Çfarë është Regjistrimi i Përgjithshëm i Bujqësisë (RPB)
Regjistrimi i Përgjithshëm i Bujqësisë është një vrojtim i gjërë statistikor i planifikuar, organizuar dhe zbatuar duke u mbështetur në kritere e përcaktime shkencore e bashkëkohore, për grumbullimin, përpunimin dhe botimin e të dhënave mbi strukturën e fermave bujqësore. Regjistrimi i përgjithshëm i bujqësisë është pjesë integrale e sistemit të statistikave bujqësore. Ai siguron informacion të përgjithshëm dhe të hollësishëm për të gjitha njësitë ekonomike bujqësore, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Regjistrimi i përgjithshëm i njësive ekonomike bujqësore paraqet një nga momentet më të rëndësishme të statistikës bujqësore shqiptare.
Qëllimi i Regjistrimit të Përgjithshëm të Bujqësisë është krijimi i regjistrave të veçantë për bimët e arave, frutikulturën, vreshtarinë si dhe të blegtorinë sipas llojeve; gjedhë, të leshta dhe të dhirta, derra, njëthundrakë dhe shpendë.
Regjistrimi i Përgjithshëm i Bujqësisë do të kontribuojë në sigurimin e të dhënave bazë të qëndrueshme në kohë, si demografike ashtu dhe social-ekonomike, në nivel kombëtar, rajonal dhe lokal.