INSTAT llogarit dhe publikon treguesit mujor të statistikave të akomodimit që përbëjnë ofertën turistike në vend, duke përdorur metodën e vrojtimin tërësor të mbledhjes së të dhënave pranë strukturave akomoduese, kundrejt vrojtimit me kampionim që përdorej në vitet paraardhëse. Metodologjia e re synon grumbullimin, prodhimin dhe publikimin e të dhënave cilësore në përputhje me Rregulloren e Bashkimit Europian (EU) nr. 692/2011 të statistikave Europiane të turizmit dhe amendimeve të saj.
Qëllimi i vrojtimit mbi strukturat akomoduese është të monitorojë aktivitetet turistike, të llogarisë treguesit statistikor mbi ofertën akomoduese të turizmit shqiptar, që janë të rëndësishëm për të përcakuar tendencën e zhvillimit të kapaciteve të sektorit të turizmit. Të dhënat mblidhen çdo muaj nëpërmjet pyetsorit “Anketa e Strukturave Akomoduese”.
Fusha e mbulimit
Në anketën e strukturave akomoduese përfshihen të gjitha njësitë statistikore nga Regjistri Statistikor i Ndërmarrjeve të vitit 2023 dhe nga ai i Njësive Lokale, që kanë si aktivitet të tyre ekonomik parësor ose dytësor akomodimin turistik, gjatë periudhës referencë.
Strukturat akomoduese turistike klasifikohen dhe përshkruhen në grupe sipas klasifikimit NVE Rev. 2 si vijon:
55.10 Hotele dhe akomodime të ngjashme. Kjo klasë përfshin: hotele, resort hotelier (kompleks turistik), hotel suita / apartamente, motele.
55.20 Akomodime për pushime dhe të tjera akomodime afatshkurtra. Kjo klasë përfshin: shtëpi pushimi për fëmijë dhe të tjerë, apartamente dhe shtëpi njëkatëshe për vizitorë, shtëpi pushimi familjare pa shërbim në dhomë, bujtina të rinjsh dhe streha malore.
55.30 Hapësirat për kampingje dhe për parqe, për çadra ose rulota argëtimi. Kjo klasë përfshin kampingje e parqe për çadra, automjete ose rulota për vizitorët me qëndrim të shkurtër.
Strukturat akomoduese dhe vizitorët e pa regjistruar nuk janë subjekt i këtij studimi.
Treguesit që mblidhen nga anketa përfshijnë:
- Numri i vizitorëve rezident;
- Numri i vizitorëve jo – rezident;
- Netët e qëndrimit nga vizitorët rezident;
- Netët e qëndrimit nga vizitorët jo – rezident;
- Dhomat/kampet e zëna nga vizitorët rezident;
- Dhomat/kampet e zëna nga vizitorët jo - rezident;
- Numri i dhomave/kampeve;
- Numri i strukturave akomoduese që disponon një ose më shumë dhoma për personat me lëvizshmëri të reduktuar;
- Numri i shtretërve;
Mbledhja e këtyre treguesve dhe llogaritja e niveleve të kapacitetit dhe shfrytëzimit realizohen bazuar në Aneksin I “Oferta turistike-Statistikat e Akomodimit” të Rregullores së Bashkimit Europian (EU) nr. 692/2011.
Përkufizime:
Struktura akomoduese përfshin të gjitha njësitë e akomodimit turistik që ofrojnë, si një shërbim të paguar (çmimi mund të subvencionohet pjesërisht ose plotësisht), shërbime akomodimi afatshkurtra ose qëndrimi të shkurtër.
Dhomë: njësia e përbërë nga një dhomë ose grupe dhomash të cilat janë të marra me qira nga vizitorët (turistët) si një e tërë (qira e pandashme).
Dhomë për personat me lëvizshmëri të reduktuar PRMs (përfshirë dhe personat në karrige me rrota): dhoma duhet të jetë e aksesueshme për personat me lëvizshmëri të reduktuar dhe t’i ofrojë atyre mundësitë e përdorimit të të gjitha faciliteteve të dhomës ashtu si për vizitorët e tjerë pa kufizime fizike; struktura akomoduese ose dhoma mund të përfshijnë gjithashtu ambiente të veçanta për personat me dëmtim të shikimit ose dëgjimit.
Shtrat: përcaktohet nga numri i personave që mund të qëndrojnë gjatë natës në një shtrat, duke përjashtuar shtretërit ekstra të vendosur sipas kërkesës së vizitorit.
Vizitorë: është një person i cili qëndron të paktën një natë në hotel duke përfshirë edhe fëmijët.
Rezident: konsiderohet ai person që ka banuar në Shqipëri për më shumë se 12 muaj radhazi.
Jo-Rezident: konsiderohet ai person që nuk ka banuar në Shqipëri për më shumë se 12 muaj radhazi.
Netë qëndrimi: është çdo natë që një vizitor / turist (rezident ose jo-rezident) aktualisht shpenzon (fle apo qëndron) në një njësi akomodimi.
Norma neto e shfrytëzimit të shtretërve që mat përqindjen e shfrytëzimit të shtretërve në “Hotele dhe akomodime të ngjashme”.
Norma neto e shfrytëzimit të dhomave që tregon përqindjen e shfrytëzimit të dhomave në “Hotele dhe akomodime të ngjashme”.
Rajonet statistikore në nivelin 1, 2 dhe 3 përcaktohen sipas ndarjes territoriale NUTS II, i cili është një klasifikim i unifikuar dhe përdoret si bazë për mbledhjen dhe përpunimin e Statistikave Rajonale Evropiane. Informacioni më poshtë përfshin se cilat prefektura janë në rajonin e Veriut, Qendrës dhe Jugut.
Rajoni i Veriut: Dibër; Durrës; Kukës; Lezhë; Shkodër
Rajoni Qendër: Elbasan;Tiranë
Rajoni i Jugut: Berat; Fier; Gjirokastër; Korçë; Vlorë
Zonat bregdetare janë Njësi Administrative Vendore (LAU) që janë në kufi ose afër një vijë bregdetare. Zonat bregdetare klasifikohen sipas dy kategorive të mëposhtme:
- Zonat bregdetare: LAU që kufizohen me vijën bregdetare ose LAU që kanë të paktën 50% të sipërfaqes së tyre në një distancë prej 10 km nga vija bregdetare;
- Zonat jo-bregdetare: LAU që nuk janë "zona bregdetare"; që nënkupton LAU që nuk kufizohen me vijën bregdetare dhe kanë më pak se 50% të sipërfaqes së tyre në një distancë prej 10 km nga vija bregdetare.