PBB me metodën e prodhimit
Vlerësimi i PBB-së me metodën e prodhimit mund të përmblidhet në dy hapa. Në hapin e parë, Vlera e Shtuar Bruto (VSHB) me çmimet bazë për të gjitha degët e aktiviteteve ekonomike vlerësohet si diferencë midis prodhimit me çmimet bazë dhe konsumit ndërmjetës me çmimet e tregut duke zbritur nga secila degë vlerën e Shërbimeve Ndërmjetësuese Financiare të Matura Indirekt (termi anglisht: FISIM). Në hapin e dytë, vlerës së shtuar bruto të të gjitha degëve në total i shtohen taksat mbi produktet dhe i zbriten subvencionet mbi produktet duke përftuar në këtë mënyrë PBB-në me çmimet e tregut.
Treguesi i rritjes reale të PBB-së është ndër treguesit më të rëndësishëm të sistemit të Llogarive Kombëtare. Për llogaritjen e tij është e nevojshme llogaritja e PBB-së me çmime konstante.
PBB sipas metodës së prodhimit me çmime konstante matet si shumë e vlerës së shtuar të të gjitha aktiviteteve ekonomike me çmime konstante plus taksat minus subvencione mbi produktet me çmime konstante.
Tabela e mëposhtme paraqet komponentët kryesorë të PBB-së me metodën e prodhimit.
PBB me metodën e shpenzimeve
Vlerësimi i PBB-së me metodën e shpenzimeve përfshin lidhjen ndërmjet 4 sektorëve të ekonomisë: Familjeve, Ndërmarrjeve, Qeverisë dhe Sektorit të Jashtëm. Duke qënë se PBB mat prodhimin e të gjithë ekonomisë së një vendi, ajo mund të matet gjithashtu duke mbledhur të gjithë shpenzimet e realizuara nga të katër këta sektorë. Përdorimi i kësaj metode është quajtur metoda e Shpenzimeve, e cila bazohet në ekuacionin:
GDP = C + I + G + NX
Nga ky ekuacion përftojmë vlerën e PBB-së nominale (me çmime korrente), e cila axhustohet me indeksin e çmimeve duke na dhënë vlerën e PBB-së reale (me çmimet e vitit të mëparshëm), si treguesi më i rëndësishmi për përcaktimin e rritjes në volum të PBB-së vjetore.
Metodologjia
Llogaritjet e PBB-së mbështeten metodologjikisht në konceptet bazë të Sistemit Evropian të Llogarive (ESA 2010) dhe të Sistemit të Llogarive Kombëtare (SNA 2008) të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). Të dyja këto metodologji janë përditësimet më të fundit të ESA 1995 dhe SNA 1993.
Sistemi Evropian i Llogarive Kombëtare dhe Rajonale (ESA 2010) është korniza më e re e llogarive EU e përshtatshme ndërkombëtarisht e cila siguron një përshkrim sistematik e të detajuar të ekonomisë. ESA 2010 është implementuar nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian në shtator të vitit 2014.
Për më tepër: http://ec.europa.eu/eurostat/web/products-manuals-and-guidelines/-/KS-02-13-269
ESA 2010 ndryshon në qëllim dhe koncepte nga paraardhësi ESA 95 duke reflektuar zhvillimet në matjen e ekonomisë moderne, kërkime të avancuara metodologjike dhe kërkesat e përdoruesve. Një përshkrim të ndryshimeve si dhe ndikimi i secilit ndryshim në llogaritë kombëtare paraqitet në Manualin e ndryshimeve midis ESA 95 dhe ESA 2010.
Manuali është i rëndësishëm dhe i nevojshëm për të përpiluar të dhëna të besueshme dhe njëkohësisht të krahasueshme midis vendeve të BE.
Për më tepër: http://ec.europa.eu/eurostat/en/web/products-manuals-and-guidelines/-/KS-GQ-14-002
Në këtë kuadër edhe Shqipëria si vend me status kandidat ka nisur implementimin e ESA 2010 që gjatë vitit 2014. Llogaritë Kombëtare kanë vënë në zbatim disa prej ndryshimeve të reja metodologjike si:
- Zgjerimin e vlerësimeve për sektorin financiar duke përfshirë të gjithë institucionet financiare për të cilat disponohen të dhëna bazuar në klasifikimin e ri të ESA 2010 dhe SNA 2008.
- Aplikimin e metodës së re për llogaritjen e shërbimeve të ndërmjetësimit financiar të matura indirekt (FISIM).
- Vlerësimin e prodhimit të Bankës së Shqipërisë bazuar mbi dallimin që duhet bërë midis prodhimit të tregut dhe jo të tregut sipas SNA 2008/ESA 2010.
- Rishikimin e përkufizimit për prodhimin e kompanive të sigurimit të cilat ofrojnë sigurim jo-jete.
- Zbatimet Metodologjike në kuadër të ESA 2010 për vlerësimin e treguesve të Shpenzimeve (trajtimi i Konsumit final të Familjeve sipas COICOP 2 shifror, Trajtimi i Formimit Bruto të kapitalit fiks sipas llojeve të aseteve,etj. )
Klasifikime
Klasifikimet janë thelbësore për prodhimin, përpilimin dhe shpërndarjen e statistikave. Klasifikimet përditësohen herë pas here për të reflektuar zhvillimet ekonomike, teknologjike dhe ndryshimet strukturore të ekonomisë e për të mundësuar krahasimin dhe lidhjen e të dhënave në nivel evropian dhe në përgjithësi, në atë botëror si pjesë e një sistemi të integruar.
Klasifikimet e përdorura në Llogaritë Kombëtare janë:
- Nomenklatura e veprimtarive ekonomike Rev.2 (NVE Rev.2).
- Nomenklatura e produkteve (NP);
- Klasifikimi i konsumit individual sipas përdorimit (COICOP);
- Klasifikimi i shpenzimeve te qeverise sipas funksionit (COFOG).
Burimet e të dhënave
Për vlerësimet e PBB-së përdoret informacioni i siguruar nga burime të ndryshme statistikore dhe administrative. Të dhënat e përdorura mund të jenë prodhim statistikor i vetë INSTAT ose i institucioneve të ndryshme kombëtare si Ministritë, Drejtoritë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Doganave, Qendra Kombëtare e Regjistrimit, Banka e Shqipërisë, Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare, Agjensia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe të tjera. Duke krahasuar këto burime me njëra-tjetrën, arrihet të prodhohet një pamje e vetme e ekonomisë e cila është gjithëpërfshirëse, konsistente, koherente dhe tërësisht e integruar.
Burimet statistikore përfshijnë të dhënat e siguruara nga regjistrime dhe anketa të ndryshme mbi njësitë ekonomike ose familjet, ndër të cilat mund të përmendim:
- Regjistri i Ndërmarrjeve;
- Regjistrimi i Popullsisë dhe Banesave;
- Anketa Strukturore pranë Ndërmarrjeve;
- Anketa e Tregtisë me Pakicë;
- Anketa e Buxhetit të Familjeve;
- Anketa e Forcave të Punës;
- Anketa të Matjes së Nivelit të Jetesës;
- Anketa të Statistikave të Çmimeve.
Burimet administrative përfshijnë të dhëna administrative të mbledhura nga institucione të tjera për qëllime të ndryshme, ndër të cilat mund të përmendim:
- Pasqyrat financiare vjetore;
- Tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH);
- Statistika financiare monetare;
- Bilanci i Pagesave;
- Statistika fiskale të qeverisë;
- Statistika të tregtisë së jashtme;
- Të dhëna mbi energjinë elektrike dhe të produkteve energjitike;
- Etj.
Fazat e publikimit dhe Politikat revizionuese
Vlerësimet e PBB-së vjetore kalojnë në dy faza llogaritjesh dhe publikimesh:
- Faza e parë përfshin vlerësimet gjysëm-finale të llogarive vjetore të PBB të vitit “t“, të cilat kryhen në periudhën t+15
- Faza e dytë përfshin vlerësimet finale të PBB të vitit (t). Në këtë fazë rishikohen dhe njëherë të dhënat e vitit (t) kur vjen seti i të dhënave për vitin (t+1) me qëllim që të përfshihet çdo ndryshim i bërë për vitin (t) dhe të sigurohet konsistenca midis dy viteve të njëpasnjëshëm. Gjatë kësaj faze bëhet dhe balancimi final në nivel produkti midis dy metodave të PBB-së.
Të dhënat e publikuara revizionohen mbështetur në politikat revizionuese të llogarive kombëtare. Vlerësimet vjetore të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe komponentëve të tij janë subjekt i dy tipeve të revizionimit: të zakonshme dhe rastësore.
Revizionime të zakonshme:
Revizionimet e zakonshme vjetore vijnë si rezultat i përditësimeve të burimeve ekzistuese vjetore me të dhëna më të fundit për një vit të caktuar "t". Vlerësimi i PBB-së së një viti "t" kalon në tre etapa derisa arrin vlerësimi final i tij. Vlerësimi i parë paraprak me baza vjetore të PBB-së (paraprake/flesh) (viti t) është njëmbëdhjetë muaj (në fillim të Dhjetorit të vitit (t+1)). Vlerësimi mbështetet në të dhënat paraprake nga anketat dhe në disa raste në burime të tjera administrative. Një vlerësim i tillë rishikohet pas gjashtë muajsh në mënyrë që të marrim një vlerësim gjysëm-final i mbështetur në burime më të plota dhe të përditësuara informacioni. Në këtë moment rishikohen gjithashtu edhe vlerësimet e vitit të kaluar (t-1) për t'i kaluar nga vlerësime gjysëm-finale në finale.
Revizionimet të veçanta:
Revizionimet e veçanta vijnë si rezultat i përfshirjes së burimeve të reja të të dhënave statistikore e administrative dhe përmirësimi i atyre ekzistuese; përmirësimit të teknikave statistikore dhe metodave të përpilimit të të dhënave për Llogaritë Kombëtare; ndryshimit të metodologjisë për shkak të standarteve të reja të Sistemit të Llogarive Kombëtare (SNA dhe ESA).
Përkufizime
Prodhimi (Output)
Aktivitet i ushtruar nën kontrollin dhe përgjegjësinë e një njësie institucionale që kombinon burimet në fuqi punëtore, kapital dhe produkte e shërbime për të prodhuar produkte ose kryer shërbime. Proceset e pastra natyrore pa ndërhyrjen ose kontrollin e njeriut nuk bëjnë pjesë në prodhim. Ekzistojne tre lloje të prodhimit: prodhim tregu; prodhim i prodhuar për konsum final vetjak dhe prodhim tjetër jo-tregu.
Konsumi ndërmjetës
Vlera e produkteve ose shërbimeve të transformuara ose plotësisht të konsumuara gjatë procesit të prodhimit. Përdorimi i aktiveve fikse të vëna në punë nuk merret parasysh; ai evidentohet në konsumin e kapitalit fiks.
Vlera e shtuar bruto
Vlera e shtuar bruto përfaqëson kontributin e aktiviteteve të ndryshme në PBB dhe llogaritet si diferencë midis prodhimit dhe konsumit të ndërmjetëm.
Taksat mbi produktet dhe importin
Taksat mbi produktet janë taksat e pagueshme për njësi të disa mallrave dhe shërbimeve si: Taksa mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), akciza dhe taksa doganore mbi importet.
Subvencione në produkte dhe importe
Subvencionet në produkte janë pagesat e pakthyeshme që njësitë e administratës publike bëjnë tek ndërmarrjet si një shumë e caktuar parash për njësi të një malli ose shërbimi. Subvencionet në importe konsistojnë në subvencionimin e mallrave ose shërbimeve që bëhen të pagueshme kur malli kapërcen kufirin e territorit ekonomik ose kur shërbimet i janë kaluar njësive institucionale rezidente
FISIM
Disa institucione ndërmjetësuese financiare ofrojnë shërbime për të cilat ato nuk tarifojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë klientët e tyre. Vlera e këtyre shërbimeve ndërmjetësuese financiare matet në mënyrë indirekte mbi kreditë dhe depozitat dhe quhet FISIM. Vlerësimi i FISIM për secilin sektor llogaritet si diferencë midis normës së interesit të marrë nga depozitat dhe të paguar për kreditë me normën e brendshme referencë të interesit, shumëzuar me stokun përkatës të depozitave dhe kredive. Vlera e prodhimit të FISIM-it është shpërndarë sipas aktiviteteve ekonomike dhe sektorëve institucionale.
Çmim bazë
Shuma që prodhuesi merr nga blerësi për njësi të produktit apo shërbimit të prodhuar, pa tatimet dhe subvencionet mbi produktin. Çmimi bazë përjashton shpenzimet e transportit të faturuara më vete.
Çmim tregu
Është çmimi bazë pasi shtohen taksat mbi produktet minus subvencionet mbi produktet.
Çmime korente
Çmimet e periudhës referuese. Ato përfaqësojnë çmimin e paguar për të mirat dhe shërbimet në kohën e prodhimit ose të konsumit.
Çmime konstante
Çmime konstante janë në vlerë reale pra të korrigjuara për ndryshimet në çmime në lidhje me një vit bazë. Ato janë një mënyrë për të matur ndryshimin real në prodhim.
Rritja reale
Tregues që përdoret për të krahasuar ndryshimet në volum të PBB-së dhe komponentëve të tij të një periudhë me një periudhë tjetër.
Konsumi Final
Konsumi Final është një nga komponentët kryesore të PBB-së me metodën e shpenzimeve. Konsumi Final konsiston ne shpenzimet për të mirat dhe shërbimet të përdorura nga familjet individuale ose komunitetet dhe llogaritet si shumë e konsumit final të familjeve, konsumit final të administratës publike dhe konsumit final të Institucioneve Jo-Fitimprurëse që i shërbejnë familjeve (IJFSF).
Konsumi final i familjeve
Konsumi final i familjeve, përbëhet nga shpenzimet totale të mallrave dhe shërbimeve nga ana e familjeve rezidente për të plotësuar kërkesat e tyre individuale.
Konsumi final i administratës publike dhe IJFP
Përmban vlerën e shërbimeve jo-tregtare të siguruara nga administrata publike dhe nga institucionet jo-fitimprurëse në përfitim të komuniteteve ose grupe familjesh. Kjo llogaritet si diference midis prodhimit të administratës publike dhe IJFP dhe vlerës së tyre të prodhimit tregtar.
Eksporti neto
Eksporti neto llogaritet si diferencë midis eksportit të mallrave dhe shërbimeve (f.o.b) dhe importit të mallrave dhe shërbimeve (f.o.b).
Formimi Bruto i Kapitalit Fiks
Formimi i bruto kapitalit fiks (FBKF), përbëhet nga investimet e prodhuesve vendas dhe blerjet minus shitjet, të aseteve fikse gjatë një periudhe të caktuar. Ajo gjithashtu përfshin shtesa të caktuara për vlerën e aseteve jo-prodhuese të realizuara nga aktiviteti prodhues apo njësitë institucionale. Asetet fikse janë asete të prekshme apo të paprekshme të përdorura në prodhim për më shumë se një vit.
Ndryshimi i gjendjeve
Përcaktohet si diferencë midis gjëndjeve të inventarit dhe në proces të aktiveve qarkulluese në fund dhe në fillim të vitit. Gjëndjet përfshijnë: materiale të para dhe materiale të tjera; prodhime, punime shërbime në proces; produkte të gatshme e gjysëm të gatshme, mallra, kafshë, etj.
Part A - GNI compilation – Albania
PART B - Price and volume measures - Albania
Implementimi i ESA 2010 dhe NVE Rev.2 në Llogaritë Kombëtare Vjetore