Statistikat Strukturore të Ndërmarrjeve Ekonomike

Statistikat strukturore të ndërmarrjeve mbulojnë aktivitetet Industri, Ndërtim, Tregti dhe Shërbime (me disa përjashtime), të paraqitura sipas Nomenklaturës se Veprimtarive Ekonomike, NVE Rev.2. Ato përshkruajnë strukturën ekonomiko-financiare të ndërmarrjeve në nivel vendi, sipas degëve të ekonomisë dhe sipas madhësisë së ndërmarrjeve.

Një numër i madh variablash sigurohen nëpërmjet kryerjes së vrojtimit vjetor strukturor pranë ndërmarrjeve (ASN) dhe janë të shprehura në vlerë monetare (ose numerike), si psh Numri i  të punësuarve.

Përcaktimi i prioriteteve bëhet në përputhje me  Rregulloren e Këshillit, (EC, Euratom) Nr. 58/97, 20 dhjetor 1996, e amenduar me Rregulloren e Këshillit Europian, Nr. 295/2008 lidhur me Statistikat Strukturore të Ndërmarrjeve.

Raporti i Cilësisë
Publikimi i radhës
Rezultatet Paraprake të Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve, 2022

Kalendari

Nuk ka evente në kalendar për këtë temë
Na kontaktoni
Rr. Vllazën Huta, Ndërtesa 35,
Hyrja 1, Tiranë, Kodi Postar 1017
Tel:
+355 4 2222 411
Fax:
+355 4 2228300
info@instat.gov.al
media@instat.gov.al

Qëllimi i statistikave strukturore të ndërmarrjeve

Qëllimi kryesor i statistikave strukturore të ndërmarrjeve është të tregojë strukturën e aktiviteteve ekonomike nëpërmjet të dhënave ekonomike. Statistikat janë paraqitur sipas aktivitetit ekonomik, të klasifikuara sipas Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike (NVE Rev.2) dhe madhësisë së ndërmarrjes të klasifikuara sipas numrit të të punësuarve në grupet 1-4, 5-9, 10-49 dhe 50+ të punësuar.

Baza ligjore

Baza ligjore mbi të cilën mbështetet vrojtimi vjetor statistikor i ndërmarrjeve përbëhet nga Ligji 17/2018 “Për statistikat zyrtare” dhe Programi i Statistikave Zyrtare për periudhën 2017-2021.

Siguria e të dhënave dhe konfidencialiteti

Të dhënat e mbledhura nga ndërmarrjet konsiderohen si rreptësisht konfidenciale dhe përdoren vetëm për qëllime statistikore e kërkime shkencore në përputhje me Ligjin nr. 17/2018 datë 05.04.2018 “Për statistikat zyrtare”, si dhe Ligjin Nr. 9887, datë 10.03.2008 “Mbrojtja e të Dhënave Personale”. Neni 31 i ligjit “Për statistikat zyrtare” përcakton qartë që i gjithë informacioni statistikor i mbledhur nga INSTAT është konfidencial dhe mund të përdoret ose botohet vetëm në tabela përmbledhëse të tilla që nuk identifikojnë njësinë burim të informacionit.

Rregulloret

Statistikat strukturore të ndërmarrjeve mbështeten në Rregulloren (EC, EURATOM) No.58/97, 20 dhjetor 1996. Rezultatet e statistikave strukturore të ndërmarrjeve në mënyrë që të jenë të krahasueshme me ato të vendeve evropiane, prodhohen duke zbatuar edhe rregulloret e reja të Komisionit Evropian, KE:

  • Rregulloren e KE Nr. 1893/2006 mbi “Implementimin e Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike, NVE Rev.2 në Statistikat Strukturore të Ndërmarrjeve;
  • Rregulloren e KE Nr.295/2008 mbi “Statistikat Strukturore të Ndërmarrjeve”;
  • Rregulloren e KE Nr.250/2009 mbi “Përkufizimet e përdorura në Statistikat Strukturore të Ndërmarrjeve”.

Klasifikime dhe përkufizime

Klasifikimi i aktiviteteve ekonomike

Klasifikimi i ndërmarrjeve është bërë sipas Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike, NVE Rev. 2. Për më shumë informacion referohuni link-ut: http://www.instat.gov.al/media/252541/nve.pdf

 

Aktivitetet ekonomike

Aktivitetet ekonomike përfshijnë të gjitha ndërmarrjet aktive që prodhojnë të mira e shërbime për treg. Përjashtohen nga studimi aktivitetet e bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit, aktivitetet financiare dhe të sigurimit, administrimi publik dhe i mbrojtjes; sigurimi social i detyrueshëm si edhe aktivitetet e organizatave ndërkombëtare.

 

Periudha referuese

Të dhënat i përkasin periudhës vjetore kalendarike. Viti fiskal korrespondon me vitin kalendarik.

 

Madhësia e ndërmarrjeve

Klasifikimi i ndërmarrjeve sipas madhësisë është bërë sipas numrit të të punësuarve (matur si të punësuar me kohë te plotë).

Fusha e mbulimit

Statistikat përfshijnë gjithë ndërmarrjet aktive në Shqipëri për të gjitha format ligjore. Popullsia është bazuar në ndërmarrjet të cilat, sipas regjistrit statistikor të ndërmarrjeve, ishin aktive në Dhjetor të vitit të referencës.

Mostra

Për ndërmarrjet me 1-9 të punësuar është marrë mostër me zgjedhje për anketim. Ndërmarrjet me 10 e më shumë të punësuar janë anketuar tërësisht.

Fusha e mbulimit të ASN sipas Klasifikimit të Aktiviteteve Ekonomike

 

NVE Rev 2

Aktivitetet ekonomike të vrojtuara 

A

Bujqësi,pyje dhe peshkim

-

B

Industri nxjerrëse

Industri nxjerrëse

C

Industri përpunuese

Industri përpunuese

D

Energjia elektrike, furnizimi me gaz, avull dhe ajër i kondicionuar

Energji elektrike, uji dhe menaxhimi i mbetjeve

E

Furnizimi me ujë,aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve

F

Ndërtim

Ndërtim

G

Tregti me shumicë dhe pakicë. riparimi i automobilave dhe motoçikletave

Tregti

I

Akomodimi dhe aktivitetet e shërbimit të ushqimit

Akomodim dhe shërbimi ushqimor 
Accommodation and  food services

H

Transport dhe magazinim

Transporti,informacioni dhe komunikacioni

J

Informacioni dhe komunikacioni

K

Aktivitetet financiare dhe të sigurimit

-

L

Pasuritë e patundshme

Shërbime të tjera

M

Aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike

N

Shërbime administrative dhe mbështetëse

O

Administrimi publik dhe i mbrojtjes; sigurimi social i detyrueshëm

-

P

Arsimi

Shërbime të tjera

Q

Shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale

R

Art, argëtim dhe zbavitje

S

Aktivitete të tjera shërbimi

Shërbime të tjera (përjashtuar S94)

T

Shërbime në shtëpi

Shërbime të tjera

U

Aktivitete të organizatave ndërkombëtare

-

 

 

Treguesit

Vrojtimi përmban tregues bazë dhe tregues makorekonomikë. Treguesit bazë përfshijnë të dhëna mbi aktivitetet ekonomike, punësimin, të ardhurat e shpenzimet dhe investimet. Treguesit makroekonomikë janë treguesit e llogaritur nga treguesit bazë si prodhimi, konsumi ndërmjetës, vlera e shtuar, etj. Pjesë e botimit janë gjithashtu treguesit specifikë për ndërtimin, transportin rrugor, hotelet, bar-kafetë dhe restorantet.

Përkufizimet e treguesve

 

Treguesit bazë

 

Ndërmarrja është: “kombinimi më i vogël i njësive ligjore pra një njësi organizative që prodhon të mira apo shërbime që ka një farë autonomie në marrjen e vendimeve, veçanërisht për shpërndarjen e burimeve aktuale të saj. Ndërmarrja kryen një ose me shumë aktivitete në një apo më shumë vendndodhje (njësi lokale)”. Marrëdhënia mes një ndërmarrje dhe një njësie ligjore përkufizohet si: “ndërmarrja i korrespondon ose një njësie ligjore ose një kombinimi njësish ligjore”.

Të punësuarit përfshijnë të gjithë personat që punojnë në ndërmarrje përfshirë pronarët, të punësuarit me pagesë si dhe pjestarët e familjes të papaguar.

Shitjet neto përfshijnë shumat e faturuara nga ndërmarrja gjatë periudhës referuese dhe i korrespondojnë shitjes në treg të të mirave dhe shërbimeve ofruar të tretëve.

Investimet gjatë periudhës referuese përfaqësojnë vlerën e mallrave afatgjata të blera prej ndërmarrjeve ose të krijuara për llogari të vet me qëllim përdorimi për një periudhë jo më të vogël se një vit në procesin e prodhimit, përfshirë tokën.

Tregues makroekonomikë

 

Prodhimi është një aktivitet i ushtruar nën kontrollin dhe përgjegjësinë e një njësie institucionale (ndërmarrje) që kombinon burimet e fuqisë punëtore, kapitalit dhe lëndës së parë, për të prodhuar të mira dhe kryer shërbime.

Vlera e prodhimit bazohet në:

Të ardhurat nga shitja e produkteve dhe shërbimeve (shitjet neto) të krijuara nga vetë ndërmarrja:

(±) Ndryshimet e gjendjen së produkteve të gatshme dhe në proces

(±) Ndryshimet në gjendjen e mallrave dhe shërbimeve të blera për rishitje në të njëjtat kushte

(–) Blerjet e mallrave dhe shërbimeve për rishitje në të njëjtat kushte

(+) Prodhimi i aktiveve të qëndrueshme nga ndërmarrja për llogari të vet

(+) Subvencionet

 

Konsumi ndërmjetës përfaqëson vlerën e produkteve ose shërbimeve të transformuara ose plotësisht të konsumuara gjatë procesit të prodhimit. Përdorimi i aktiveve fikse të vëna në punë nuk përfshihet në vlerën e konsumit ndërmjetës.

Vlera e shtuar me çmime bazë llogaritet si diferencë e vlerës së prodhimit me konsumin ndërmjetës.

Paga e trajtime për të punësuar me pagesë paraqet pagat dhe trajtimet mesatare vjetore paguar nga ndërmarrja për një të punësuar me pagesë.

Si janë trajtuar të dhënat statistikore

 

Mbledhja e informacionit

Të dhënat mblidhen direkt nga ndërmarrjet. Mbledhja e informacionit bëhet me anketues të cilët plotësojnë pyetësorin e printuar për Anketën Strukturore pranë Ndërmarrjeve.

Besueshmëria

 

Trajtimi i mos-përgjigjeve

Konsiderohen si mos-përgjigje të gjitha rastet:

  • Pa kontakt
  • Refuzim i plotë
  • Refuzime të pjesshme, (për tabela apo tregues të veçantë).

Për trajtimin e mos-përgjigjeve të pjesshme u përdorën disa metoda të drejtpërdrejta ose kombinimi i tyre si:

  • Studimi i serisë kohore të ndërmarrjes dhe degës;
  • Të dhënat nga skedari i bilanceve;
  • Skedarët e tjerë që disponohen në INSTAT si:
  • Regjistri statistikor i ndërmarrjeve;
  • Skedari i TVSH;
  • U analizuan dhe u përdorën të dhënat mesatare të degës ku bën pjesë ndërmarrja;
  • U përdorën të dhënat e ndërmarrjeve që kanë kushte të ngjashme;
  • U përdor metoda e strukturës mesatare sidomos për shpenzimet;
  • Për pjesën e pa trajtuar u përdor metoda e ripeshimit.

Analiza e cilësisë së të dhënave

Për të analizuar cilësinë e të dhënave janë aplikuar disa rregulla:

  • Kontrolli matematik i anketës
  • Kontrolli llogjik i të dhënave të anketës
  • Krahasimi i të dhënave në seri kohore
  • Krahasimi i të dhënave me skedarë të tjerë që disponon INSTAT
  • Krahasimi i të dhënave me skedarin e bilanceve
  • Përcaktimi i kufizimeve për disa raporte, si psh: paga mesatare për të punësuar, marzheve ndaj shitjes neto, etj.
  • Analiza e shmangieve të mëdha nga mesatarja.

Informacione të tjera

Historiku dhe Botimet

Anketa Strukturore pranë Ndërmarrjeve është pjesë e Programit Kombëtar Statistikor. Ky aktivitet statistikor ka filluar në vitin 1998. Pyetësori është rishikuar çdo vit për të rritur cilësinë dhe sasinë e të dhënave dhe zbatimit më mirë të kërkesave të Eurostat-it.

Në Nëntor, T+11, përdoruesit marrin informacion permbledhës për treguesit kryesorë me referencë vitin T. Në Shkurt, T+14, INSTAT boton të plotë “Rezultate të Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve Ekonomike” për vitin referencë T.

Rezultatet e ASN gjenden të botuara në Vjetarin Statistikor. Përdoruesit mund ti gjejnë rezultatet në website-in e INSTAT:

Industria, Tregtia dhe Shërbimet