Rezultatet Rajonale të Statistikave Strukturore të Ndërmarrjeve, 2016
Statistikat strukturore të ndërmarrjeve sipas rajoneve kanë si qëllim të tregojnë zhvillimin dhe strukturën e aktiviteteve ekonomike sipas rajoneve. Të dhënat rajonale janë vlerësuar duke u bazuar në një model, i cili ndërthur të dhënat e Regjistrit të Njësive Lokale, së bashku me të dhënat për Statistikat Strukturore të Ndërmarrjeve, për shpërndarjen e tyre sipas rajoneve. Modeli i ndërtuar bazohet në produktivitetin e punonjësve të njësive lokale sipas aktivitetit ekonomik. Për këtë arsye, treguesit rajonalë janë vlerësuar vetëm për variablat e lidhur me numrin e të punësuarve.
Në vitin 2016, bazuar në rezultatet finale të Statistikave Strukturore pranë Ndërmarrjeve që operojnë në aktivitetet prodhuese të të mirave dhe shërbimeve, vlera e shtuar është 491.026 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 6,7 %, krahasuar me vitin 2015.
Më poshtë paraqitet struktura e treguesve dhe kontributi në ndryshimin vjetor sipas rajoneve statistikore për vitin 2016. Nga rezultatet vërehet se peshën më të madhe në vend, në të gjithë treguesit e njësive lokale, e ka rajoni Qendër, i cili përbën 40,8 % të numrit të njësive lokale, 50,9 % të të punësuarve dhe 59,5 % të vlerës së shtuar. Ky rajon ka kontributin më të madh në ndryshimin vjetor të vlerës së shtuar prej 6,4 pikë përqindje, pasuar nga rajoni Veri me 1,5 pikë përqindje dhe rajoni Jug, i cili gjatë vitit 2016 ka dhënë një kontribut negativ me -1,2 pikë përqindje.
Hyrja 1, Tiranë, Kodi Postar 1017