%-45%), mesatar (45%-55%), i lartë (55%-85%) dhe shumë i lartë ( 85%-100%).
Intensiteti shumë i ulët në punësim i referohet situatës së personave në familje ku asnjë nuk punon, ose punon shumë pak, që do të thotë se anëtarët e familjes në moshë pune punojnë vëtëm 20 % apo më pak se numri gjithsej i muajve që ata mund të punonin gjatë periudhës së referencës.
Rreziku për të qënë i varfër ose Përjashtimi Social është përqindja e individëve që janë në rrezik për të qenë të varfër ose thellësisht të privuar materialisht ose me intensitet shumë të ulët në punësim.