Shpenzimet e Konsumit në Shqipëri
SHPENZIMET E KONSUMIT NË SHQIPËRI
Shpenzimet për konsum të NjEF-ve (Njësive Ekonomike Familjare) përfshijnë çdo lloj "blerjeje" produktesh dhe shërbimesh për të plotësuar nevojat individuale të NjEF dhe individëve gjatë një periudhe të caktuar kohe. Këto shpenzime llogariten në baza mujore. Struktura e shpenzimeve të konsumit tregon shpërndarjen e shpenzimeve të konsumit ose "blerjet" e kryera nga NjEF-të vendbanuese në territorin e Shqipërisë. Këto të dhëna mblidhen përmes Anketës së Buxhetit të Familjes. Struktura e shpenzimeve të konsumit tregon në tërësi lëvizjet dhe serinë kohore të shpenzimeve të NjEF-ve.
Për të bërë klasifikimin e produkteve dhe shërbimeve të blera nga NjEF, është përdorur Klasifikimi Evropian i Produkteve sipas Qëllimit (COICOP - 6 digit, 2012) i përshtatur për Anketën e Buxhetit të Familjes në kushtet e Shqipërisë. Struktura e shpenzimeve për konsum të NjEF është paraqitur sipas ndarjes në 12 grupet kryesore të konsumit.
Shpenzimet e konsumit përcaktohen në atë mënyrë që shpenzimet e bëra për disa produkte ose shërbime të të njëjtit lloj përfshihen në një grup më gjithëpërfshirës. Figura 1 përdoret për të treguar ndarjen në këto grupe dhe vendos vlerat në "%" për të treguar përmasat e tyre. Figura ngjason më shumë si një picë sesa si grafik. Sa më e madhe të jetë "pjesa" që keni zgjedhur, aq më e madhe është vlera në % për atë grup të "pjesës" dhe shpenzimet që kryhen po në atë grup janë më të mëdha.
Grupi “Ushqime dhe pije jo-alkoolike” është elementi më i rëndësishëm në buxhetin familjar duke zënë vlerën prej 35.083 lekë ose 39,7 përqind të buxhetit të përgjithshëm të NjEF-ve. Kjo do të thotë se pothuajse gjysma e shpenzimeve të konsumit të NjEF-ve është për ushqim dhe pije jo-alkoolike.
Thela tjetër më e madhe është grupi i shpenzimeve për banesën, me shpenzime për energji elektrike, ujë, karburant, qira dhe riparime të vogla me një shpenzim mesatar mujor prej 8.640 lekësh përfaqëson 9,8 përqind të buxhetit të NjEF-ve.
Grupi "Restorante dhe Hotele" me një shpenzim mesatar mujor prej 6.448 lekë zë 7,3 përqind të buxhetit të përgjithshëm.
Shpenzimet mesatare mujore të konsumit të NjEF
Shpenzimet mesatare mujore të konsumit të një Njësie Ekonomike Familjare (NjEF) në Shqipëri në vitin 2022 ishin 88.367 lekë sipas vlerësimeve të Anketës së Buxhetit të Njësive Ekonomike Familjare. Struktura e shpenzimeve të konsumit tregon shpërndarjen e shpenzimeve mesatare të konsumit ose "blerjet" e kryera nga NjEF. Një NjEF në Shqipëri përbëhet mesatarisht nga 3,7 persona ku 39,7 % përqind e shpenzimeve të saj për konsum shkojnë për “ushqime dhe pije jo-alkoolike”. Shpenzimet mesatare mujore për konsum kanë shënuar rritje ndër vite, ku në vitin 2022 rritja vlerësohet me 4,5 %, krahasuar me 2021 dhe 5,9 %, krahasuar me vitin 2020.
FAKTE:
Struktura e shpenzime të konsumit përbëhet nga 12 grupe kryesore.
Në vitin 2022, kampioni i anketës ishte 10.452 NjEF. Në përfundim të vrojtimit u intervistuan rreth 7.666 NjEF të shpërndara në mënyrë uniforme në të gjithë territorin e Shqipërisë, shkalla e përgjigjes së NjEF, e llogaritur si raport i numrit të NjEF që kanë plotësuar anketën ndaj numrit të NjEF të zgjedhura, shprehur në përqindje rezultoi 73,3 %. Zgjedhja e kampionit bëhet sipas një procedure dy-hapëshe. Njësitë e hapit të parë (PSU) janë zonat e Censit të homogjenizuara, me probabilitet përpjesëtimor me madhësinë e zonës së Censusit. Në hapin e dytë, brenda secilës prej zonave të zgjedhura në hapin e parë, zgjidhen sipas metodës së zgjedhjes sistematike me probabilitet të barabartë një numër fiks prej 12 NjEF. Zgjedhja në të dyja hapat është bërë në mënyrë të rastësishme duke siguruar një përfaqësim edhe në nivel qarku. Totali i NjEF të kampionuara u nda në 4 nënkampione tre-mujore të cilët u shpërndanë gjeografikisht në mënyrë homogjene gjatë gjithë vitit, për të bërë të mundur pasqyrimin e ndryshimeve stinore. Si rrjedhim, janë anketuar çdo muaj rreth 872 NjEF të shpërndara njëtrajtësisht në të gjitha zonat e zgjedhura, për të siguruar përfaqësimin e çdo zone në të gjithë muajt e vitit.
Anketa e Buxhetit të Familjes u krye për herë të parë në vitet 1999-2000 dhe ishte përfaqësuese vetëm për zonat urbane, për të vazhduar më pas në vitet 2006-2007, 2008-2009 dhe që nga viti 2014 e vazhdueshme. Nga viti 2006-2007 anketa është gjithëpërfshirëse për të gjithë territorin e Shqipërisë duke përfshirë zonat urbane dhe rurale si dhe me përfaqësim në nivel qarku.
Një Njësi Ekonomike Familjare (NjEF) i referohet një grupi personash ose një personi me lidhje gjaku ose jo të cilët banojnë së bashku në një banesë dhe që ndajnë një ekonomi pjesërisht ose plotësisht të përbashkët.
Për më shumë informacion KLIKO në:
Njoftime për shtyp:
https://www.instat.gov.al/al/publikime/njoftime-p%C3%ABr-media/
Tabela dhe grafikë:
https://www.instat.gov.al/al/temat/ekonomi-dhe-financ%C3%AB/llogarit%C3%AB-komb%C3%ABtare-gdp/#tab2
Metodologjia:
Artikuj/Libra:
https://www.instat.gov.al/al/publikime/librat/2023/vjetari-statistikor-rajonal-2023/
https://www.instat.gov.al/al/publikime/librat/2023/shqip%C3%ABria-n%C3%AB-shifra-2022/
https://www.instat.gov.al/al/publikime/librat/2023/burra-dhe-gra-2023/
Për më shumë infoamcion klikoni KËTU