Informacion mbi vrojtimin:
INSTAT llogarit dhe publikon treguesit mujor të statistikave të akomodimit që përbejnë ofertën turistike në vend.
Qëllimi i vrojtimit mbi strukturat akomoduese është të monitorojë aktivitetet turistike, të llogarisë treguesit statistikor mbi ofertën akomoduese të turizmit shqiptar, që janë të rëndësishëm për të përcakuar tendencën e zhvillimit të kapaciteve të sektorit të turizmit. Të dhënat mblidhen çdo muaj nëpërmjet pyetsorit “Anketa e Strukturave Akomoduese”.
Fusha e mbulimit
Në anketën e strukturave akomoduese përfshihen të gjitha strukturat akomoduese turistike nga Regjistri Statistikor i Ndërmarrjeve të vitit 2018. Strukturat akomoduese turistike klasifikohen dhe përshkruhen në grupe sipas klasifikimit NVE Rev. 2 si vijon:
55.10 Hotele dhe akomodime të ngjashme. Kjo klasë përfshin: hotele, resort hotelier (kompleks turistik), hotel suita / apartament, motele.
55.20 Akomodime për pushime dhe të tjera akomodime afatshkurtra. Kjo klasë përfshin: shtëpi pushimi për fëmijë dhe të tjerë, apartamente dhe shtëpi njëkatëshe për vizitorë, shtëpi pushimi familjare pa shërbim në dhomë, bujtina të rinjsh dhe streha malore.
55.30 Hapësirat për kampingje dhe për parqe, për çadra ose rulota argëtimi. Kjo klasë përfshin kampingje e parqe për çadra, automjete ose rulota për vizitorët me qëndrim të shkurtër.
Strukturat akomoduese dhe vizitorët e pa regjistruar nuk janë subjekt i këtij studimi.
Treguesit që mblidhen nga anketa përfshijnë:
- Numri i vizitorëve rezident;
- Numri i vizitorëve jo – rezident;
- Netët e qëndrimit nga vizitorët rezident;
- Netët e qëndrimit nga vizitorët jo – rezident;
- Dhomat/kampet e zëna nga vizitorët rezident;
- Dhomat/kampet e zëna nga vizitorët jo - rezident;
- Numri i dhomave/kampeve gjithsej;
- Numri i shtretërve gjithsej;
Mbledhja e këtyre treguesve dhe llogaritja e niveleve të kapacitetit dhe shfrytëzimit realizohen bazuar në Aneksin i “Oferta turistike-Statistikat e Akomodimit” të Rregullores së Bashkimit Evropian (EU) no. 692/2011.
Përkufizime:
Struktura akomoduese në statistikat e akomodimit përfshin të gjitha njësitë e akomodimit turistik që ofrojnë, si një shërbim të paguar (çmimi mund të subvencionohet pjesërisht ose plotësisht), shërbime akomodimi afatshkurtra ose qëndrimi të shkurtër.
Dhomë: njësia e përbërë nga një dhomë ose grupe dhomash të cilat janë të marra me qira nga vizitorët (turistët) si një e tërë (qira e pandashme).
Shtrat: përcaktohet nga numri i personave që mund të qëndrojnë gjatë natës në një shtrat, duke përjashtuar shtretërit ekstra të vendosur sipas kërkesës së vizitorit.
Vizitorë: është një person i cili qëndron të paktën një natë në hotel duke përfshirë edhe fëmijët.
Rezident: konsiderohet ai person që ka banuar në Shqipëri për më shumë se 12 muaj radhazi.
Jo-Rezident: konsiderohet ai person që nuk ka banuar në Shqipëri për më shumë se 12 muaj radhazi.
Netë qëndrimi: është çdo natë që një vizitor / turist (rezident ose jo-rezident) aktualisht shpenzon (fle apo qëndron) në një njësi akomodimi.
Norma neto e shfrytëzimit të shtretërve = që mat përqindjen e shfrytëzimit të shtretërve për “Hotelet dhe akomodime të ngjashme”.
Norma neto e shfrytëzimit të dhomave = që tregon përqindjen e shfrytëzimit të dhomave për “Hotelet dhe akomodime të ngjashme”.
Rajonet statistikore në nivelin 1, 2 dhe 3 përcaktohen sipas ndarjes territoriale NUTS II, i cili është një klasifikim i unifikuar dhe përdoret si bazë për mbledhjen dhe përpunimin e Statistikave Rajonale Evropiane. Informacioni më poshtë përfshin se cilat prefektura janë në rajonin e Veriut, Qendrës dhe Jugut.
Rajoni i Veriut: Dibër; Durrës; Kukës; Lezhë; Shkodër
Rajoni Qendër: Elbasan;Tiranë
Rajoni i Jugut: Berat; Fier; Gjirokastër; Korçë; Vlorë
Zonat bregdetare janë Njësi Administrative Vendore (LAU) që janë në kufi ose afër një vije bregdetare. Zonat bregdetare klasifikohen sipas dy kategorive të mëposhtme:
- Zonat bregdetare: LAU që kufizohen me vijën bregdetare ose LAU që kanë të paktën 50% të sipërfaqes së tyre në një distancë prej 10 km nga vija bregdetare;
- Zonat jo-bregdetare: LAU që nuk janë "zona bregdetare"; që nënkupton LAU që nuk kufizohen me vijen bregdetare dhe kanë më pak se 50% të sipërfaqes së tyre në një distancë prej 10 km nga vija bregdetare.