Pyjet mbulojnë 36,6 % të fondit të tokës, ndërsa kullotat mbulojnë 16,6 % duke zënë së bashku rreth 53,0 % të sipërfaqes së Shqipërisë. Sipërfaqja e përgjthshme e fondit pyjor është 1.051 milion hektarë dhe sipërfaqja e fondit kullosor është 478 mijë hektarë.
Zonat e mbrojtura (ZM), në vitin 2018 janë 801 dhe zënë një sipërfaqe prej 523.831 ha, duke përfaqësuar kështu 18,2 % të sipërfaqes së vendit dhe 30,1 % të fondit pyjor dhe kullosor.
Megjithëse vend me sipërfaqe të vogël, Shqipëria ka shumëllojshmëri speciesh e llojesh (biodiversitet të pasur), pasojë kjo e shumëllojshmerise së gjeologjisë dhe gjeomorfologjisë, kushteve topografike si dhe klimës dhe hidrologjisë shumë të ndryshme sipas rajoneve të vendit.
Falë pozicionit gjeografik dhe shumëllojshmërisë së ekosistemeve në vendin tonë gjenden 3.200 lloje bimësh që përbejnë rreth 30,0 % të florës evropiane. Fauna perfaqësohet kryesisht nga elementi euroaziatik por edhe nga elementi holarktik mesdhetar si dhe endemizmat e subendenizmat ballkanike. Shqipëria bën gjithashtu një biokoridor të lëvizjes së faunes nga veriu në jug të Europës e më tej në Azinë veriore dhe Azinë e vogël dhe e ndërsjellta.
Përkufizime
"Fond pyjor" janë të gjitha sipërfaqet pyjore e jopyjore, burimet pyjore e jopyjore bashkëshoqëruese, infrastruktura përkatëse, përfshirë edhe sipërfaqet e zhveshura, të cilat krijojnë një mjedis harmonik me pyjet e tokën pyjore (çeltirat, shkëmbinjtë, dunat dhe ranishtat), brezat pyjorë mbrojtës, grupet e veçuara të drurëve dhe shkurret.
“Fondi kullosor” janë të gjitha sipërfaqet e kullotave dhe livadheve natyrorë, drurët e shkurret brenda sipërfaqeve të tyre që përdoren për kullotje jashtë fondit të tokës bujqësore
“Zona të mbrojtura” shpallen territore tokësore, ujore, detare e bregdetare të caktuara për mbrojtjen e diversitetit biologjik, të pasurive natyrore dhe kulturore, bashkëshoqëruese, të cilat menaxhohen me rrugë ligjore dhe me metoda shkencore bashkëkohore. Zonat e mbrojtura ndahen në 6 kategori të cilat janë:
- Rezervë Strikte Natyrore
- Park kombëtar
- Monument natyror
- Rezervat natyror i menaxhuar
- Peisazhi i mbrojtur
- Zonë e mbrojtur e burimeve të menaxhuara.