Anketa e Matjes së Nivelit të Jetesës (AMNJ)

Anketa e Matjes së Nivelit të Jetesës (AMNJ),  është një anketë shumë-qëllimëshe e kryer pranë familjes dhe deri në vitin 2012 ka qënë një nga burimet kryesore të informacionit për të matur kushtet e jetesës, situatën e varfërisë dhe për të siguruar një mjet të domosdoshëm për të ndihmuar hartuesit e politikave në monitorimin dhe hartimin e programeve sociale. Matjet e nevojshme janë bërë duke u mbështetur tek Konsumi i familjeve.

Anketa e Matjes së Nivelit të Jetesës (AMNJ) është kryer në kuadrin e monitorimit të vazhdueshëm të varfërisë dhe krijimit të një sistemi të vlerësimit të politikave në kontekstin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim Ekonomik dhe Social (SKZHES), sot Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI).

Raporti i Cilësisë

Kalendari

DataStatistikaPeriudha
13-12-2024 SILC (Anketa e të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës)
Na kontaktoni
Rr. Vllazën Huta, Ndërtesa 35,
Hyrja 1, Tiranë, Kodi Postar 1017
Tel:
+355 4 2222 411
Fax:
+355 4 2228300
info@instat.gov.al
media@instat.gov.al

Anketa e Matjes së Nivelit të Jetesës, 2012 (AMNJ) përfshin një kampion prej 6.671 familjesh që përbëjnë dhe njësinë e vrojtimit. Kampioni është zgjedhur me short duke përdorur zgjedhjen me dy raunde. Si bazë zgjedhjeje shërbyen të dhënat e Censusit të Popullsisë dhe Banesave, Tetor 2011. Në raundin e parë, u zgjodhën në mënyrë të rastit 834 Njësi Primare të Zgjedhjes (NJPZ) për të përfaqësuar të gjithë territorin e vendit. Më pas, u përzgjodhën për t'u intervistuar në raundin e dytë 8 familje për çdo NJPZ me proçedurën e zgjedhjes sistematike. Gjithashtu, u zgjodhën edhe 4 familje të tjera për çdo NJPZ që do të shërbenin si zëvendësuese të të parave në rastet e mospërgjigjjeve apo pamundësisë së kontaktit duke bërë të mundur realizimin e objektivit 6.671 intervista pranë familjeve.

Metodologjia e AMNJ 2012 është ruajtur në krahasim me vitet e mëparshme kur është kryer kjo anketë por fushat e analizës janë zgjeruar për të përfshirë 12 qarqet e Shqipërisë, ndarë në zona urbane dhe rurale, kundrejt katër rajoneve gjeografike (Qëndror, Bregdetar, Malor dhe Tirana), ndarë gjithashtu në urbane dhe rurale, të përcaktuar më parë si fusha të studimit të anketës. Kjo, solli dhe një rritje të konsiderueshme të madhësisë së kampionit nga 3.600 në 6.671[1] familje duke bërë të mundur llogaritjen e treguesve të nivelit të jetesës për 24 strata si dhe për këto katër zona të mëdha të vendit në mënyrë që të krahasohen rezultatet rajonale me ato të anketave të kryera në vitet 2002, 2005 dhe 2008 dhe të studiohet trendi i zhvillimit ekonomik dhe social të tyre[i].

Baza ligjore

  • Ligji 17/2018 “Për statistikat zyrtare”;
  • Programi Kombëtar i Statistikave Zyrtare.

 

Variablat kryesore :

  1. Treguesit e varfërisë sipas qarqeve.
  2. Treguesit e varfërisë sipas rajoneve.
  3. Shpenzimet mesatare mujore sipas komponentëve të konsumit dhe rajoneve.
  4. Përqindjet ndaj totalit të konsumit real për frymë sipas rajoneve.
  5. Diploma më e lartë e marrë për personat 21 vjeç e lart sipas zonave dhe statusit ekonomik.

Burimet

Anketa e Matjes së Nivelit të Jetesës (AMNJ), 2002, 2005, 2008, 2012.

Përkufizime

Varfëria Monetare:

Për llogaritjen e kufirit të varfërisë monetare është përdorur metodologjia e  "Kostos së Nevojave Bazë" (Ravallion dhe Bidani, 1994).

Kufiri i varfërisë është llogaritur duke përdorur shportën ushqimore që konsumohet nga individët që ndodhen në decilen e dytë deri në të katërt[ii]. Duke patur parasysh rekomandimet e FAO[2] për konsumin minimal të kalorive sipas moshës dhe gjinisë dhe duke i përshtatur këto kërkesa për kalori sipas shpërndarjes së popullsisë në Shqipëri në vitin 2001[3], marrja e kalorive të nevojshme për frymë u përllogarit në 2.288 kalori në ditë. Komponenti jo-ushqimor i varfërisë u llogarit duke marrë në konsideratë përqindjen e shpenzimeve për artikujt jo-ushqimorë të atyre familjeve që shpenzonin për artikuj ushqimorë një vlerë të përafërt me kufirin e varfërisë për ushqim. I llogaritur në këtë mënyrë, kufiri i varfërisë për ushqim (ose kufiri i varfërisë së tejskajshme) u vendos në 3.047 Lekë për frymë në muaj ndërsa kufiri i plotë i varfërisë, i plotësuar me nevojat për artikujt bazë jo-ushqimorë, u vendos në 4.891 Lekë për frymë në muaj me çmime konstante (2002).[iii]

Të gjitha llogaritjet e bëra, bazuar në vitet 2005, 2008 dhe 2012, kanë si bazë krahasuese vitin 2002. Për këtë arsye të gjitha rezultatet janë deflatuar për t'i sjellë në vlera reale, që do të thotë se janë pastruar nga influenca e ndryshimit të çmimeve në periudhat përkatëse.

Për llogaritjen e kufirit të plotë të varfërisë, është llogaritur në fillim një kufi varfërie për ushqimet (ose për koston e marrjes së një sasie minimale kalorish) dhe më pas është shtuar për të përfshirë artikujt bazë jo-ushqimorë të konsideruar minimalisht të nevojshëm për të jetuar. Pjesa përbërëse jo-ushqimore është llogaritur si një mesatare e përpjesës jo-ushqimore të shpenzimeve të atyre famijeve që shpenzojnë gati të njëjtën vlerë për ushqim siç përcaktohet nga kufiri i varfërisë ushqimore.

Varfëria Jo-monetare

Varfëria jo-monetare përbëhet nga tregues që nuk kanë lidhje me aspektin monetar por me aksesin në shërbimet bazë si furnizimi me ujë, infrastruktura sanitare, furnizimi me energji elektrike etj. si dhe cilësinë e tyre. Shpesh, për të plotësuar aspektin monetar të varfërisë me atë jo-monetar përdoret indeksi i nevojave bazë të paplotësuara (NBP). Ky indeks është i përbërë nga pesë tregues të vendosur së bashku që tregojnë: papërshtatshmërinë e furnizimit me ujë dhe tualetit (mungesë e ujit të rrjedhshëm dhe WC me kanalizim në banesë), papërshtatshmërinë e kushteve të strehimit (sipas perceptimit të vetë familjes), papërshtatshmërinë e furnizimit me energji elektrike (ndërprerje për 6 orë e më shumë në ditë), mbipopullimin e banesës (3 ose më shumë persona për dhomë) dhe papërshtatshmërinë e nivelit arsimor të kryefamiljarit (me arsim primar ose më të ulët). Një familje do të konsiderohet e varfër nëse nuk janë plotësuar dy ose më shumë nga nevojat bazë dhe ekstremisht e varfër kur nuk janë plotësuar tre ose më shumë nga ato.

Nevojat Bazë të Paplotësuara

-       Papërshtatshmëria e furnizimit me ujë dhe WC me kanalizim

-       Papërshtatshmëria e kushteve të strehimit

-       Papërshtatshmëria e furnizimit me energji elektrike

-       Mbipopullimi i banesës

-       Papërshtatshmëria e arsimimit të kryefamiljarit

Pas publikimit të shifrave të plota të popullsisë për vitet 2001-2014 në maj 2014, është rishikuar seria kohore e të dhënave të AMNJ 2005, 2008 dhe 2012.

___________________________________________________________________

[1]Deri në vitin 2008, madhësia e kampionit ka qënë 3600 familje përfaqësuese për 4 rajonet: Qëndror, Bregdetar, Malor dhe Tirana, ndarë gjeografikisht sipas kriterit agro-ekonomik dhe socio-ekonomik.

[2]Organizata Botërore e Ushqimit.

[3]Popullsia referuese ishte ajo e marrë nga Regjistrimi i Përgjithshëm i Popullsisë dhe Banesave, Prill 2001.

[i]Rajoni Bregdetar: Lezhë, Kurbin, Kavajë, Mallakastër, Lushnjë Delvinë, Sarandë, Durrës, Fier, Vlorë. Rajoni Qëndror: Devoll, Kolonjë, Pogradec, Mirditë, Pukë, Malësi e Madhe, Mat, Kuçovë, Skrapar, Krujë, Peqin, Gjirokastër, Përmet, Tepelenë, Shkodër, Elbasan, Berat, Korçë. Rajoni Malor: Kukës, Has, Tropojë, Bulqizë, Dibër, Gramsh, Librazhd. Tirana përfshin: zonën urbane të qytetit të Tiranës.

[ii]Decili ka të bëjë me ndarjen e një vargu të dhënash në dhjetë pjesë të barabarta duke i renditur vlerat e treguesit në rend rritës. Në këtë rast, decilet janë përllogaritur nga agregati i konsumit për frymë, i rregulluar më parë për të evituar ndikimin e ndryshimit të çmimeve. Decili i parë është përjashtuar në mënyrë që të shmangej ndikimi mbi shportën i modeleve që mund të vijnë si rezultat i vlerave të largëta.

[iii]AMNJ mbledh të gjithë informacionin e nevojshëm për të llogaritur përbërësit kryesorë të agregatit të konsumit: konsumi ushqimor (si i blerë ashtu dhe i vetë-prodhuar), shpenzimet jo-ushqimore (veshje dhe këpucë, artikuj shtëpiakë), shpenzimet për shërbime (ujë, gaz, telefon, energji etj.), për arsimim dhe mallra afatgjatë.