Popullsia e Shqipërisë

Popullsia e Shqipërisë

Popullsia e Shqipërisë nisi të zvogëlohet që prej vitit 1990, i cili shënoi një fazë të re në zhvillimin politik, ekonomik dhe demografik të Shqipërisë. Para vitit 1990, vendi përjetoi një rritje të qëndrueshme të popullsisë. Gjatë periudhës pasuese, normat e ulëta të lindshmërisë dhe emigracioni ishin faktorët kryesorë që kontribuan në zvogëlimin e popullsisë.

Është me rëndësi të dimë se sa banorë jetojnë aktualisht në vend dhe sa do të ketë në të ardhmen, në mënyrë që të mund të merren vendime më të mira në lidhje me ndërtimin e shkollave, spitaleve dhe rrugëve. Është gjithashtu e rëndësishme të dihet sa e moshuar është dhe do të jetë popullsia në vitet në vazhdim, në mënyrë që të planifikohen, për shembull pensionet apo kujdesi shëndetësor.

 

Rënia e popullsisë

 

Popullsia banuese në Shqipëri, sipas Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023 rezulton 2,4 milionë banorë dhe krahasuar me Censin e Popullsisë dhe Banesave 2011 ka një rënie prej rreth 420 mijë banorë. Prirja në rënie vazhdon të jetë e pranishme nga vitet e mëparshme.

Kutia e faktit:

Popullsia banuese bazohet në konceptin e vendbanimit të zakonshëm ku përfshihen të gjithë ata persona që banojnë ose kanë si qëllim të banojnë në vend për të paktën 12 muaj, pavarësisht shtetësisë së tyre. Zakonisht llogaritet më 1 janar të një viti të dhënë.

Burimi mund të jetë Censi i Popullsisë (regjistrimi i popullsisë është kur numërohet popullsia ose është përpjekja për të siguruar një pasqyrë statistikore të popullsisë dhe banesave, përfshirë numrin e plotë të gjithë individëve, njësive ekonomike familjare dhe banesave, në një moment të caktuar të kohës, së bashku me disa nga karakteristikat e tyre.)

Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 është censi i tretë i kryer në Shqipëri, prej nga viti 1990, dhe i dymbëdhjeti në historinë e censeve në vend, prej vitit 1913. Tradicionalisht i kryer përmes pyetësorëve në letër dhe vizitave derë më derë, ky cens solli një transformim digjital gjithëpërfshirës duke përdorur pyetësorët elektronikë të administruar përmes tabletave.

Meqenëse Censi kryhet normalisht çdo 10 vjet, duhet të bëhet një rregullim vjetor për të marrë numrin e popullsisë për një vit të caktuar. Ky rregullim merr në konsideratë shtesën natyrore të popullsisë dhe migracionin neto.

Shtesa natyrore e popullsisë llogaritet duke i zbritur lindjeve numrin e vdekjeve. Migracioni neto pasqyron numrin e imigrantëve (popullsia që lëviz drejt vendit) minus numrin e emigrantëve (popullsia që lëviz jashtë vendit).

Në disa vende, në vend të kësaj metode përdoren regjistrat e popullsisë.

 

Rënia e lindjeve

 

Gjatë periudhës 2011-2023 numri i lindjeve është ulur ndjeshëm: nga rreth 34 mijë në 2011, në rreth 24 mijë në 2023, ndërsa numri i vdekjeve në vit ka mbetur midis 20 mijë dhe 22 mijë për periudhën 2011-2019, por ka shënuar rritje në rreth 30,5 mijë vdekje në 2021, i ndikuar nga efektet e pandemisë Covid-19, ndërsa në vitin 2023 u rikthye në trendin e mëparshëm me rreth 21 mijë vdekje. Zakonisht lindin më shumë meshkuj sesa femra, por meqenëse burrat kanë një vdekshmëri më të lartë, ka më shumë gra të moshuara sesa burra.

Gratë lindin më pak

Indeksi sintetik i fekonditetit është numri mesatar i fëmijëve të lindur të gjallë nga një grua, duke marrë parasysh normat aktuale të fekonditetit. Kjo tregon se sa fëmijë pritet të lindë një femër gjatë jetës së saj. Pranohet gjerësisht që 2,1 fëmijë për grua është niveli i zëvendësimit të nevojshëm për popullsinë e një vendi të caktuar. Në Shqipëri, prej vitesh ky tregues është nën nivelin e zëvendësimit.

Disa nga faktorët socialë që mund të ndikojnë në normat e fekonditetit janë: normat kulturore, niveli i arsimimit, feja, përdorimi i metodave kontraceptive, aborti, ndikimi i migracionit, fëmijët si burim i punës (në fermat familjare), fëmijët si mbështetje për çifte në moshat më të mëdha, kostot e rritjes së fëmijëve, etj.

ISF mund të reflektohet në numrin e popullsisë në dekadat e ardhshme dhe të ketë ndikim, jo vetëm në uljen e saj, por sidomos në faktorë socio-ekonomikë.

Shqiptarët jetojnë më gjatë se më parë

Sa kohë pritet të jetojë një person? Kjo matet përmes treguesit të jetëgjatësisë.

Kjo mund të shprehet si jetëgjatësia në lindje, duke treguar numrin e viteve që një fëmijë i sapolindur pritet të jetojë.

Kutia e faktit:

 

Llogaritja e jetëgjatësisë merr parasysh normat e vdekshmërisë sot, duke vlerësuar mundësitë për të vdekur për secilën moshë. Jetëgjatësia e pritur normalisht llogaritet për të gjithë popullsinë e përgjithshme dhe gjithashtu veçmas për gratë dhe burrat. Jetëgjatësia e pritur për gratë është përgjithësisht më e lartë sesa për burrat.

Jetëgjatësia në lindje ka ardhur përgjithësisht duke u rritur nga viti 2011 deri në vitin 2019, me gra që kanë prirje për të jetuar më gjatë. Ajo ka shënuar ulje në vitet 2020-2021, e ndikuar nga rritja e numrit të vdekjeve prej efekteve të pandemisë Covid-19.

Në vitin 2022 jetëgjatësia e pritur në lindje u vlerësua 77,3 vjeç për meshkujt 80,9 vjeç për femrat (të cilat pritet të jetojnë 3,6 vite më shumë sesa meshkujt shqiptarë të lindur në të njëjtin vit).

Cens 2023 tregon se pesë në gjashtë persona të moshës njëqind vjeçare në Shqipëri janë gra.

 

Raporti gjinor

 

Raporti gjinor i popullsisë sipas Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023 rezulton 98,2 (numri i meshkujve për 100 femra). Në moshat e vogla deri në 10 vjeç, numri i meshkujve tejkalon atë të femrave, me një raport gjinor më të lartë se 108. Ky raport përmbyset në moshat 40 dhe pas të 80-ve, me një rënie të madhe për shkak të jetëgjatësisë së lartë të femrave, krahasuar me meshkujt.

 Popullsia në plakje - struktura e popullsisë

Nga krahasimi midis Censeve 2011 dhe 2023, rezulton që popullsia e Shqipërisë është plakur,                ku të moshuarit 65 e më shumë vjeç zënë rreth 20 % të popullsisë, nga rreth 11 % që zinin në 2011.

Mosha mesatare e popullsisë në Cens 2023 rezultoi 42,5 vite, duke pësuar rritje nga 35,3 vite që ishte në Censin 2011.

 

Lindshmëria nën nivelin e zëvendësimit prej vitit 2001, rritja e jetëgjatësisë, si dhe migracioni mbeten faktorët kryesorë të plakjes së popullsisë

Kutia e faktit:

 

Mosha medianë e popullsisë është ajo që ndan një popullsi në dy grupe të barabarta. Përfaqëson moshën në të cilën gjysma e popullsisë është më e re dhe gjysma tjetër është më e vjetër.

Mosha mesatare e një popullsisë llogaritet si mesatare aritmetike, e shprehur në vite.

 

Raportet e varësisë

Tranzicioni drejt një popullsie më të vjetër vihet re edhe në raportet e varësisë në Cens 2023.

Raporti i varësisë së të rinjve (raporti i numrit të personave nën moshën e punës 0-14 vjeç me numrin e personave që janë në moshë për të punuar, 15 deri në 64) pësoi rënie në 24,0 % nga

30,4 % vlerësuar në Censin e 2011, ndërsa raporti i varësisë së të moshuarve (raporti i numrit të personave të moshuar, mbi moshën e punës 65+ vjeç, me numrin e personave që janë në moshë për të punuar, 15 deri në 64) pësoi rritje në 30,4 %,  nga 16,7 % në Censin e 2011.

Në figurën 4 evidentojmë raportet e varësisë së të moshuarve sipas qarqeve, duke analizuar të dhënat e Cens 2023. Ky raport tregon përqindjen e individëve të moshuar, mbi moshën e punës (65+ vjeç), me numrin e individëve në moshë pune (15-64 vjeç).

Analizuar në nivel qarku, Kukësi dhe Gjirokastra mbajnë pozicione të kundërta në termat e raporteve të varësisë: Kukësi ka raportin e varësisë së të rinjve më të lartë (31,8 %) dhe raportin më të ulët të varësisë së të moshuarve (19,9 %). Ndërsa, Gjirokastra ka raportin e varësisë së të rinjve më të ulët (19,0 %) dhe raportin më të lartë të varësisë së të moshuarve (46,1 %).

 

Shpërndarja e popullsisë sipas qarqeve

 

Referuar Cens 2023, përafërsisht një e treta e popullsisë shqiptare (31,6 %) banon në qarkun e Tiranës. Qarku i dytë me përqindjen më të lartë të popullsisë është Fieri me rreth 10,0 %. Kukësi dhe Gjirokastra kanë përqindjen më të ulët, me 2,6 % dhe 2,5 % të popullsisë respektive

 

Për më shumë informacion KLIKO në:

Njoftime për shtyp

https://www.instat.gov.al/al/temat/treguesit-demografik%C3%AB-dhe-social%C3%AB/popullsia/#tab3

Tabela dhe grafikë

https://www.instat.gov.al/al/temat/treguesit-demografik%C3%AB-dhe-social%C3%AB/popullsia/#tab2

Metodologjia

https://www.instat.gov.al/al/temat/treguesit-demografik%C3%AB-dhe-social%C3%AB/popullsia/#tab4

Artikuj/Libra

https://www.instat.gov.al/media/13787/cens-2023.pdf

https://www.instat.gov.al/media/12918/vjetari-statistikor-rajonal-2023__.pdf

https://www.instat.gov.al/media/12598/burra-dhe-gra-2023.pdf

https://www.instat.gov.al/media/12770/shqiperia-ne-shifra-2022.pdf

https://www.instat.gov.al/al/dokumentimi/fjalor-terminologjik/

Për më shumë informacion klikoni KËTU