Regjistrat e Biznesit në Shqipëri
Regjistrat e Biznesit në Shqipëri
Regjistrat Statistikor të Bizneseve janë baza për përgatitjen dhe koordinimin e anketave ekonomike dhe shërbejnë si burim informacioni për analizën statistikore të popullsisë së bizneseve dhe demografisë së saj.
Regjistrat e Biznesit (RB), përmbajnë të dhëna të detajuara për njësitë ligjore, ndërmarrjet dhe njësitë lokale që ushtrojnë aktivitet ekonomik brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Regjistrat e Biznesit janë bazë për hartimin e statistikave të nevojshme për dhënien e treguesve afatshkurtër dhe të zhvillimeve strukturore ekonomike.
Njësia ligjore mund të jetë:
- Person juridik, ekzistenca e të cilit njihet nga ligji, pavarësisht nga individët apo institucionet që mund ta zotërojnë apo janë anëtarë në të;
- Person fizik i angazhuar në një aktivitet ekonomik në të drejtën e tij.
Ndërmarrja është kombinimi më i vogël i njësive ligjore pra një njësi organizative e cila prodhon të mira apo shërbime dhe ka një farë autonomie në marrjen e vendimeve, veçanërisht për shpërndarjen e burimeve aktuale të saj. Ndërmarrja kryen një ose me shumë aktivitete në një apo më shumë vendndodhje (njësi lokale)”.
Njësia lokale është një ndërmarrje apo pjesë e saj (p.sh manifakturë, fabrikë, magazinë, zyrë, minierë apo depo) të ndodhura në zona të identifikuara gjeografikisht. Tek ky apo nga ky vend ushtrohet aktiviteti ekonomik për të cilin – me përjashtim të disa rasteve – punojnë një ose më shumë persona (edhe pse me kohë të reduktuar) për një ndërmarrje të vetme.
Njësia statistikore në regjistër është ndërmarrja (përjashtuar fermerët), e cila është e njëjtë me njësinë ligjore të regjistruar pranë sporteleve të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), apo edhe pranë organeve tatimore.
Fermerët e regjistruar gjatë vitet të fundit janë pajisur me NIPT dhe i nënshtrohen skemës së kompensimit të prodhuesve bujqësorë për qëllime të TVSH. Fermerët e regjistruar pranë zyrave tatimore zotërojnë personalitet juridik, e si të tillë janë objekt i regjistrit të njësive ligjore që INSTAT mirëmban dhe përditëson.
RB përditësohen me frekuencë vjetore me të dhëna nga burime administrative dhe vrojtime statistikore të organizuara nga Instituti i Statistikave.
Variablat kryesore të RB grupohen në këto kategori:
- Variablat e identifikimit: NIPT, Forma ligjore, Pronësia, Emri, Adresa, Komunikimi (Tel, Faks etj.);
- Variablat ekonomikë: Aktiviteti ekonomik kryesor, Aktiviteti dytësor, Të punësuar gjithsej, Të punësuar me pagë, Të punësuar gjithsej gra, Xhiro vjetore; Vendndodhja gjeografike, Sektori institucional.
- Variablat demografikë: Data e krijimit, Data e mbarimit.
Për më shumë informacion KLIKO në:
Publikime: Regjistrat e Biznesit | Instat
Databaza statistikore: PxWeb - Select table (instat.gov.al)
Tabela: Regjistrat e Biznesit | Instat
Metodologjia: Regjistrat e Biznesit | Instat
Artikuj: Grupet e ndërmarrjeve dhe ndërmarrjet shumëkombëshe në shqipëri
Ndikimi i pandemisë në regjistrin statistikor të ndërmarrjeve;
Ndikimi i pandemisë në sjelljen e biznesit në vite